E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët padi kundër kryebashkiakut

 

KËLCYRE - Gjykata e Apelit në Gjirokastër rrëzon vendimin e Faktit për të hetuar denoncimin për shkelje të kryebashkiakut të Këlcyrës, Vasil Carka. I zgjedhuri i PD-së, u denoncua pak kohë më parë nga tre këshilltarë të djathtë bashkiakë, për shpërdorim detyre dhe shkelje të ligjit urbanistik. Tre këshilltarët e djathtë dikur mbështetësit e kryebashkiakut aktual të Këlcyrës, Kristo Kërcuku, Bardhyl Xhani dhe Albert Brahollari depozituan padinë e tyre fillimisht në prokurori. Ky organ nuk e ka parë të arsyeshme të marrë në konsideratë denoncimin e bërë nga këshilltarët e lartpërmendur dhe pushoi çështjen, çka solli kundërshtinë ligjore nga ana e denoncuesve. Në Shkallën e Parë të gjyqësorit në Gjirokastër, ata kanë kërkuar nga prokuroria të kryejë një hetim intensiv të së gjitha shkeljeve të vërejtura dhe të depozituara njëkohësisht në dosjen e dorëzuar në organin e akuzës. Shkalla e parë në vendimin e dhënë para disa ditëve ka kërkuar nga prokuroria hetimin e shkeljeve të konstatuara madje edhe nga auditi i brendshëm i Institucionit të Prefektit të Gjirokastrës. Ndërsa ditën e djeshme, Gjykata e Apelit të Gjirokastrës ka hedhur poshtë vendimin e Shkallës së Parë çka për këshilltarët do të thotë rekurs në Gjykatën e Lartë. Njëri prej këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Këlcyrës Albert Brahollari, u shpreh dje se: "Kryebashkiaku Vasil Carka, është model i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin dhe mund të jenë raste unikale të shpërdorimit të detyrës nga një kryetar bashkie në Shqipëri". Sipas Brahollarit, të gjitha sheshet e ndërtimit janë dhënë pa kaluar në mbledhjet e Këshillit Bashkiak çka përbën shkelje të ligjit, duke përmendur dhe një objekt privat të Carkës, shumë pranë godinës së bashkisë. Pritet që fjala e fundit të jepet nga Gjykata e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›