Për të luftuar nanoistët, Rama varros parimin “një anëtar - një votë”

Parimi “një anëtar një votë” me të cilën kryesocialisti Edi Rama debutoi me ardhjen e tij në krye të Partisë Socialiste, me të cilin u krye mënjanimi i të gjithë mbështetësve të dikurshëm të ish-kreut historik të PS-së, Fatos Nano, përmes proceseve zgjedhore shpeshherë të ripërsëritura dhe nga i cili kryebashkiaku ka hequr dorë në mënyrë të habitshme, duket se është kthyer një instrument kundër tij nga ana e atyre pak zërave ndryshe që ende vegjetojnë në selinë rozë, ndonëse në çdo rast janë gjendur 2-3 vitet e fundit thuajse në periferi të zhvillimeve politike. Një nga themeluesit e Partisë Socialiste të qershorit 1991, Maqo Lakrori ka kërkuar dje që listat e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të partisë socialiste duhet të kalojnë me parimin “një anëtar një vote” dhe jo me emërim paraprak ashtu sikurse është vendosur që të kruhet. Përkundër gjuhës sektare që Rama ka përdorur në çdo forum të lartë vendimarrës, sa herë i duhej që t’u referohej kundërshtarëve të linjës së tij, Lakrori kërkoi që kjo parti të jetë e bashkuar në zgjedhjet e vitit 2009. Sipas tij Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste duhet që të nisë një proçes bashkimi të socialistëve duke e finalizuar këtë proces me një kongres, i cili do t'i përfshijë të gjithë. Sipas tij, socialistët nuk janë të çarë, por aktualisht janë të shpërndarë dhe për këtë kërkohet një proces konsultimi dhe gjithëpërfshirjeje, për t'i bërë të gjithë, të vjetër dhe të rinj në këtë parti, pjesë të një procesi që sipas tij do ndihmojë në fitoren e së majtës. Gjithashtu, Lakrori kërkoi një proçes ballafaqimi me anëtarësinë dhe simpatizantët e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Duke iu referuar zgjedhjeve në Amerikë, ballafaqimeve dhe garave brenda partive, Lakrori u shpreh se kandidatët duhet të përcaktohen nga vetë ata që do votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa kandidatët do të paraqesin në elektorat platformat e tyre. Kjo sipas Lakrorit do të garantojë fitoren e PS-së, pasi kandidaturat e saj do kenë kaluar më parë në filtrin e anëtarësisë dhe më gjerë, ndërsa do lehtësonte dhe mekanizimin e përzgjedhjes së tyre nga forumet e larta në PS. Shkrirja vitin e kaluar e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe krijimi në vend të saj i strukturës së Asamblesë Kombëtare të përbërë nga
160 anëtarë, në pjesën më të madhe të rinj mbështetës të “politikës së re”, shënoi edhe fazën përfundimtare, të paktën nga pikëpamja strukturore të reformave të brendshme që ka ndërmarrë në 3 vjet në Partinë Socialiste Edi Rama. Vetëm pak ditë nga krijimi i Asamblesë Kombëtare, të drejtuar nga ish-numri 2 PS për 15 vjet, Gramoz Ruçi që tashmë u rehabilitua nga damkosja që Nano i pat bërë në KPD-në e famshme të dhjetorit 2001 si “komunist i pareformuar”, duke u klasifikuar si “xhaketë e vjetër me shpirt novator”, u kontestua nga një grup deputetësh të grupit parlamentar socialist në drejtimin e Petro Koçi, drejtuesit të atehershëm të një lëvizje të pasuksesshme siç ishte ajo për Politikë Institucionale. Këta kërkuan nga kryetari i grupit Parlamentar, Ben Blushi, që t’i kërkojë Edi Ramës që jepte shpjegime për përbërjen e re të Asamblesë Kombëtare dhe se çfarë kriteresh janë përdorur për përbërjen e re të Asamblesë e cila kishte lënë jashtë mjaft figura të njohura socialiste. Këto kërkesa ishin shtuar edhe me herët, megjithatë Rama me dinakëri i ishte shmangur ballafaqimit duke munguar për afro dy muaj rresht në mbledhjet e grupit parlamentar. Ne këtë debat ndërhyri edhe vetë Partia Demokratike, Përmes zëdhënësit të saj Gerti Bogdani, PD shprehej se me emërimet në Asamblenë Kombëtare Socialiste, Edi Rama kishte arritur që të tjetërsonte dhe shtrembëronteë tërësisht identitetin e kësaj force politike
...