E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një përmbysje moralesh

Nuk është romantizëm të besosh se arti mund të ndryshojë diçka. Kohërat kanë treguar se arti ka qenë gjithnjë paranojë e ndryshimeve. Por a mund të ndryshojë Franku V diçka nga ky realitet gati absurd i ditëve tona? Shfaqja e regjisorit Arben Kumbaro, që pati premierën disa ditë më parë në Teatrin Kombëtar, e "errëson" shpresën për ndryshim. Ndoshta për fatin se gjithçka është e zezë nga fillimi në fund. Vetëm muzika (element i ri ky në teatrin tonë realist) duket se i bën situatat më të thjeshta, duke treguar se një situatë e rëndë dramatike është thjesht e tillë dhe kalimi në një tjetër mund të jetë i lehtë. "Unë përpiqem të dëshmoj të vërtetat siç i shoh unë dhe jo balancat midis shpresës kallpe dhe të vërtetës institucionale. E vërteta e ngritur në art sot është shpresa më e madhe për progres në jetën tonë nesër", thotë Kumbaro. Shteti i gangsterëve që Durrenmat ndërtoi në vitet ‘60 ishte i tillë. Por Kumbaro kërkon t‘i flasë nëpërmjet gjuhës së Durrenmat realitetit ku ai jeton, i bindur se roli i teatrit ky është, të thotë të vërtetën. "Këtu kodet e moralit duhen përmbysur", thotë ai.

Më poshtë, regjisori në një intervistë rrëfen diçka më tepër për mënyrën sesi e risolli "Franku V" në skenë politikën, teatrin dhe shoqërinë…

Durrenmat, më në fund, në skenën e teatrit. Si ndiheni?

Ndihem mirë me njerëzit që më rrethojnë. Më në fund u thashë një të vërtetë të madhe, që pak njerëz kanë guximin ta thonë me zë të lartë: amoralitetin e skajshëm në të cilin jeton shoqëria shqiptare. Pa dyshim u përpoqa të mos e thosha në mënyrë të dhunshme e banale, por nëpërmjet artit. Shoqëria shqiptare jeton pasojat amorale të një sistemi krejtësisht të gabuar, të bastardimit të dhunshëm të sistemit të vlerave të hapave të parë të komunikimit me botën, të hapave të parë të ekonomisë së tregut, ku emocionet njerëzore janë krejtësisht minimale, ku sensibiliteti, humanizmi, respekti ndaj individit dhe të drejtave të tij pothuajse nuk ekzistojnë dhe dhuna është e prekshme në çdo hap. Në tronditemi kur na del ndonjë kërpudhë e flaktë para syve, por atë kërpudhë të flaktë e kemi në çdo ditë të jetës sonë, në biseda, në punë, në raporte të ndryshme të jetës sonë. Është tepër e vështirë të besosh se në këtë vend ekziston hapësira për drejtësi, që ekziston hierarkia e vlerave e pavarura nga politika dhe është shumë e vështirë të besosh që në këtë vend ekziston respekti për të vërtetën, apo për atë që punon. Është një kaos dhe në këtë kaos fiton më i forti, më i dhunshmi, filozofia e vandalit. Po. Unë doja t‘i thosha kësaj shoqërie atë që njerëzit ia thonë njëri-tjetrit nëpër kafe dhe pëshpëritin kudo. Kam dashur t‘i them me zë të lartë, pa fyer njeri, dhe këtë mund ta bëja vetëm nëpërmjet artit.

Në një kohë kur flasim që teatri jonë është i vogël, nuk është ai i duhuri etj., ju vendosni të ngjisni në skenën e këtij teatri një vepër jo të lehtë. Ishte sfidë Durrenmat për ju?

Padyshim që ishte një sfidë. Por mbi të gjitha sfidë me qëndrimin qytetar. Unë e konceptoj kështu, që krijuesi mbi të gjitha është qytetar, është civil, është një njeri që jeton në një shoqëri që ka nevojë të prekë dorën njerëzore dhe t‘i shohë njerëzit drejt
në sy... Dhe këtë lloj obligimi më mirë se çdo gjë tjetër mund ta sjellë arti. Në sallën e teatrit njerëzit pa kuptuar forcërisht mblidhen për të parë në skenë disa ide, që mund t‘i bashkojnë në mënyrë të vullnetshme. Dhe nuk ka gjë më të fuqishme dhe imponuese se të përjetosh një të vërtetë në mënyrë kolektive. Ne i përjetojmë të vërtetat nëpërmjet gazetave, nëpërmjet televizionit, internetit në mënyrë individuale, por t‘i përjetosh të vërtetat në mënyrë kolektive efekti është i jashtëzakonshëm në ndërgjegjen e njeriut. Dhe nuk është i dukshëm, pasi ajo ndodh në nëndijen e tij. Unë nuk jam për një shfaqje kur njerëzit të qeshin, të duartrokasin fuqishëm, unë jam për një shfaqje kur
njerëzit të ikin në shtëpi të kënaqur me përjetimin estetik e emocional dhe të nesërmen të kujton përsëri për pjesën që kanë parë. Unë nuk dua të bëj një shfaqje që harrohet sa del nga salla. Kam nevojë që pas disa kohësh njerëzit të kujtohen sërish për këtë shfaqje. Nëse e kam arritur këtë, them se kam
sfiduar idenë fillestare timen.

