E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për ujdirat ujërat rrjedhin

Mjeshtëria e oratorëve është e lidhur ngushtë me emrin e Aristotelit dhe me punimin ‘Retorika’, ku ai shënonte bazat e artit të të deklamuarit.
Prej aq sa ka mbetur deri në ditët e sotme nga ky punim (dhe sa më shumë u largohesh disa objekteve aq më dominante duken ata), çdokush mund të veçojë edhe një këshillë, vlera e së cilës mbetet e provuar një, njëmijë, njëqindmijë herë: “Fjalimi është bindës atëherë kur do të paraqesë të vërtetën reale, ose të duket si reale në bazë të së vërtetës së çdo sendi a veprimi veç e veç”.

Politikanët e sotëm (së paku këta tanët) duket që nuk i kanë vënë ndonjëherë veshin kësaj këshille, madje s’e kanë hiç për gjë t’i drejtohen me plot dokrra publikut, i cili nga ana e vet bën sikur u dëgjon dhe aq më pak bën sikur u beson. Këtë e dëshmojnë intensivisht zhvillimet e viteve të fundit, kur pavarësisht krizës ekonomike globale, Kryeministri ynë u premton shqiptarëve çdo vit e më shumë një nivel jetese më të mirë dhe të ardhura të nivelit të mesëm e të lartë. Ndërsa, realiteti mes nesh paraqet të kundërtën, aq sa mazhoranca qeverisëse e ka bërë tani si rregull që çdo vit të rishikojë periodikisht buxhetin e shtetit, dy apo tri herë rresht. Sikurse e kanë bërë gjithashtu si rregull që të vjedhin edhe votat e shtetasve dhe të manipulojnë rezultatet e proceseve elektorale për zgjedhjen e vetvetes në organet e qeverisjes qendrore dhe vendore. Hidhuni një sy vetëm dy raporteve të Freedom House dhe të Bankës Botërore të bëra publike dje dhe nuk do ta kishit aspak të vështirë të orientoheshit në tablotë e paraqitura për Shqipërinë: Regres në demokraci dhe në qeverisje, zymtësi në treguesit ekonomikë, prapambetje fundore në hapësirat e Rajonit etj, etj.

Por, për t’iu larguar vështirësive më jetësore, me të cilat përballohen përditësisht qytetarët tanë, në këto radhë le të bëjmë një kompromis me politikanët në pushtet dhe me ca servilë të tyre – gjoja analistë, të cilët këto ditë po e shurdhojnë publikun me “të drejtën” e mazhorancës së përfaqësuar nga Kryeministri, për ta zgjedhur e votuar ata dhe vetëm ata Presidentin e ri të Republikës. Pra, në këto radhë le të mbetemi përsëri te kjo temë e ditës, duke kërkuar me qiri në dorë të vërtetën te fjalimet e Kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve e aleatëve të ngushtë të tij. Më konkretisht, tek ato çka Kryeministri kumtoi natën e së dielën, përpara gazetarëve, me fytyrë të ngrysur dhe me zyrat e Parlamentit pas krahëve. Ai vlerësoi rëndësinë e takimit, më së fundmi, me liderin e opozitës, duke e shprehur këtë rëndësi me përpjekjen për të rënë në një ujdi në zgjedhjen e Presidentit të Republikës, nëpërmjet shpalljes së një kandidati konsensual.
Sidoqoftë, kuptimi i ujdisë do të thotë që të bëhet një lëvizje nga pozicionet e mëparshme, apo në terma tregtarë – të ndryshohen disi hesapet, derisa të gjendet gjuha e përbashkët midis palëve. Pra, për ujdirat ujërat rrjedhin, nga poshtë edhe nga lart. Kështu, përderisa Kryeministri përmendi ujdinë, atë çast shumëkush mendoi, se diçka do të ndryshonte në qëndrimet e tij për këtë çështje. Do të reflektohej nga përmbajtja e letrës së dërguar prej Brukselit, apo nga ndonjë ndërhyrje diplomatike? Mos vallë shumë shpejt qenë zhvilluar vrullshëm perceptimet e vet liderit të mazhorancës për një arritje fillestare për marrjen këtë vit nga Shqipëria të statusit të Shtetit kandidat të BE – së? Sepse, tek e mbramja, atij mund t’i kishte ardhur ndër mend ajo që prej kohësh është bërë e qartë, se integrimi europian nuk është të qenit, por të bërit; nuk është një situatë e përftuar, por një proces i ndërtuar; nuk është një rezultat, por veprimet që duhet të çojnë në atë rezultat. Domethënë, kreu i mazhorancës parlamentare, njëkohësisht Kryeministër i vendit, nuk do t’u përmbahej më deklaratave deri të dy ditëve më parë, sipas të cilave, ai nuk do të takohej me kundërshtarin e vet, por do të mandatonte për bisedimet me opozitën rreth kandidaturës së PD – së për President dy anëtarë të tjerë të Grupit Parlamentar të drejtuar prej tij.

