E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për sa mburrje kemi nevojë?

Raport pas raporti, midis administratës që (vetë)lëvdohet dhe publikut të gjerë, nganjëherë përfshirë edhe opozitën, hendeku i moskuptimeve vazhdon të thellohet. Një përgjigje më të pranueshme për këto zhvillime, do të ketë në verën e vitit tjetër, kur qytetarët do të japin verdiktin e tyre për qeverisjen aktuale. Sidoqoftë, ajo çka perceptohet në rrugë e sipër, është gjithaq e rëndësishme.

Një raport i Bankës Botërore për mundësitë e biznesit në rajonin tonë, është përcjellë këto ditë me shumë diskutime dhe kundërthënie. Në thelb, problemi është më i thjeshtë nga sa duket. Vetë përfaqësuesit e këtij institucioni, sapo kanë deklaruar publikisht, në prani të Kryeministrit, se janë vlerësuar ligjet, por jo rezultatet apo niveli i zbatimit të tyre. E vërteta është që dëgjojmë të lançohet kaq shumë reforma e regjistrimit të bizneseve; është pikërisht shtrati mbi të cilin ndërtohen disa nga mburrjet për klasifikime befasuese. Të parët në rajon; të dytët në botë!... Duhet thënë se tingëllon pak qesharake.

Nëse ka disa përparime, nëse disa shifra mund të përshëndeten, kjo është e natyrshme: fundja, asgjë nuk do të bënte për tre vjet një qeveri e lindur mes premtimesh e fantazish nga më të çuditshmet? Regjistrimi i një biznesi. Reduktimi i procedurave. A nuk është kjo më e thjeshta punë dhe arritje, që nuk e vlen të katapultohet kësisoj, siç bëhej dikur me... medaljet për ushqimet në vendin e tallonave? Për të kuptuar ngjitjet apo zbritjet në klasifikimet që bëhen për ekonominë dhe biznesin, duhet të vështrojmë më së pari rrugën e mëtejshme të subjekteve, që (lumturisht) kaq lehtë e marrin rrugën e biznesit. Klima për zhvillimin e biznesit është një term që shpreh shumë.

Përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, jo më larg se përpara disa ditësh, pohuan se klima e biznesit në Shqipëri është ende një shqetësim dhe një problem shumë i madh. Sipas ekspertëve të këtij institucioni, sektori energjitik dhe problemet e energjisë, janë po kaq të rënda. E nisur nga deklaratat e FMN-së, gazeta e njohur britanike “The Guardian” ka raportuar se ekonomia shqiptare ndodhet përpara problemesh shumë të mëdha, pavarësisht disa arritjeve të kryera vitet e fundit. Vlerësimet janë më se të sakta dhe në akord me të vërtetën - në fryrje e sipër - për sukseset në “nisjen e bizneseve”. “Klima e biznesit në Shqipëri, shkruhet më tej në këtë të përditshme, ka pësuar disa ndryshime formale, që kanë të bëjnë me procedurat për marrjen e lejes ose me pakësimin e numrit të dokumenteve që duhen paraqitur, por në thelb tregues të tjerë si zbatimi i kontratave, regjistrimi i pronës, marrëdhëniet me administratën fiskale, barra e taksave etj., janë në gjendje të vështirë”.

Paraqitja e procedurave si një bum apo si një realitet ekonomik, nuk është punë e paqme. Midis precedentëve për të kontrolluar sa më mirë ekonominë apo bizneset dhe gjendjes reale të këtyre të fundit, ka një dallim të madh. Realisht, shumë biznese po hasin vështirësi dhe pengesa. Jo më parë se dy ditë, përfaqësues të sipërmarrjes e kundërshtuan nismën më të fundit të Kryeministrit për të krijuar kushte që të ndiqen penalisht bizneset të cilat nuk përmbushin të gjitha detyrimet për sigurimet shoqërore. Një ndeshje tjetër është zhvilluar midis biznesit e qeverisë për gjobat dhe për kontrollin e tatimorëve mbi çdo ankesë të sipërmarrjes. Por nuk mund të anashkalohen as ngadalësimet dhe “prapakthimet” konkrete në ecurinë e bizneseve. “Megjithëse industria përpunuese përbën pjesën dërrmuese të eksporteve të vendit tonë, duke përfaqësuar 62.7 për qind të tij, gjatë këtij gjashtëmujori ka pësuar një rënie prej 6.5 për qind në nivel përfaqësimi”. Kjo thuhet në një informacion të Bankës së Shqipërisë, me titull: “Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008”. Po kjo lëndë vëren se deficiti tregtar gjatë këtij gjashtëmujori arriti në 1,2 miliardë euro ose 16.6 për qind më i lartë se periudha korresponduese e një viti më parë(!) Dhe më tej: “Bilanci i transfertave korrente, në fund të gjashtëmujorit të parë, u vlerësua në rreth 470 milionë euro. Peshën kryesore (rreth 79 për qind) të të ardhurave në këtë kategori, vazhdojnë ta zënë prurjet e emigrantëve shqiptarë me banim jashtë. Gjatë kësaj periudhe, këto transferta kanë arritur nivelin 435 milionë euro dhe kanë financuar me rreth 39.2 për qind deficitin tregtar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto transferta vlerësohen 7.3 për qind më të ulëta, pasi vihet re një zhvendosje e këtyre flukseve valutore, nga ato për përdorim korrent në formën e investimeve”.

Ca mburrje më shumë, askujt nuk i hyjnë në punë. As edhe vetë përfaqësuesve të pushtetit aktual dhe të partive politike që drejtojnë vendin. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Dardha e ka bishtin prapa”. Disa vëzhgues me të drejtë mendojnë se rritja e çmimeve, bie fjala, është një faktor që ka stimuluar rezultatet e mira në mbledhjen e të ardhurave tatimore. Edhe kjo na kujton se histeria e mburrjeve duhet frenuar njëfarësoj. Sipas raportit të të ardhurave për 8-mujorin (e vitit 2008) në lidhje me realizimin e TVSH-së, taksë që është e lidhur drejtpërsëdrejti me rritjen e çmimeve, bëhet fjalë për 1.4 miliard lekë më shumë se plani i 2008 ose rreth 66 për qind më shumë se realizimi i vitit 2007.

Po të vështrohet nga afër procesi, del se në 8 muaj tatimet kanë arkëtuar 1.3 miliardë lekë më pak se plani nga taksa të tilla si Tatim-Fitimi, i cili paraqitet me 220 milionë lekë humbje, akciza me 234 milionë lekë humbje, taksa e qarkullimit me 683 milionë lekë humbje, Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore me 165 milionë lekë humbje. Duke i vlerësuar në mënyrë më të përmbajtur arritjet ekonomike, sikundër edhe problemet e kësaj fushe, qeveria dhe partitë politike që janë në pushtet, do të kenë mundësi të kontrollojnë nivelin e reformave dhe performancën e vitit elektoral e të zgjedhjeve të ardhshme, që janë jetike për integrimin e vendit.

Përndryshe do të kemi papushuar një luftë me mullinjtë e erës dhe (palo)sondazhe si ai i këtyre ditëve, sipas të cilit qytetarët për pak sa nuk i kanë dhënë 90 ose 99 për qind partisë në pushtet(!) Vetëm budallai është gjithmonë i kënaqur nga vetja. Në mburrjet dhe demagogjinë që prodhohet me shumicë nga shumica, konstatohet më shumë sesa thjesht një kundërveprim ndaj sulmeve të opozitës apo kërkesave për më shumë mirëqenie e drejtësi nga publiku i gjerë. Nuk kemi nevojë për kaq mburrje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›