Franku V dhe Shqipëria. A nuk mendoni se Durrenmat
është pak i egër në të vërtetat që thotë?

Nuk është i egër. Ai thotë në vepër ato gjëra që njerëzit as mes njëri-tjetrit nuk guxojnë t‘i thonë, por i mendojnë. Në kohën kur Durrenmat i krijoi në Zvicër, quhej si ato zogjtë e vështirë që pëgërin në çerdhen e tyre. Ishte një autor që thoshte të vërteta të dhimbshme për vendin e tij shoqërinë e tij. Ai tallej pafundësisht me to dhe kritika ka qenë shumë e egër me të. E kanë akuzuar disa herë. Vetë Franku V ka qenë shumë herë i debatuar fort, dhe për arsyen e raportit që ai ka me religjionin, siç është skena e vdekjes së Bekmanit. Njëherë Durrenmat e ka ndaluar
veprën, e ka lënë në gjysmë, pasi nuk binte dakord me drejtorin e teatrit që donte ta censuronte veprën. Ka qenë një njeri totalisht i lirë. Pavarësisht se ishte kundër shumë ideve të kohës, ai ishte një njeri jashtëzakonisht i respektuar jo vetëm në vendin e tij, por në të gjithë botën. Është një nga autorët
gjermanofolës më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit XX.

A jeni dakord me etiketimet që i bëhen shpesh këtij autori si komunist?

Nuk mund ta quash komunist Durrenmatin, pasi ai është një vazhdues entuziast i koncepteve të Brehtit për teatrin, por një mohues kokëfortë i ideologjisë klasore që Brehti mbronte. Ai ka qenë i shpallur si një antikomunist. Vetë "Franku V" ka qenë një vepër e shfaqur në shumë vende të Lindjes në kohën e komunizmit me shumë sukses, me qëllimin për të përmbysur sistemin. Ai nuk ka pasur bindje marksiste. Ai ka qenë një njeri që besonte në demokraci dhe në ekonominë e tregut, por në disa parime shumë më njerëzore dhe humane se sa një kaos i tregut të lirë.

Ju besoni në një teatër të angazhuar, në një teatër që mund të jetë në opozitë me shoqërinë, politikën, të jetë ideator i një përmbysjeje sistemesh?

Këtu nuk ka nevojë për një përmbysje sistemesh. Në Shqipëri ka nevojë për një përmbysje moralesh. Kodet e moralit duhen përmbysur. Njerëzit janë të ngopur me filozofinë se "kjo nuk ndreqet më", apo "se kështu kanë bërë të gjithë". Gjithmonë, në çdo moment të jetës njerëzore, kur kanë lulëzuar këto lloj tendencash për të justifikuar të drejtën me të cilën njerëzit jetojnë, ka pasur shkëndija ku njerëzit kanë nisur të shohin dritë në fund të tunelit. Dhe në mënyrë jo të dukshme, por të themeltë, shoqëria ka filluar të evoluojë për ndryshe. Vetë skena e vdekjes së prokurorit Bekman është simbolikë e idesë së riciklimit të krimit. Nuk mund të bashkëjetojë qenia njerëzore me amoralitetin dhe të keqen vazhdimisht. Edhe shoqëria shqiptare, pavarësisht kohës së shkurtër të demokracisë prej 17 vitesh, ka një diagram zhvillimi të jashtëzakonshëm, ku e ku korrupsioni dhe amoraliteti i viteve ‘90 me korrupsionin dhe amoralitetin e kohës së sotme, që është dukshëm i dhunshëm e shumë më i sofistikuar e jo aq vrastar. Para 10 vitesh shqiptarët nisën të vrisnin njëri-tjetrin nëpërmjet piramidave, sot nuk mund të ndodhë më kjo gjë. Ka një evoluim pozitiv, por shoqëria shqiptare ka nevojë për një alla ‘68, ka nevojë për një kthesë 68. Revolucioni i të rinjve të ‘68-ës ishte një revolucion i madh kulturor në të gjithë Perëndimin. Vetë Lindja ka nevojë për një kthesë të tillë. Nuk është vetëm Shqipëria. Po të shikosh të gjitha vendet e Lindjes post-komuniste, mund të ndjesh që demokracia, apo të drejtat e njeriut, janë ende përralla që tregohen nëpër gazeta. Dhe gjërat reale janë tjetër gjë. Unë mendoj se kjo do të vijë natyrshëm, të gjithë së bashku mund të marrim një kthesë. Kënga e të rinjve në shfaqje provokon pikërisht këtë ide.

