E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i ri qeverisës, të gjitha premtimet e Berishës



Kryeministri Sali Berisha u prezantoi mbrëmë shqiptarëve nga podiumi i Parlamentit projektin e ri qeverisës 2009-2013 me afro 100 premtime, të cilat do të gjejnë zbatim gjatë 4 viteve të ardhshme. Duke e cilësuar qeverinë e tij si qeveri të vogël, Berisha siguroi qytetarët shqiptarë përgjatë 90 minutash fjalim se ekzekutivi i ri është Shqipëria evropiane dhe efiçenca në çdo fushë. Para deputetëve të rinj, Berisha përmendi se qeveria e re nis punën në rrethana më të favorshme, por projekti që do të zbatohet, është shumë kompleks dhe i vështirë. Sipas tij, Shqipëria evropiane nuk është një bulevard i shtruar për ne, është një ëndërr e bukur, por shndërrimi i saj në realitet është një univers i tërë reformash, ndryshimesh që duhet t'u garantojmë qytetarëve shqiptarë. Z. Berisha gjatë leximit të afro 40 faqeve bëri të ditur se prioritet në programin e ri qeverisës do të jenë reformat institucionale, respektimi i të drejtave të çdo qytetari, heqja e favoreve për administratën dhe lufta me tolerancë zero kundër korrupsionit. Një tjetër pikë e programit të qeverisë së re ka qenë lufta kundër varfërisë. Në fjalën e tij, Berisha është zotuar për hapjen e vendeve të reja të punës. “Do të rritim nivelin e jetesës së shqiptarëve, do të synojmë nxjerrjen nga mjerimi të çdo shqiptari dhe rritjen e të ardhurave ditore në 2 dollarë në ditë”, - theksoi Berisha. Kryeministri vuri në dukje se qeveria e re do të hapë vende të reja pune, në mënyrë që të luftojë varfërinë. Berisha ka premtuar zhvillimin e infrastrukturës rrugore. Sipas tij, gjatë mandatit të dytë qeverisës do të përfundojnë shumë rrugë të reja. “Janë edhe 7 mijë kilometra rrugë të reja gjatë këtyre viteve, duke shkurtuar në këtë mënyrë dhe distancën e largësisë me kryeqytetin. Do ndërtojmë portin e Vlorës, do shtrijmë linjë hekurudhore me Maqedoninë e Kosovën, deri në 2012 do të përfundojë ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës”, - nënvizoi Berisha si projektet më të rëndësishme të viteve në vazhdim. Kryeministri e cilësoi turizmin si shkallën kryesore të ekonomisë. Ai premtoi heqjen nga tregu të naftës D2, rritjen e prodhimit bujqësor. Në fushën e arsimit, Kryeministri Berisha premtoi ndërtimin e shumë shkollave të reja në të gjithë vendin. Berisha premtoi respektim të lirisë së medias, duke theksuar se gazetarët do të jenë të lirë të shkruajnë. “Shqipëria është vendi që do të ratifikojë marrëveshjet e rëndësishme me vendet evropiane. Reforma institucionale, respektimi i ndarjes së pushteteve, transparenca e gjyqësorit, transparencë në kontrollin e gjykatave, lufta kundër korrupsionit mbetet përparësi e kësaj mazhorance”, - u shpreh Kryeministri. Duke theksuar arritjet e qeverisë së kaluar në fushën e arsimit, Berisha nënvizoi se objektiv i qeverisë së re është arsimimi i brezit të ri. "Lufta kundër analfabetizmit do të jetë Alfa e punës sonë në sistemin arsimor". Për sa i takon çështjes së pronave, Berisha premtoi zgjidhje të saj brenda vitit 2010. Kreu i qeverisë vuri theksin në reformat, një pjesë e tyre kanë nisur në katër vitet që lamë pas, si dhe punësimin e shqiptarëve dhe rritjen e pagave pensioneve, sigurimet shëndetësore, arsimin etj. Ai u shpreh i bindur se koalicioni do të funksionojë plotësisht sipas votëbesimit që dhanë shqiptarët më 28 qershor, duke nisur fillimisht, nga lëvizja e lirë e shqiptarëve në BE. “Me këtë përgjegjësi historike, ky koalicion i gjerë i jep jetë dhe mbështet Qeverinë e Integrimit Evropian dhe angazhohet për vazhdimin me hapa të sigurt dhe ritme të përshpejtuara të proceseve integruese me synimin e përgatitjes për anëtarësim të Shqipërisë, brenda mandatit katërvjeçar të kësaj qeverisjeje dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në hapësirën “Shengen” brenda vitit të parë të mandatit qeverisës”, - tha Berisha. Ai nuk harroi të ftonte opozitën në Kuvend, duke premtuar një bashkëpunim të thellë me të në të gjitha fushat. “Mazhoranca është e gatshme të diskutojë e bashkëpunojë me opozitën për të gjetur rrugë, mënyra e mjete për një forcim të roleve të Kuvendit, të opozitës dhe të çdo deputeti. Ne mirëpresim që opozita të vijë sa më shpejt në Kuvend dhe të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm në arritjen e këtyre synimeve”, - ftoi Kryeministri. Njëkohësisht, z. Berisha siguroi votuesit e LSI-së se programi i tyre do të gjejë zbatim të plotë. Programi i qeverisë përmban qindra prioritete, duke përfshirë brenda tij të gjitha reformat dhe problematikat e tij. Kryeministri foli për të gjitha reformat që do të bëhen në katër vitet e ardhshme, si dhe rritja ekonomike e vendit e cila përkthehet në 160 mijë vende të reja punë, rritje pagash dhe pensionesh, rritje e investimeve në arsim, sigurime për të gjithë në shëndetësi, infrastrukturë e re dhe 7 mijë km rrugë të reja etj. Programi përmban zgjidhen e çështjes së pronësisë si dhe të ish-përndjekurve politikë. Parashikohet zvogëlim i administratës dhe zbatimin e ligjit për dekomunistizimin e saj. Parashikohet ulje e mëtejshme e taksave në shumë fusha si dhe në uljen e mëtejshme në burokracive, përdorimin e internetit si dhe në penalizmin e rëndë të korrupsionit.