Por, nuk kaluan veçse pak orë nga përfundimi i takimit të orëve të vona të së dielës dhe mbase pak minuta nga dështimi apo konsumimi pa rezultat i votimit të dytë për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, kur Berisha mbledh Grupin e vet parlamentar dhe pas dyerve të mbyllura të sallës përkatëse u thotë deputetëve në mënyrë kategorike: “Nuk do të tërhiqem më, kam bërë shumë lëshime, duke kaluar nga një kandidat politik në një kandidat jashtë interesave partiake të PD”. Mirë, por çfarë lëshimesh kishte bërë, çfarë tërheqje e kishte munduar kaq shumë? Siç thamë pak më lart, për ujdirat ujërat rrjedhin. Në rrafshin e poshtëm, kjo rrjedhje metaforike nënkupton që kandidatura e propozuar prej Berishës përpara se ai të ulej në takimin ballafaques me Ramën, vetvetiu duhej të binte poshtë. Rrjedhimisht, kandidatura të tjera duheshin artikuluar me nisjen e një procesi bilateral mirëkuptimi, derisa të prezantohej ai i gjithëpranuari nga forcat politike dhe më dinjitozi për tërë Shqipërinë.
Ndërkohë, në këtë fjalim brenda Grupit parlamentar të PD – së, Kryeministri me sa kuptohet e mbështeti këtë piruetë të tij te bashkëpunimi qeverisës solid me liderin e LSI – së. “Me Metën – tha ai në fjalimin përpara deputetëve të vet – i qëndrojmë marrëveshjes bashkëqeverisëse dhe jemi në të njëjtën linjë për sa i përket kandidatit për deputet”. Por, le të kujtojmë përsëri se, për ujdirat ujërat rrjedhin, deri në kristalizimin e tyre. Pra, nuk rrjedhin paratë nga nafta e rëndë, e turbullt, që del prej puseve të “Albetrolit”. Një kompani kjo, për hapjen e tenderit të privatizimit të së cilës Kryeministri ka fiksuar datën 27 Korrik, domethënë vetëm pasi të ketë kapërcyer pragun e Presidencës kandidatura e tij. Dhe, nga burime të brendshme e të besueshme, konfidencialisht mësohet që në atë tender është projektuar kush do të jetë fitues. Ja, kësaj i thonë “Marrëveshje bashkëqeverisëse” e suksesshme. Dhe, prandaj, Meta pardje doli përpara kamerave dhe ligjëroi me bindje, se kandidatura e PD – së “përfaqëson standarde të larta për postin e Presidentit”, se “s’ka asnjë arsye të rëndësishme për të mos u pranuar apo për t’u kontestuar”.

Tani ende nuk dimë nëse kjo zbythje nga takimi i orëve të vona të së dielës e ka habitur apo jo ndonjë çikë Ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Arvizu, i cili në paraditen e së hënës mori kontakte me të dy protagonistët e atij takimi. Kjo pikëpyetje bëhet edhe më e madhe, përderisa pas kontakteve të tij u deklaroi gazetarëve, se ishte i kënaqur që të dy liderët politikë kundërshtarë janë të prirur të gjejnë konsensusin midis tyre. Pra, duke kujtuar përsëri atë që kemi themi qysh në titullin e këtyre radhëve, për ujdirat ujërat rrjedhin. Dhe, sytë nuk ulen vetëm përdhe, por edhe ngrihen lart. Andej nga Perëndimi, prej nga fryjnë erëra të reja dhe që pas reshjeve të të cilave pastrohet atmosfera. Kurse, të gjithë deputetët e mazhorancës mund të ngushëllohen, se nuk ka pse të dëshpërohen ngaqë mbeten deputetë edhe për ca kohë, përderisa nuk u arrit të shpërndahej Parlamenti pas përfundimit të dështuar të votimit të pestë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, sikurse parashikon Kushtetuta.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›