Procedurat ishin transparente, vlerësuam votën e qytetarëve

Flet përfaqësuesi ligjor i PD-së, pranë KQZ-së, Njazi Kosovrasti
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, deklaroi dje se kolegët e majtë u përpoqën të kalojnë vendimin e Komisionit për fletët e kontestuara si akt normativ. Duke hedhur poshtë pretendimet e tilla, Kosovrasti është shprehur se KQZ funksionon si një KZAZ dhe madje qëndron lartë saj. Gjithashtu, Kosovrasti ka rrëzuar deklaratat për nevojën e shumicës së cilësuar në marrjen e vendimeve, duke akuzuar edhe komisionerët socialistë për mungesën e tyre. “Gjatë këtyre ditëve KQZ ka qenë në rolin e një KZAZ-je superiore. Kutitë u hapën në prani të të gjithë publikut. Procedura ishte transparente”, ka pohuar Kosovrasti.
Ai akuzoi gjithashtu edhe PS-në se ka tentuar të përdhosë votën e qytetarëve.
Sipas tij, KQZ vetëm ka bërë të mundur vlerësimin e votave të qytetarit në bazë të rregullave, pasi ajo ndodhi nga një gabim njerëzor. Ndërkohë që solli në vëmendje vitin 2009-ë ku PS ka bërë protesta që ajo të shihte votën e saj, tashmë sipas Kosovrastit ajo po bie në kundërshtim me ato që ajo vetë ka kërkuar përgjatë 2 viteve me radhë.
“Ne vendosëm që vota të vlerësohet dhe numërohet, Kodi Zgjedhor ka bërë kujdes për votën e qytetarit. Ai thotë që qytetari kur voton gabim vjen, kthehet dhe i kërkon komisionit një fletë tjetër, po e bëri përsëri nuk ja jep. Vijmë në rastin konkret ashtu siç gabon në fletën e votimit kur shënon për kandidatin, ai gabon edhe në hedhjen e kutisë së gabuar, por ky gabim nuk rregullohet në vend, ndaj meqenëse gabimi ishte njerëzor dhe fleta është në kuti dhe ka sigurinë që asgjë e keqe nuk mund t’i ndodhë. KQZ vendosi që vota e qytetarit të numërohet. Zgjidhi dy problemet, kush e informonte dhe këto u morën nga KZAZ-të, nga i cili erdhi informacioni, si dhe, kur u hap kutia, nuk u prekën fletët e vlefshme, u panë vetëm zarfet e fletëve të votimit të kontestuara dhe të pavlefshme. Për dy vjet rresht, që nga 2009-a, PS e çoi vendin drejt situatave të pakëndshme në bazë të një kërkese “dua të shoh votën time, ndërkohë që sot thotë, nuk e dua votën time”, deklaroi më tej përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.