Çfarë mund dhe çfarë s’mund të ndryshojë Barack Obama
Fitorja e Barack Obamës, përtej entuziazmit që përcolli në botë, krijoi përshtypjen se SHBA do të rikthehej në pozitën e “zgjidhësit të problemit” dhe jo më “shkaktare e tyre”, siç shihej SHBA pas vitit 2001.
Amerika kishte qenë një zgjidhje për shumë kategori njerëzish, kur u krijua si shtet. Ata kishin gjetur në këtë vend hapësirën për të ushtruar liritë e tyre fetare që Evropa nuk i lejonte t’i ushtronin. Amerika ishte zgjidhja e problemit përballë botës së vjetër që përfaqësohej nga një Evropë, e cila nuk iu linte hapësirën e veprimit puritanëve, evangjelistëve, irlandezëve dhe italianëve.
Me kalimin e kohës vendi që shihej si “zgjidhje e problemit”, u shndërrua në problem postmodern. Pas rënies së Murit të Berlinit, SHBA filloi t’i kthente shpinën konsensusit ndërkombëtar, madje pas 2001 devijoi në një nacionalizëm të shoqëruar nga jo-toleranca fetare, e në arenën ndërkombëtare lindi një ambicie imperiale, ekzaltim niçian për sa i përket përdorimit të forcës ushtarake.
Ishin SHBA që ndërhynë në Bosnjë dhe Kosovë, e ndihmuan Evropën duke iu ofruar një “zgjidhje”, të cilën Brukseli e kishte të pamundur ta gjente përballë tragjedive që ndodhnin në portën e saj.
SHBA adaptoi një politikë të jashtme në 1999, të bazuar në strategjinë e vjetër viktoriane duke dashur të mbajë në çdo rajon të botës një lloj ekuilibri midis fuqive rajonale, që në mënyrë napoleoniane t’i dominonte duke ushtruar në terren teorinë e xhunglimit.
Me fundin e presidencës Bush shumë vende dëshirojnë të rifitojnë statusin e aktorit të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Rusia, Franca duan të rifitojnë statusin e aktorit me peshë, ndërkohë që vende të tjera janë në kërkim të një statusi të ri botëror, për shkak se ato kanë evoluar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Gjermania, India dhe Brazili kërkojnë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB; paqja në Lindjen e Largët duket shumë e largët dhe presidenti Obama, një muaj pas ardhjes së tij në pushtet, duhet të vendosë një linjë të përgjithshme të politikës së jashtme, e cila, edhe pse në pamje të parë duket e ndryshme nga Bush, në thelb të saj ajo mbetet e njëjtë.
Misioni i tij i parë në aspektin e politikës së tij të jashtme ka qenë të pajtojë SHBA me pjesën tjetër të botës duke operuar një ndryshim të imazhit të vendit të tij, i cili nuk ishte shumë popullor në kohën e administratës së presidentit Bush. Në këtë kuadër, ai lajmëroi mbylljen e burgut të Guantanamos, i dha intervistën e parë një kanali televiziv shumë të ndjekur në botën arabe, duke i dhënë një mesazh kësaj popullate dhe dha një sinjal pozitiv për qëllim bisedimesh me Kubën dhe Iranin.
Politika e jashtme e SHBA si e gjithë vendeve të tjera në botë nuk është e ndërtuar si në ato lojërat televizive, ku fiton personazhi më popullor i tij, por mbi të gjitha prioriteti i saj është mbrojtja e interesave gjeostrategjike, ekonomike dhe gjeoenergjitike në një botë, e cila po bëhet gjithnjë e më e varur prej tyre.
Obama do ta ketë të lehtë të ndryshojë imazhin e vendit të tij, por ai nuk ka si të ndryshojë qëllimin e politikës së jashtme, edhe pse më 4 nëntor bota priti me një lloj kënaqësie zgjedhjen e tij, sepse shpresonte se presidenti i ri i SHBA do të ndryshonte kursin dhe natyrën e marrëdhënieve ndërkombëtare drejt një modeli multipolar duke i dhënë fund unipolaritetit të viteve të fundit.
Obama, një muaj pas instalimit në Shtëpinë e Bardhë, po ndeshet me probleme që kërkojnë zgjidhje, si Iraku, Lindja e Mesme, ku paqja po largohet gjithnjë e më shumë, Afganistani, ku talibanët kanë fituar terren, dhe mbi të gjitha konflikti indo-pakistanez, i tensionuar pas atentateve të fundit që shpërthyen në Indi.
Obama si president i SHBA do të punojë për të mbrojtur interesat e vendit të tij. Ky është roli i tij, dhe për ata që mendojnë ndryshe, ai nuk është as Dalai Lama dhe as sekretari i Kombeve te Bashkuara që ka si detyrë të vendose paqen kudo në botë.