Ju besoni se teatri mund të ndryshojë diçka?

Unë kam besuar vazhdimisht. E di që jam një romantik i sëmurë, por kam besuar vazhdimisht në aktet publike. Dhe teatri është një akt publik. Është e vështirë të thuash që mund të ndodhin këto gjëra, por unë besoj. Në momentin kur nuk besoj, unë duhet të shkoj në vetëvrasje, por unë nuk mund ta bëj dot këtë.

Le të flasim sërish për Durrenmatin. Çfarë ka te ky autor që ju provokon vazhdimisht?

Ka një histori që unë kam qenë një i dashuruar dhe i çmendur si shumë të tjetër për të ndërruar sistemin në ‘90-ën. Dhe unë me këtë pjesë kam një histori, të cilën e vura në Shkodër, me idenë për të nisur revolucionin në Shqipëri. Shfaqja e parë e premierës atje ka qëlluar me demonstratën e parë në Shkodër. Demonstrata në rrugë, demonstrata vinte në teatër. Mbaj mend që në shfaqjen e dytë a të tretë ka qenë Arben Brozi, me të cilin kam biseduar dhe dy ditë më vonë atë e vranë. E kujtoj si një të ri pasionant. Shfaqja ishte një thirrje kundër sistemit. Vetë Franku dhe Lady ishin një imitim i hapur i Hoxhës dhe i bashkëshortes. Ka qenë më se e dukshme dhe ishte kundër gangsterëve që drejtonin shtetin. Për shumë arsye e gjeta sërish aktuale dhe nuk është se unë u dashurova me estetikën e Durrenmatit. Por unë u pasionova me një fabul dhe disa ide që i flasin shumë këtij realiteti dhe unë kam shumë nevojë të flas me një formë tjetër. Dhe e vetmja mënyrë që mund të dëgjosh, është të bësh një akt artistik shumë të vështirë në përpjekjen e tij. Kjo ka qenë arsyeja që fjalën time desha ta realizoj nëpërmjet një akti të civilizuar, më të civilizuar seç bën politika në të gjitha kahet apo dhe media.
Pastaj, çështja e rezonancës ka të bëjë dhe me kulturën e komunitetit ku t‘i jeton. Jo se do të ndryshojnë gjërat, por mjafton t‘i bësh njerëzit të mendojnë, duke i provokuar estetikisht në një univers tjetër, të krijuar enkas të ngjashëm me të tyrin...

Gjithçka që vjen nga Franku V të bën të dëshpëruar për atë çfarë ndodh jashtë teje. Ne jemi të pacipë, nuk kemi moral. Pse kaq i ashpër?

A nuk është më i ashpër një mjek që thotë gënjeshtra, nëse një njeri është i sëmurë. Më thuaj kush është më human: një mjek që thotë të vërtetën, apo një që të gënjen?

Ju keni operuar me një teknikë tjetër në këtë vepër, larg skemës së teatrit realist, që jemi mësuar të shohim në teatër...

Kjo vepër nuk ka të bëjë aspak me traditën e teatrit realist që mbisundon në teatrin shqiptar. Unë përpiqem të krijoj magjinë që ta bëj tjetrin të mendojë dhe të mos e emocionoj deri në ekstrem. Kjo lojë që unë bëj me spektatorin është shumë diabolike. E bëj aktorin nga momenti i angazhimit të fuqishëm të fillojë të këndojë një këngë, duke u zhvendosur estetikisht në një univers tjetër. Dhe t‘i kupton se ai është një personazh që ka një dramë, por që mund të këndojë e reflektojë nëpërmjet refrenit të dramës së tij. Kjo të bën të mendohesh. Duke e veshur me elementë koreografikë, një kostum të çuditshëm që është "gjithkush dhe askush, në një skenografi gjithkund dhe askërkund", ka qenë "marifeti" apo aksioma e kësaj vepre. Në mënyrë që sa më shumë njerëz të shohin botën e tyre brenda një hapësire që s‘ka kufij, limite dhe mure. Është një gjë e vogël skena, por është një dritare nga e cila ti sheh gjithë botën. Këto konvencione duhen vendosur me shumë saktësi, në mënyrë të tillë që ta
rrëmbesh publikun, ta bësh të mendojë të reflektojë, që është qëllimi kryesor. Sfida kryesore e procesit artistik ka qenë çështja e masës. Sa, si, ku?

