E Shtunë, 31 Tetor 2026

KARDINALI

Dokumentari për kardinalin shqiptar Mikel Koliqi, niste si poezi: fytyra e një shpirti brenda flakës së drithëruar të një qiriu. Ai jetoi gjatë, për të vuajtur shumë. Ai jetoi gjatë, për të vërtetuar mbijetesën. Ai jetoi gjatë, për të parë se Krishti u ngjall.

Ishte 84 vjeç dhe regjimi komunist e mbante në burg. Ishte lindur më 29 shtator 1902 dhe vdiq më 28 janar 1996 - plot 94 vjet për të mbërritur te liria. Dihet që, askush nuk e di të mbramen e vet. Ndodh që, gjithë jetën ke vuajtje dhe minutin e fundit ngadhnjim, Mikel Koliqi qe i tillë.

Lajmin e Selisë së Shenjtë dhe të Papa Gjon Pali II, për kardinalin e parë shqiptar, e bëri të ditur, më 30 tetor 1994, Nunci Apostolik Monsinjor Ivan Diaz, gjatë meshës së mbajtur në Katedralen e Shkodrës, ku Mikel Koliqi, pas shkollimit për 21 vjet, në Itali, në inxhinieri e filozofi, u rreshtua ushtar i fesë, u shugurua meshtar. Edhe me talent muzikor të spikatur, kompozoi melodramat “Rozafa”, shfaqja e së cilës u dha më 26 prill 1936; “Ruba e kuqe” më 19 dhjetor 1937; “Rrethimi i Shkodrës” më 1937; botoi më 1938 revistën “Kumona e s’Diellës”; dhe, më 1945, arrestohet menjëherë. Regjimi komunist e mbajti në burgime e internime plot 41 vjet.

Mikel Koliqi ishte atdhetar, i formuar si intelektual, besoi në Zot, i përkushtuar si klerik dhe, për shkak të të gjithave, jeta i erdhi kalvar mundimesh. Në fillim, Selia e Shenjtë i dha titullin “Monsinjor”, më 28 nëntor 1994. Papa Gjon Pali II e shuguroi kardinal. Atë ditë të madhe, në Selinë e Shenjtë, Mikel Koliqin truppakët, jeta e mundimeve të mëdha, nën veshjen e purpurt të kardinalit, e bënin me të veçantin ndër kardinalët. Me ndihmën e kanalit televiziv Telepace, të Vatikanit, Televizioni Shqiptar transemetoi drejtpërdrejt ceremoninë, madje edhe grimëherën kur Koliqi nuk u ndje mirë me shëndet. Por, ai, u kthye në Shqipëri, jetoi edhe dy vjet. Më 25 dhjetor 1996, Presidenti i Republikës, Sali Berisha i shkoi në shtëpi, për t’i dorëzuar personalisht dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Ky ishte nderimi i fundit që iu bë.

Po çfarë tha ai përpara mediave botërore?

“Papa më ka zgjedhë mue kardinal se isha ma i moshuemi” dhe “… titullin kardinal e ka marrë Shqipëri”.

Televizioni Shqiptar pati kohën e nevojshme dhe vëmendjen e duhur për të përfunduar dokumentarin teleleviziv për kardinalin e parë, qysh sa qe gjallë. Dhe, Kardinali pati mundësinë ta shihte me sytë e vet, ndërsa nuk lëvizte më nga shtrati. Pati fuqinë, t’i dërgonte përgëzimet për Televizionin.

Pas pak ditësh ndërroi jetë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›