Pikat kryesore të programit të qeverisë “Berisha 2”

1-Kuvendi dhe deputetët

Mazhoranca do të kufizojë imunitetet, të shtojë fondet dhe mjetet në dispozicion e modernizojmë e forcojmë administratën në shërbim të Kuvendit, të shkurtojë privilegjet e pamerituara dhe shpenzimet e padobishme. Ligj për financat e partive.

2-Drejtësia

Përmirësimi i infrastrukturës e teknologjisë në gjykata e prokurori, rritja e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, forcimi i përmbarimit shtetëror e privat, nxitja e formave alternative të ndërmjetësimit dhe arbitrimit, përmirësime të përshtatshme të kodeve ligjeve materiale e procedurale civile, penale e administrative, përmirësime ligjore mbi rolin e avokatisë, noterisë, ekspertizave sektoriale, përmirësimit.

3-Administrata

Qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë. Do të reduktohet administrata me 10% dhe shpenzimet administrative 25%, një kursim prej 35 milionë dollarësh në vit. Ngritja e Universitetit të Administrimit Publik. Do të zbatohet ligji për dekomunistizimin e administratës. Penalizime të rënda për zyrtarët e korruptuar.

4-Ekonomia, punësimi, pensionet

Ekonomia shqiptare dhe t’i rikthehet ritmeve të larta të rritjes ekonomike që në vitin 2010. Kjo do të mundësojë punësimin e 160 mijë qytetarëve. Deri tani janë investuar 5 miliardë euro në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve. Rinia do të jetë prioritet, në punësimin e tyre, dhe ndihmë në strehimin e çifteve të reja. Interneti me bandë të gjerë do të sigurohet në të gjithë vendin në vitin 2012.

