E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Për ne rëndësi ai që voton, jo interesi i atij që numëron”

24-05-2011 / Gazeta 55

Flet kreu i KQZ-së, Arben Ristani

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka argumentuar gjatë mbledhjes me komisionerët vendimin e Komisionit për numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Gjatë fjalës së tij, Ristani është shprehur se KZAZ-të nuk kishin një procedurë ligjore për të marrë një vendim të posaçëm për raste të tilla.
“Për ne ka rëndësi ai që voton, jo ai që numëron. Në përputhje me kompetencën e nenit 33, gërma C, KQZ vendosi administrimin e fletëve të panumëruara. Nga shqyrtimi i këtij dokumentacioni, KQZ vëren se: KZAZ-të kanë konstatuar hedhjen e gabuar të fletëve dhe mungesën e një procedure uniforme për zgjidhjen e kësaj çështje”, ka pohuar Ristani. “Gjatë shqyrtimit të këtyre fletëve, anëtarët e KZAZ-ve s’kanë pasur mundësi ligjore për shqyrtimin e tyre dhe kanë vepruar në mënyrë alternative”, ka saktësuar ai.
Ristani ka theksuar se KQZ është organi më i lartë shtetëror i administratës zgjedhore dhe në funksion të këtij tagri ushtron të gjitha kompetencat ndaj organeve në vartësi të tij.
“Ligji thotë se, kur është e nevojshme KQZ duhet të përdorë autoritetin e saj ndaj KZAZ-ve dhe duhet të jetë më pro-aktive në zgjidhjen e këtyre problemeve”, deklaroi kreu i KQZ-së, Arben Ristani.
Pas më shumë se 6 orë debate mes anëtarëve të KQZ, kryetari i Komisionit, Arben Ristani, u shpreh se vendimi i KQZ-së është hartuar në bazë të kërkesave që kanë ardhur nga KZAZ-të e Tiranës, lidhur me mënyrën se si do të vlerësoheshin votat e gjetura në kutitë e gabuara.
“Këto kërkesa kanë ardhur nga shumë KZAZ dhe duhet të merrnin një zgjidhje nga KQZ, i cili në këtë rast funksionoi edhe si KZAZ për të përcaktuar mënyrën se si ata do të përmbyllin numërimin me të gjitha kutitë e votimit”, tha Ristani.
Duke komentuar qëndrimin kundër këtij projekt-akti nga përfaqësuesit e opozitës në këtë komision, Ristani tha se “anti-akti u përpoq të realizojë parimin stalinist, “s’ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron”.
“Për ne është e kundërta, për ne rëndësi ka ai që voton”, tha kreu i KQZ-së.
Miratimi i këtij projekt-akti u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës në këtë komision. Përfaqësuesi ligjor i  Partisë Socialiste në KQZ, Genci Gjonçaj, u shpreh se gjatë këtyre 4 ditëve janë rivlerësuar vota të shpallura të pavlefshme me vendim të KZAZ dhe ky veprim është jashtë kompetencës së KQZ.
Ai theksoi se “në thelb ky është një akt normativ dhe duhet miratuar me shumicë të cilësuar nga KQZ”.
Pritet që KQZ në vijim të mbledhjes së sotme, të miratojë tabelën e rezultateve për Bashkinë e Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›