E Diel, 1 Nëntor 2026

“Për shqiptarët ka nisur epoka e re, drejt ndërtimit të një të ardhmeje të sigurt dhe europiane”

Kryeministri Berisha përshëndet mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së

Imami: Jemi të vendosur të angazhojmë të gjitha energjitë në realizimin e objektivave të Aleancës

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e 1 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, se vendi ynë përmbushi një nga detyrimet më të mëdha të kombit, përmes reformave të thella dhe me përgjegjësi të plotë. Shefi i ekzekutivit shqiptar e konsideroi 2 prillin e 2009-ës si data më e rëndësishme në historinë e kombit, pas shpalljes së pavarësisë. Berisha u shpreh se për shqiptarët anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut do të thotë një epokë e re, e kalimit nga mbijetesa në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt që meritojnë.
“Anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut për shqiptarët do të thotë një epokë e re e kalimit nga mbijetesa në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt që meritojnë; në ndërtimin e një të ardhmeje mbi vlerat e lirisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje mbi një partneritet dhe aleancë të ngushtë me kombet më të zhvilluara të botës. Ndaj dhe unë sot dua tu shpreh mirënjohje të thellë të gjithë qeverive, kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe udhëheqësve ushtarakë të vendeve anëtare, të cilët mbështetën aq shumë vendin tonë në përpjekjen e tij të madhe, me reforma të gjithanshme, për të merituar një vit më parë anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Mirënjohje të thellë dua ti shpreh ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh W. Bush, i cili në vizitën e tij historike në Tiranë do të garantonte shqiptarët për mbështetjen e tij dhe të vendit të tij të madh për anëtarësimin e Shqipërisë. Mirënjohje të thellë dua ti shpreh Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama që do të mirëpriste dhe mbështeste anëtarësimin e vendit tonë, një vit më parë, në Samtin Strasburg- Kehl, në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në fjalën e tij ai do të shprehte vlerësimin më të madh për përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar një shoqëri të lirë, një shoqëri të bazuar në vlera dhe parime, mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë e vendeve anëtare të NATO-s, si dhe për të ndërtuar një ushtri të aftë dhe të denjë për të përmbushur me dinjitet dhe kompetencë misionin e saj”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, anëtarësimi në NATO nxiti qeverinë për një seri reformash të rëndësishme në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Kryeministri theksoi se nmë vitin e parë si anëtarë të NATO-s shqiptarët mund të numërojnë me krenari arritjet e qeverisë demokratike. Në këtë aspekt, Berisha vlerësoi realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si kushtin e themelor të funksionimit të lirisë dhe institucioneve demokratike.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një inkurajim i jashtëzakonshëm për institucionet e këtij vendi dhe për shoqërinë e tij, për të ndërmarrë reforma të gjithanshme dhe transformuese, por dua të theksoj se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë në vetvete një nxitje shumë e madhe. Në rast i kthejmë sytë dhe analizojmë, në vitin e parë si aleatë të NATO-s ne mund të numërojmë me krenari arritje të shumta, më të shumta se në histori tjetër. Në vitin e parë të anëtarësimit në NATO Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht themelor i funksionimit të lirisë dhe institucioneve të një vendi demokratik”, tha Berisha.
Lidhur me hapat që po ndërmerr qeveria shqiptare, porsa i takon procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, kryeministri Berisha tha se ekzekutivi dhe parlamenti janë të gatshëm të realizojnë çdo reformë, për ta renditur Shqipërinë përkrah vendeve më të fuqishme të “botës perëndimore”.
“Ne angazhohemi njësoj siç u angazhuam në procesin e anëtarësimit në NATO, të marrim çdo vendim, të ndërmarrim çdo reformë, të miratojmë çdo ligj, të vendosim çdo praktikë që do të bëj të mundur që standardet e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian të gëzohen edhe nga qytetarët shqiptarë. Më 16 nëntor ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në emër të qeverive të tyre, vendosën për Shqipërinë si një vend i përshtatshëm për të ecur në rrugën e anëtarësimit të plotë. Mbi këtë vendim u bë dhe dorëzimi i pyetësorit prej 2284 pyetjesh, në të cilat ju keni dhënë kontributin tuaj me përgjigjet ndaj tyre. Në të gjitha institucionet e vendit, mbi këtë bazë dhe mbi këtë vendim, një nxitje të madhe mori edhe procesi i liberalizimit të vizave. Shqipëria u angazhua dhe është e angazhuar në reforma të gjithanshme. Autoritetet e këtij vendi do të punojnë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian me të njëjtin seriozitet dhe vendosmëri që punuan për anëtarësimin e saj në NATO”, shtoi kryeministri.
Duke u ndalur tek forcat e armatosura Berisha tha se ato kanë njohur zhvillime të reja, kanë thelluar reformat në të gjitha fushat dhe se janë përmbushur me përgjegjësi të plotë, kompetencë të plotë, të gjitha misionet që u ndërmorën gjatë këtij viti.
“Kjo ishte një dëshmi e shkëlqyer e aftësive tona si një ushtri aleate e denjë e NATO-s”, tha Berisha.
Kryeministri u ndal edhe te situata e brendshme politike e NATO-s.
Sipas kryeministrit, Aleanca është në prag të një reforme dhe se do ta kompletojë me sukses reformën.
Gjatë këtij aktiviteti, Kryeministri Berisha zhvilloi një bisedë telefonike me Komandantin e Kontingjentit shqiptar në Herat, Afganistan, major Sokol Pitaminën dhe Komandantin e Kontingjentit shqiptar në Bosnje, Ernest Prençin. Kryeministri Berisha u përgëzoi ata për përkushtimin dhe profesionalizmin me të cilin shërbejnë në këto misione.
Fjalë përshëndetëse në konferencën për NATO-n mbajti dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Ministri Imami tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk përbën fundin e procesit të reformimit të forcave të armatosura shqiptare, që përballen me sfida të reja.
Ai vuri në dukje se “janë zhvilluar një sërë reformash që kanë përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe kanë synuar krijimin e një force operative profesionale dhe të dislokueshme. Gjatë këtij viti ne kemi vazhduar në mënyrë intensive bashkëpunimin me NATO-n në të gjitha nivelet. FA kanë shënuar arritje të dukshme, duke qenë të ndërveprueshme me NATO-n. Ushtarakët shqiptarë në FA kanë vendosur të gjitha energjitë në realizimin e objektivave”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes tha se “1 vit pas anëtarësimit, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionet paqeruajtëse ku kanë marrë vlerësimet më të larta. Ushtarakët shqiptarë me profesionalizëm kanë marrë drejtimin e operacioneve paqeruajtëse. Po rritet gjithnjë e më shumë imazhi i ushtarakëve tanë në FA shqiptare”, tha ministri Imami.
Në rrafshin rajonal, ai garantoi se “Shqipëria do vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë, duke ndjekur politikën e dyerve të hapura për anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit në Aleancë. Kosova, shteti më i ri, është një histori suksesi me një orientim të qartë euroatlantik, që siguron paqe dhe siguri në rajon”, tha më tej në fjalën e tij përshëndetëse ministri i Mbrojtjes, Arben Imami

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›