Për rininë komuniste apo me ideale!? Si u këndua
Ata që e bënë luftën, tani na dalin që ishin partizanë, por të gjithë të rinj, të cilët nuk kishin në kokë komunizmin apo ardhjen e tij, por thjesht kishin idealin e çlirimit të vendit. Kështu ata edhe luftonin, edhe merrnin zjarr, por dhe përjetonin dashurinë.
Këtë nuk e zbulon ndonjë libër apo institucion që do të fshijë luftën partizane, por Teatri i Operës dhe Baletit, duke nxjerrë nga arkivi veprat e kompozitorëve që krijuan në atë kohë. Një prej tyre është Nikolla Zoraqi, i cili krijoi disa këngë partizane, por pa pasur parasysh glorifikimin komunist. Zoraqi është një prej kompozitorëve të brezit të tij që e përjetuan luftën si gjithë rinia evropiane, me vrull, me zjarr, me pasion prej të çmenduri për ta çliruar vendin, edhe duke sakrifikuar dashuritë. “Trupa jonë e baletit nëpërmjet këtyre pjesëve do të përfaqësojë vrullin rinor luftarak, shumë pozitiv drejt lirisë dhe çlirimit të vendit në atë kohë”, - thotë koreografi Agron Aliaj, i cili është dhe nismëtari i risjelljes në skenë të veprave të kësaj epoke, si evokim. Në kuadër të 65-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, koncerti vesh një pamje tjetër organizmi, duke shkundur pluhurin e shumë veprave partizane, të njohura në kohën e çlirimit. Një përmbledhje këngësh partizane, e shpërndarë në të paktën dy numra koreografik do të interpretohen mbrëmjen e 28 Nëntorit në TOB. Sipas koreografit, disa nga këngët që do të rikthejë në skenë janë “Rini, rini...”, “Ku e kam vajzën, ku e kam djalin”, “Na erdhën këta partizanë” etj. për të cilat ai nxjerr në pah cilësitë e rinisë asokohe. “Janë këngë të njohura partizane, ku pasqyrohen disa aspekte të vrullit të rinisë sonë. Përmes këtyre numrave do të përcillet forca e madhe shpirtërore e rinisë e cila luftoi për lirinë dhe çlirimin vendit”, - thotë Alia.
Në numrin e dytë, koreografi zbulon jo vetëm anën patriotike të Luftës Nacionalçlirimtare, siç veprohet zakonisht, por edhe atë “rozë”, dashurinë, jetën personale. Për të ilustruar këtë periudhë, ai vë në qendër dy personazhe reale, dy partizanët që vdiqën për luftë dhe dashuri. Me anë të gjuhës koreografike, Zaho Koka dhe Ramize Gjebrea ishin një çift që duheshin, por edhe luftonin së bashku në të njëjtën kohë. Fatkeqësisht, e dashura, Gjebrea vritet në luftë, ndërsa Zaho Koka, siç e shpjegon edhe vetë koreografi nga dëshpërimi doli në ballë të betejës derisa u vra edhe ai. “Me këtë numrin kemi tentuar të sjellim dramën e luftës. Partizanët e ilustruar janë një shembull i një drame të luftës, gjë që përpara nuk lejohej, përveç hyjnizimi i saj. Lufta kishte edhe anë negative, ekstreme si ndalimi i jetës personale dhe dashurisë. Kjo është një dramë e dhimbshme e dy të rinjve dhe çdo kompozitor do të kishte dëshirë të punonte për këta dy personazhe”, - thotë koreografi Agron Aliaj, ndërsa justifikon arsyen që ka hedhur dritë mbi këtë aspekt jetësor, duke thënë se “periudha e Luftës Nacionalçlirimtare nuk duhet parë vetëm si diçka e jashtme, por brenda saj ka pasur edhe shumë probleme, drama dhe pikërisht këto tematika që janë vërtet interesante, t’i marrim dhe t’i vëmë në jetë për të qenë sa më realistë karshi luftës”. Sipas tij, në skenë këta “partizanë” nuk do të shikohen skematikë, por të mbështjellë me një botë dhe lëvizje më afër bashkëkohores. Aliaj tregon se tema e luftës gjithmonë do ta ngacmojë artistin, ndërsa e trajton me këndvështrim bashkëkohor. Ndërkohë, vetë koreografi kujton se në kohën e çlirimit ishte vetëm dhjetë vjeç, por nuk heziton të tregojë përjetimin e luftës. “Në kohën e luftës kam qenë shumë i vogël, por mbaj mend një vrull të jashtëzakonshëm në ditët e çlirimit. Më kujtohet që në ato ditë lindnin lirshëm ëndrrat që kishim për të pasur një jetë të bukur plot fantazi. Dhe pikërisht në ato ditë dëshirat tona morën forma të qëndrueshme, duke na dhënë shumë vrull e pasion për të studiuar e për të rritur qëllimet tona që kishim”, - kujton Aliaj. Në koncert janë përfshirë pjesë të larmishme simfonike, me këngëtarë të ftuar lirikë dhe trupa e baletit po ashtu e konkretizuar me solistë të TOB-së, por edhe studentë të Akademisë së Arteve, ndërsa do të dirigjohet nga Ermir Krantja.