E Shtunë, 31 Tetor 2026

Safet Sula: PD-ja shkon në zgjedhjet e vitit 2009, nëpër një trase të filluar tashmë

“Unë besoj fort, se PD-ja do të jetë favoritja kryesore për të fituar zgjedhjet që vinë pasi rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme për të gjithë shqiptarët. Këto rezultate u bënë të dukshme që në ditët e para të ardhjes në fuqi të kësaj mazhorance, dhe shqiptarët nuk mund të harrojnë rezultatet spektakolare në kapjen e shumë bandave që ishin bërë tmerri i qytetarëve por jo vetëm, pasi unë mendoj se ne kemi shpëtuar edhe ato segmente të politikës që komandoheshin prej tyre. Tani edhe kjo pjesë e politikës mund të marrë frymë lirisht prej tyre pasi ata sot janë përpara drejtësisë”

Në zgjedhjet e ardhshme elektorale, arritjet e qeverisë Berisha do të jenë determinuese për një fitore të PD-së. Deputeti Safet Sula në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, tregon për këto parapërgatitjen e PD-së për në zgjedhjet e ardhshme elektorale, programin elektoral dhe prioritetet kryesore te tij si dhe komenton reformën elektorale.
Në mënyrë të pashmangshme, nga ky sukses derivon fakti që Sali Berisha duhet të jetë personi i cili edhe për një mandat tjetër do të promovojë procesit e mëtejshme të reformimit dhe demokratizimit të vendit, shprehet midis të tjerave në intervistën e rij deputeti Safet Sula, shprehet më tej deputeti i PD-së.
Ndërkohë sipas Sulës, qeveria ka përgatitur Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013, përmbajtja e së cilës reflekton edhe vizionet kryesore të programit të PD-së. Prioritetet kryesore të këtij programi lidhen me vazhdimësinë e reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria Berisha. Realizimi i mëtejshëm i reformimit të sistemit të drejtësisë, konsolidimi i mëtejshëm i shtetit demokratik, reforma e pronës, lufta kundër korrupsionit, investimi në infrastrukturë do të mundësojnë përshpejtimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike.
Vetë shqiptarët janë dëshmitarë të arritjeve të kësaj qeverisjeje.
PD është duke realizuar gjithashtu edhe zgjedhjet brenda partiake dhe organizimi i partisë bëhet në koherencë me të gjitha ndryshimet, shpjegon Sula midis të tjerave.

PD-ja është futur në procesin e zgjedhjeve partiake. Si po realizohet ky proces deri tani?
Si fillim PD është futur në procesin e zgjedhjeve në Parti nga baza e deri në organet e larta. Normale që kjo kërkon kohën e vet, dhe ky do jetë fokusi, organizimit sa më mire i këtyre zgjedhjeve, se një proces me cilësi në këtë etapë është garanci më pas për një fushate elektorale sa më të suksesshme. Natyrisht që tani kemi një Kod të ri Elektoral dhe organizimi i partisë duhet të shkojë në përputhje me ndryshimet e bëra. Këto ndryshime u paraprinë me ndryshimet kushtetuese që në prill, dhe dihej se do kishim një sistem elektoral proporcional rajonal.

Ndërkohë, ky vit konsiderohet si një vit elektoral. A mendoni se qeverisja e suksesshme e PD-së në këto vite është një fakt I rëndësishëm që e ndihmon PD-në të ketë më shumë siguri për fitore në zgjedhjet e ardhshme?
Unë do të thosha se arritjet e qeverisë së PD-së në këto katër vjet janë më shumë se një fakt i rëndësishëm, ato do të jenë determinuese për rezultatet zgjedhore të viti 2009. Një parti në pushtet realisht e fillon fushatën elektorale që në ditën kur fillon të qeverisë. Nëse një qeveri punon keq dhe nuk ka rezultate, nuk mund të shkojë para publikut në fushatë me punë virtuale, pasi çfarëdo që të thuhet, realiteti 4-vjeçar i qeverisjes ka lënë gjurmë të forta te publiku, dhe nuk mund të zhbëhen ato që janë bërë e të bëhen ato që s’janë bërë. Në këtë drejtim unë besoj fort, se PD-ja do të jetë favoritja kryesore për të fituar zgjedhjet që vinë pasi rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme për të gjithë shqiptarët. Këto rezultate u bënë të dukshme që në ditët e para të ardhjes në fuqi të kësaj mazhorance, dhe shqiptarët nuk mund të harrojnë rezultatet spektakolare në kapjen e shumë bandave që ishin bërë tmerri i qytetarëve por jo vetëm, pasi unë mendoj se ne kemi shpëtuar edhe ato segmente të politikës që komandoheshin prej tyre. Tani edhe kjo pjesë e politikës mund të marrë frymë lirisht prej tyre pasi ata sot janë përpara drejtësisë. Ne bëmë të mundur që në vitin e parë të qeverisjes tonë të kishim rezultate në fushën e doganave e tatimeve të pamenduara edhe nga organizma ndërkombëtare që na asistonin dhe kështu ne në çdo vit miratuam nga një buxhet shtesë në mes të vitit. Dhe ku shkuan gjithë këto para? Shqiptarët janë dëshmitarë për këtë se ata të gjithë kanë qenë përfituesit direkt të këtyre rezultateve, në dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, në kthimin e Shqipërisë në një kantier të vërtetë pune në ndërtimin e rrugëve si asnjëherë tjetër në historinë e këtij vendi por edhe në ujësjellës e kanalizime, shkolla, kopshte etj. Janë këto arritje por dhe shumë të tjera me dëshmitarë shqiptarët që do i japin fitoren PD-së, edhe ne një mandat tjetër. Shqiptarët nuk shohin asnjë arsye që të ndërrojnë këtë ekip qeverisës, për të ndalur hovin e reformave që shume shpejt do e bëjnë edhe Shqipërinë pjesëtare te familjes evropiane.