Personalisht e kam shumë të vështirë të mendoj dhe të besoj se Obama do të ketë një vizion të politikës së jashtme më pak agresive dhe të mos ketë si objektiv mbrojtjen e interesave amerikane, ashtu siç edhe ish-presidenti Bush.
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare dëshmon se diplomacia e një vendi nuk të ndryshon kursin e saj radikalisht si me magji, sepse i përgjigjet interesave afatgjata, disa kritereve të caktuara dhe sigurisht analizave që ekspertë të Departamentit të Shtetit i bëjnë gjendjes së botës, të menduara mirë në funksion të interesave jetike amerikane.
Le të kujtojmë këtu se, ndryshe nga mendimi që qarkullon në media dhe opinionin ndërkombëtar, unilaterizimi amerikan në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk lindi nën presidencën Bush, por me atë të pararendësit të tij Clinton, me Bushin unilateralizmi njohu vetëm një rritje dhe ekspansion, asgjë më tepër.
Presidenti Obama pa dyshim do të ndjekë një politikë të jashtme më të moderuar në komunikim me disa vende të quajtura “rock state”, siç është Irani.
Presidenti iranian ka nevojë të ketë përballë një armik të jashtëm, sepse strategjia e tensionimit është ajo që e lejon atë të mbijetojë politikisht duke ndërtuar një kapital politik e paraqitur si i vetmi mbrojtës i Iranit ndaj armikut SHBA.
Strategjia dhe gjuha e ashpër e administratës Bush në rastin iranian bëri që iranianët në 2005 të sillnin në pushtet një nacionalist ekstremist si Mahmoud Ahmadinejad. Një politikë e jashtme me një komunikim të moderuar nga ana e SHBA mund të sjellë një ulje të tensioneve midis dy vendeve dhe pse jo të favorizojë kandidatin e moderuar Khatami të vijë në pushtet gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Për sa i përket Lindjes së Mesme, a mund të themi se Barack Obama do ta ketë të lehtë të sjellë në jetë një politikë që e diferencon nga politika e paraardhësve të tij dhe të shkojë kundrejt konstantes strategjike të SHBA që është mbrojtja e aleatit të përhershëm Izraelit?
Është e vështirë të parashikosh pas një muaji presidence, se cili do të jetë ndryshimi i Obamës kandidat nga ai president në çështjen e Lindjes së Mesme.
Gjatë fushatës ai bëri një hap të paprecedent, teksa deklaroi se do të njihte Jerusalemin si kryeqytet të unifikuar të Izraelit, gjë që asnjë president amerikan nuk e kishte deklaruar më parë. Po t’i shtojmë këtij qëllimi edhe deklaratën e Sekretares së Shtetit, Clinton, se do të zhvendoste ambasadën e SHBA nga Tel Avivi në Jerusalem, kjo përkthehet se politika e jashtme amerikane nuk do të ketë një ndryshim të qëndrimit të saj për sa i përket Lindjes së Mesme, madje pas zgjedhjeve të fundit në Tel Aviv, ku qeverinë sipas të gjitha gjasave do ta drejtojë e djathta, e cila është kundër çdo lloj marrëveshjeje për paqe, mund të thuhet se paqja është shumë larg.
Sigurisht që para konfliktit në Afganistan dhe në Irak, procesi i paqes në Lindjen e Mesme nuk do të qëndrojë në krye të axhendës amerikane, ndërkohë që situata në Kabul bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe vende të NATO-s që marrin pjesë në IFOR po tërheqin trupat duke bërë që pozicioni i NATO-s të dobësohet nga ku edhe vullneti i SHBA për të zgjeruar Aleancën me shtete pro-amerikane.
Në këtë kohë krize ekonomike politika e jashtme amerikane nuk mund të fokusohet përtej Afganistanit dhe Irakut, sepse njerëzit që zgjodhën Obamën, e zgjodhën atë si president që do të ofrojë zgjidhje në aspektin e politikës së brendshme ekonomike dhe jo në atë të jashtme. Askush nuk flet sot për Irakun, por të gjitha mediet ndërkombëtare flasin për krizën ekonomike, papunësinë dhe Afganistanin.
Opinioni botëror, shumë shtete të mëdha që kërkojnë të rifitojnë një status të dikurshëm dhe të tjetra që kërkojnë një rol më të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare, fantazmuan dhe predikuan në shkretëtirë mbi ndryshimin e dëshiruar që do t’i sillte botës zgjedhja e Obamës si president.
Por Obama nuk është Mesia dhe të sjellë dhe vendosë paqen dhe ekuilibrin në marrëdhëniet ndërkombëtare me një shkop magjik sikur të ishte magjistar.
Ai vetëm sa do ta ndryshojë formën e komunikimit dhe metodën e të bërit politikë të jashtme, por jo duke ndryshuar qëllimet e saj e do të jetë e vështirë të shohim një diferencë thelbësore të asaj që shumë njerëz në botë mendojnë se do të shohin.