Kuksianët nuk e shohin rrugën Durrës-Kukës, siç e sheh z. Braçe
Ndoshta edhe nuk do ta botoni, me ose pa arsye, por unë po e shkruaj, pasi kështu e ndjej. Më bëri shumëpërshtypje diskutimi i z. Braçe në Parlament. Mirë bën që i vë në dukje “abuzimet” e bëra për rrugën Durrës-Kukës, (e vë në thonjëza, pasi ende nuk ka përfunduar gjykimi për këtë punë), por e shoh që flet me një xhelozi të theksuar, kur citon se me këto të ardhura do të ishin bërë, këto apo ato ndërtime, pallate, ose rrugë etj.
Dua t’i kujtoj z. Braçe, se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, është në shërbim të demokratëve, ballistëve, social-demokratëve, socialistëve apo komunistëve, në shërbim të të gjithë shqiptarëve, këndej dhe andej kufirit. Është një rrugë që lidh dy shtete të të njëjtit komb dhe me të njëjtën gjuhë. Është në shërbim të lëvizjes dhe tregtisë së lirë mes Shqipërisë me shtetet e tjera. Nuk është pra, rrugë në shërbim vetëm të demokratëve.
Unë mendoj se, edhe nëse ka abuzime, duhet të lihet në dorë të Prokurorisë që të verifikohet. Por, dua t’i kujtoj zotit Braçe se, përveç kësaj rruge që po ndërtohet, e cila nuk kap vetëm veriun e Shqipërisë, por e ka zanafillën që në Durrës, a mund të na kujtojë se çfarë investimesh janë bërë në qytetin e Kukësit deri më tani, nga të gjitha qeveritë e deritanishme, që nga 1990-ta? I them që asnjë investim. As një suvatim pallati nuk është bërë. Dua të kujtoj se rruga Durrës-Kukës, në radhë të parë, do të shërbejë në zhvillimin e turizmit shqiptar.
Mos ndoshta duhet të jemi me parimin “ha e pi dhe tufa 100”, sepse kur han dhe pin, normalish që dhe “tufa” do të bjerë. Prandaj, duhet një gjuhë më e butë diskutimi, pasi rrugën Durrës-Kukës, shqiptarët në përgjithësi dhe kuksianët në veçanti, nuk e shohin në këndvështrimin politik, por në atë shoqëror, në shërbim të të gjithë shqiptarëve dhe, kam frikë se me këtë mllef që shfryn zoti Braçe, do të jetë një votë më pak.