Si ka qenë bashkëpunimi me autorët e tjerë të veprës dhe aktorët?

Kam pasur bashkëpunëtorë profesionistë shumë të mirë që më kuptuan që në bisedat e para. Nëse kjo vepër ka sukses, unë gjithçka e ndaj me ta, autorë, aktorë, instrumentistë. Ka qenë një punë e përbashkët laboratorike e stërhollë dhe tepër e kujdesshme. Shfaqa është e punuar deri në detajet më të holla. Genc Shkodrani ka bërë një punë të paharrueshme si rrallë herë në historinë e skenografisë shqiptare. Anila Zajmi, me një talent sfidues në realizimin e kostumeve, luajti paradoksin e asaj që të ofron vepra në leximin e parë. Në leximin e parë vepra të ofron personazhe në ngjyrë, në një dekor me bazë të zezë. Është realizuar krejtësisht e kundërta: personazhe me bazë të zezë në një dekor të ngopur në kolor, gjë që i shërben groteskut. Mbi të gjitha, dekori është një makinë teatrale dhe jo një element dekorativ. Hapësirat e vogla në të cilat ndryhen personazhet hera herës brenda tij janë pjesë përbërëse të klaustrofobisë nga e cila ata vuajnë. Marrëdhënia e dramës dhe personazheve me imazhin ku ata vendosen krijon homogjenitet dhe zhvendosje harmonike të vendeve të veprimit pa artifice blackauti.

Puna me elementët muzikorë ka qenë një kontribut shumë i çmuar në vepër nga kompozitori Endri Sina dhe drejtuesi i orkestrës, Mario Deda, një bashkëpunëtor i palodhur e me talent, së bashku me orkestrën e tij. Në këtë kuptim, vepra është historike. Është hera e parë në historinë e teatrit shqiptar që kemi një vepër muzikore në teatër: 13 këngë.

Prevazi ndërtoi një koreografi fine e funksionale. Ajo nuk është as ilustrative dhe as e tepruar. Them se e kam gjetur gjuhën me të dhe ai më kuptoi shumë mirë.

Sa u takon aktorëve, kam vënë re me kënaqësi që në fillim se ata u pasionuan që në fillim me veprën, estetikën dhe idetë e saj. Si rrallë herë ata kanë bërë një punë kolosale, pasi përveç aktrimit dhe punës me rolin, shumë prej tyre ju është dashur edhe të këndojnë dhe të kërcejnë. Për arsye që mund të kuptohen, nuk mund të bëj dallime mes tyre, përveçse t‘i falënderoj publikisht të gjithë për sfidën që së bashku realizuam me këtë vepër të vështirë për çdo teatër në botë: F.Sela, L.Xhuvani, N.Licaj, B.Asqeriu, R.Trebicka, Y.Mujo, M.Malkaj, V.Toce, N.Shundi, S.Braho, O.Dako, M.Bitraku, S.Angjeli, M.Deda, A.Zeneli. Ata hapën një rrugë të re në teatrin shqiptar, nga e cila të tjerët do ta kenë më të lehtë për të kaluar. Një sfidë tjetër, pavarësisht nervozizmit të mbingarkesave dhe vështirësive që shkakton procesi i punës, është se pas shumë kohësh u punua me një komunitet të madh artistësh. Ky është një ndër produksionet më të mëdha në historinë e teatrit shqiptar. Kjo rrit ndjesinë e komunitetit dhe bashkëjetesën artistike, pa të cilën teatri vdes, nuk ekziston. Të dialogosh në mënyrë të civilizuar, është alfa e të bërit teatër.

E gjithë shfaqja ka vetëm tone pesimiste ndaj sistemit korruptiv, njerëz të shitur, dhe nuk shihet në të aspak shpresë për ndryshim ose optimizëm. Përse nuk i keni lënë një shteg optimizmit ose ndryshimit në këtë vepër?

Pyetje me vend për publikun e gjerë dhe ata që shohin të ardhmen përmes semiotikës së fund-filxhanëve të kafesë alla-turka. Në fund të fundit, unë kështu e shoh realitetin ku jetoj. Nëse ka ndonjë që e sheh ndryshe, le të shprehet. Asnjërit nuk i mohohet e drejta e fjalës. Çështja është që fjalën tënde duhet ta thuash me art. Këtu ndodh diferencimi dhe mundësia e të dëgjuarit të fjalës që ti thua. Jo të gjithë dinë ta bëjnë këtë punë... Unë përpiqem të dëshmoj të vërtetat siç i shoh unë dhe jo balancat midis shpresës kallpe dhe të vërtetës institucionale. E vërteta e ngritur në art sot është shpresa më e madhe për progres në jetën tonë nesër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›