"Për shqiptarët, do të ishte më mirë një fitore republikane në SHBA"
Ju sugjeroj të shkruani diçka më tepër rreth zgjedhjeve në SHBA dhe kandidatëve, sepse nuk janë pa rëndësi për shqiptarët. Gjykoj se një administratë në USA e drejtuar nga Partia Demokratike, nuk është mirë për ne, kushdo qoftë ai/ajo kandidat. Pse? Sepse politika e jashtme që ndjek kjo parti, është një politikë e jashtme shumë pasive (e krahasuar me atë Republikane).
Kjo gjë, natyrisht, do t'i japë EU më shumë hapësirë në politikën e saj të jashtme. Është evidente që EU (sidomos për rrethanat e Kosovës pas pavarësisë) do të favorizojë Serbinë, për shumë arsye të ndryshme politiko-ekonomike.
Vetëm një administratë republikane mund të vazhdojë në hapat e hedhur deri tani në marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Gjithsesi, kjo duket paksa e paarritshme nga kandidati republikan, gjë që do të thotë se Serbia do të shihet me më shumë prioritet nga politika e jashtme perëndimore, duke filluar nga 2009.