Pensionet do të vazhdojnë të rriten me një ritëm mesatar 10% për qytetin dhe 15% për fshatin, ndërsa të ardhurat do të rriten me 12-15% në vit duke arritur që në vitin 2013 krahasuar me vitin 2005 të jenë 50% më të larta duke rritur kështu aftësinë vetëmbajtëse të skemës së sigurimeve shoqërore. Paketa ka marrjen e pensionit të 13-të, transport falas, trajtim mjekësor falas, benefite për personat që u shërbejnë të sëmurëve të kësaj moshe.

5-Ulja e mëtejshme e taksave

Konsolidimi i modelit të taksës së sheshtë. Vazhdimi i reformës fiskale. Krijimi i lehtësirave dhe nxitësve të tjerë fiskalë. Zbatimin e një shkalle më të ulët të TVSH për shërbimet e mallrat e lidhura me arsimin dhe shëndetësinë. Reduktimi i tatimit mbi dividendin. Reduktimet për tarifat preferenciale që rrjedhin nga marrëveshjet e tregtisë së lirë. Reformimin rrënjësor në taksimin e pasurisë së patundshme duke nxitur punimin e tokës, shfrytëzimin efektiv të ndërtesave si edhe duke shkallëzuar shkallën tatimore për shtëpitë e para e ato të dyta. Kalim nga tarife fikse për m2 apo hektarë në % mbi vlerën e patundshmërisë.

6-Infrastruktura moderne

Në katër vitet e ardhshme do të ndërtohen rreth 7 më kilometra rrugë të të gjitha kategorive. Përgjysmimin e kohës së çdo fshati dhe zone në Shqipëri me Tiranën. Furnizimi me 24 orë ujë të pijshëm. Nderimi i çdo rruge në vend. Shkodër-Vlorë me katër korsi. Boshti i Jugut. Unaza e Tiranës.

7-Arsimi dhe shëndetësia

Shëndetësia do të jetë ndër reformat e para që do të kryhet. Do të rritet me 60% buxheti i shëndetësisë, praktika të sigurta dhe luftën kundër korrupsionit. Rritja e pagave do të vijojë. Do të hiqet TVSH-ja në shërbimet shëndetësorë. Sigurimet shëndetësore do të shkrihen tek të gjithë qytetarët shqiptarë dhe se qeveria shqiptare do të paguajë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Qeveria do të paguajë për ata që nuk kanë, ndërsa për të tjerët do të jetë e detyruar për të paguar një shërbim jetik.

Reformë tërësore kurrikulave. Numri i studentëve do të shkojë në 150 mijë deri në 2013 nga 115 mijë që është tani. Dyfishim për bursat që këtë vit. Në 15 universitet më të mirat të botës, qeveria do ta ndjekë çdo student që fiton të drejtë studimi. Do të vijojë rritja e pagave për studentët.

8-Pronësia dhe ish-të përndjekurit

Përveç kompensimit financiar, qeveria do të konkretizojë programe për forma alternative të riintegrimit në shoqëri të atyre grupeve dhe individëve të kësaj shtrese të shoqërisë që nuk kanë mundur të përfitojnë nga skemat e mëparshme të mbështetjes.

Në vitin 2010 do të dixhitalizohen tërësisht regjistrat e pronësisë dhe nga viti 2010 do të rritet ndjeshëm fondi fizik e financiar për kompensimin e subjekteve. Rikthimin e pronave në të gjitha rastet kur është e mundshme. Brenda 2010 reforma e plotë për titujt e pronësisë me ligjin 7501. Legalizimet do të mbyllen brenda shtatorit të vitit tjetër.

9-Integrimi

Lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën “Shengen” në BE brenda mandatit të parë të qeverisjes. Modernizimin e ushtrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›