Për vërshimet, reagon KMLDNJ
(E plotësuar) Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë shprehë shqetësimin për gjendjen e familjeve të cilat pësuan nga vërshimet e ditës së djeshme në Prishtinë.
KMDLNj dje ka vizituar disa lagje dhe ka kontaktuar me banorë për të parë pasojat e vërshimeve të ditës së djeshme. Me këtë rast ka parë se një numër i familjeve ka pësuar dëme materiale në banesa, biznese dhe bujqësi.
Nga ajo që është parë dje del se dëmet më së shumti janë shkaktuar si pasojë e infrastrukturës së dobët dhe mungesës së mirëmbajtjes. Për këtë KMDLNj ka tërhequr vërejtjen edhe më herët, më saktësisht pas vërshimeve të vitit 2008.
Vërshimet kanë shkaktuar dëme në Lagjen e Spitalit, në Kodrën e Trimave, Fshatin Shkabaj, në disa rrugë të qendrës së qytetit etj. Sipas monitoruesve të KMDLNj gjendja më e rëndë është tek ato familja që kanë pësuar dëme në shtëpi banimi. Kjo për arsye se shtëpitë e tyre janë bërë të pabanuara dhe këto familje kanë nevojë urgjente për strehim.
Monitoruesit e KMDLNj po ashtu kanë parë se në këto lagje nevojiten një reagim urgjent për dezinfektimin e rrugëve dhe shtëpive që kanë pësuar sepse ujerat e zeza kanë shkaktuar ndotje e cila mund të paraqet rrezik për infeksione nëse nuk ndërhyhet.
Pas vërshimeve të djeshme rrugë të tëra në Kodrën e Trimave që nga dje janë pa energji elektrike.
KMDLNJ u bënë thirrje organeve të komunës së Prishtinës por edhe të gjitha organizatave humanitare që t’u ofrojnë një ndihmë emergjente këtyre banorëve. Organet e komunës së Prishtinës dhe kompanitë publike që janë përgjegjëse për shëndetin publik, ujësjellës-kanalizimet, rrymën dhe pastrimin e rrugëve duhet të reagojnë menjëherë. Strukturat komunale duhet të jenë më të përgatitura për të përballuar fatkeqësitë natyrore.
Nxjerrë të palarat
Shiu i rrëmbyeshëm që ra pasditen e së dielës në Prishtinë, nxori mbi tokë shumë të palara. Përveç që nxori faqen e zezë mbi rrugë, shiu u tregoi të gjithëve se çfarë kapaciteti të vogël kanë gypat e ujërave të zeza në kryeqytet, sigurisht, në ato pjesë ku janë.
Përveç rrugëve të bllokuara, shiu i dëmtoi edhe shumë familje, duke bërë që shtëpitë e tyre të vërshohen nga uji.
Një prej tyre është edhe ajo e familjes Aliu në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Për disa minuta, shtëpia e tyre u shndërrua në një pellg.
Në pamundësi për të bërë diçka më shumë, që t’i ndalnin vërshimet që vinin nga e gjithë Arbëria, në drejtim të shtëpisë së tyre, Salih e Igballe Aliu mundoheshin që me një kovë të vogël, të largonin ujin që u kishte hyrë në dhoma.
Edhe përkundër moshës së shtyer të Salihut, ai nisi t’i largonte vetë të gjitha gjërat e shtëpisë, për t’i zbrazur më pas dhomat që u ishin zhytur, pothuajse deri në gjysmë metri me ujë.
Ai së bashku me bashkëshortën e tij Igballen, vendosën që me një kovë të vetme, të largonin gjithë atë ujë që ua kishte përmbysur dhomat.
Por duke e parë që tentimi i tyre ishte i kotë, çifti i moshuar vendosi që për herë të parë të kërkonte ndihmë nga policia. Por kërkesën e tyre për ndihmë, nuk e dëgjoi askush, as policia e cila me fushata të ndryshme ua shurdhon veshët qytetarëve se janë për t’u ndihmuar.
Duke e parë gjendjen e rëndë të shtëpisë, Salihu u detyrua që i vetëm, gjatë ditës së diel, ta thërrasë policinë për pesë herë me radhë.
“Mendoja që policia do të më ndihmonte pasi ata thonë se punojnë për rend dhe për qytetarë. Por ja që unë paskam gabuar”, thotë Salihu i dëshpëruar për Express.
“Duke kërkuar çare për strehë, i lusja që të bënin diçka për mua. Të thërrisnin dikë që ta ndalte ujin, i cili po vinte duke u rritë”, tregon Salihu, disa orë pasi shiu filloi të ndalej.
Por ai thotë se të gjithë telefonatat që i bëri në polici, ishin të kota. Katër herë me radhë, Salihu thotë se policia i ka thënë se është duke shkruar tek ai, por se kinse nuk po e gjejnë shtëpinë “Kurse herën e pestë kur i thirra, m’u lajmërua një mashkull e më tha që është shef i ndërrimit. Ai më tha që policia nuk mund të vijë sepse ka raste të tjera dhe se herët e kaluara, të tjerët më kanë thënë se po vijnë të më ndihmojnë vetëm për të më hequr qafe”, thotë i inatosur Salihu, i cili si i moshuar që është, veten e ndjen të fyer dhe poshtëruar. Ai kishte shpresuar se policia do ta ndihmonte që së paku disa orendi t’i largonte nga dhomat e përmbytura apo ta ndihmonte dikush që t’ia bënte çaren ujit.
“Këtu e pashë se çka bën policia për ne. Të mjerët ne që shpresojmë të mbesim ndonjëherë në duart e tyre”, thotë ai, të cilit forcat e rendit as që ishin munduar ta ndihmojnë së paku përmes telefonit për ta udhëzuar se kujt t’i drejtohet.
Megjithatë, Salihu e di që rast të njëjtë sikur të tij, mund të kenë pasur edhe shumë familje të tjera në kryeqytet. “Unë e kuptoj policinë, kanë pas shumë presion e shumë punë, por nëse njëriu thërret pesë herë në telefon, policia duhet ta dijë se bëhet fjalë për një hall të madh”, thotë i bindur ai, duke treguar se për të nuk është i vetmi shqetësimi nga uji. Ai tash frikësohet nga energjia elektrike.
“Në çdo pjesë të shtëpisë ka lagështi. Rryma tash përbën për mua rrezikun më të madh. Këtë nuk e kanë logjikuar policia, e cila, po të isha armik, nuk do të duhej të ishte sjellë kaq keq me mua”, flet i shqetësuar Salihu.
“Por kështu paska qenë e shkruar. Do të mundohem që ta rregulloj shtëpinë me gjithë forcën që kam, në mënyrë që mos të kem nevojë më për policinë”, tha Salihi, derisa i lutej zotit që të mos bjerë më shi, i cili do t’i sillte bashkëshortes dhe atij probleme të njëjta.