Për reformat duhet të provohet formula e “pajtimit”
U mësuam me lajmin se Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka siguruar një fitore të madhe politike në planin e brendshëm për administratën e presidentit Barack Obama, duke e miratuar reformën shëndetësore, të cilën vetë zoti Obama e pati cilësuar si prioritet. Lajm shumë pozitiv, padyshim dhe për mijëra emigrantë të diasporës shqiptare. Ndërkohë përthyerja e këtij lajmi vetiu duhet të na bëjë të vështrojmë prioritetet që ka vendi ynë, përpara liberalizimit të vizave dhe hyrjes me të drejta të plota në BE.
Përshembull, prioritet i shpallur i politikës është reforma në drejtësi, e cila mbetet peng i nevojës së shumicës së cilësuar. Anekse të kësaj reforme janë gjykata administrative, e cila redukton arbitraritetin e shtetit mbi privatin, mandatin e ri të Avokatit të Popullit, anëtarët e rinj të Gjykatës së Kushtetuese dhe asaj të Lartë, etj. Por, për kalimin e ligjeve që mundësojnë reformimin e këtij sistemi, lipset njëfarë vullneti edhe nga opozita, e cila prej muajsh bojkoton Parlamentin, duke e bërë të pamundur miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar me 3/5-at.
Gjithashtu përveç projektligjeve të bartura nga legjislatura e kaluar, në korrik të vitit 2009, Qeveria “Berisha1” ka paraqitur në Kuvend për miratim edhe një sërë projektligjesh për disa ndryshime në Kodin hekurudhor, Kodin doganor, Kodin ajror, Kodin rrugor, dhe Kodin detar. Sipas Kushtetes, të gjitha kodet miratohen me tre të pestat, çka kërkon jo vetëm pjesëmarrjen e opozitës ne Kuvend, por edhe konsensusin e saj.
Megjithëse situata politike pritet të acarohet më tej nga fillimi i mundshëm i “protestave”, në prag të liberalizimit të vizave (e kuptoj se nuk është momenti i duhur për të bërë provokime), kur nevojitet një bashkëpunim më i gjerë, dhe për këtë duhet një “pajtim pikëpamjesh”. Prandaj për të bërë mrekulli moderne duhet të përdorësh mjete primitive. Një filozofi e tillë ka gjalluar në traditën e virtytshme dhe fisnike të Kanunit, ku shfaqet paradigma shoqërore e “pajtimit të gjakut”, nganjëherë i domosdoshëm për mirë-funksionimin moral e shoqëror të një krahine a fshati. Norma e pajtimit sanksionohej kur i prekuri i falte “gjakun” dorasit, të ngujuarit në shoqëri.
Edhe në reformën shëndetësore që u miratua në SHBA u provua në terren formula e “pajtimit” sidomos brenda disa deputetëve demokratë që nuk ishin dakord qindpërqind me draftin e parë, pas një pajtimi idesh dhe disa rregullimeve të vogla u mundësua votimi në Kongres i reformës që do të hyjë në histori si beteja e parë e fituar e presidentit Obama. Sot, në Shqipëri, mund të duket një gjetje paksa arkaike, por formula e “pajtimit”, natyrisht me prerje moderne është në kohën e duhur dhe funksionale, teksa është pjekur ideja e daljes nga tranzicioni ekonomik, social e politik. Edhe problemi i “kutive” si të Rruzhdies, me alegori mund të kalohet se gruaja - në këtë rast Rruzhdia - nuk vritet për gjak. Në faljen e gjakut luan rol si madhështia e dhimbjes, po ashtu edhe drejtësia.
...