Në këtë kontekst, pra të parapërgatitjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si po funksionon procesi i hartimit të programit elektoral me të cilin PD-ja do të ballafaqohet me zgjedhësit?
PD është forca politike që drejton sot vendin, dhe si e tillë qeveria e saj ka përgatitur planin afatmesëm dhe atë afatgjatë të zhvillimit të vendit. Kjo qeveri ka përgatitur Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007 - 2013. Normalisht kjo strategji na zbulon edhe vizionin për katër vitet e ardhshme që është: një vend me nivel të lartë jetese, të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike, demokratik dhe garant të lirive e të drejtave themelore të njeriut. Ky vizion do përbëje dhe thelbin e programit elektoral të PD-së në fushatën e ardhshme elektorale, dhe unë besoj se kjo përbën një lehtësi për ne të gjithë, pasi ne do ecim në një trase të filluar tashmë, vetëm se duhet vullnet politik për të bërë realitet të gjitha objektivat që burojnë nga ky vizion. Kjo mazhorancë, dhe Kryeministri Sali Berisha kanë treguar deri tani një vullnet të palëkundur për t’u shkuar gjërave deri në fund, dhe rezultatet e deritanishme janë garanci për këtë.

Cilat do të jenë disa nga prioritetet kryesore të këtij programi elektoral të PD-së?
Prioritet kryesore të këtij programi do jenë reformat të cilat na afrojnë në mënyrën më të shpejtë të mundur drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike. Në pranverën e vitit që vjen besoj do të jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO. Konsolidimi i shtetit demokratik, reforma e pronës do të vazhdojë të jetë një nga përparësitë, lufta kundër korrupsionit, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe natyrisht ka ende vend për të punuar në infrastrukturë si në atë rrugore por dhe në ujësjellës kanalizime, por natyrisht dhe arsimi e shëndetësia do të jenë nga prioritet bazë pasi janë elementë bazë të shërbimit ndaj publikut dhe standarde që i kërkon rruga drejt Bashkimit Evropian. Po kështu mendoj se me mbarimin e rrugës që lidh në të vërtetë Shqipërinë me Kosovën, do të hapet një kapitull i ri i panjohur më parë midis vetë shqiptarëve që kanë jetuar për më se një shekull të ndarë. Besoj se këto marrëdhënie do të përbëjnë një prioritet të ri të Shqipërisë dhe shqiptarëve, e besoj kësaj mazhorance dhe Kryeministrit Sali Berishës i takon më shume se kujtdo t’i promovojë ato në një stad të ri.

Sapo është miratuar Kodi i ri Zgjedhor, i cili natyrshëm pati edhe kundërshtuesit e tij. Ju si deputet i PD-së, si e vlerësoni në përgjithësi procesin e reformës elektorale?
Reforma elektorale ka qenë një nga prioritet tona por edhe detyrim ndaj institucioneve ndërkombëtare që na asistojnë. Normale që kjo reforme duhej bërë në një konsensus sa më të madh dhe bashkëpunimi me PS ka qenë i detyrueshëm. Si i tillë, do të ishin këto dy forca politike që do i vinin vulën këtij procesi, që nuk mund të them se ka qenë i lehtë, por mendoj se është kurorëzuar me sukses. Normale që mund të ketë aktorë të tjerë politikë që kanë vërejtje. Problemi në fakt qëndron në kampin e majtë, pasi PS-ja nuk ka konsideruar LSI-në si faktor politik me forcën e vërtetë që ajo ka, por e ka rreshtuar si gjithë partitë e tjera të majta. E them këtë pasi edhe bërja e këtij kodi ose e çfarë do ligji, gjithmonë merr në konsideratë realitetin ekzistues, dhe ishte detyrë e PS-së të vlerësonte situatën në kampin e majtë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›