E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për vitin 2010 depozitat u rritën me 15%

31/03/2011  Agjencia e Sigurimit të Depozitave dorëzon raportin në Kuvend

Sigurimi i depozitave, 69% u takojnë individëve

Depozitat e klientëve të sistemit bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar janë rritur me 18,2 për qind në krahasim me fundvitin 2009. Ky është përfundimi i konstatuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në raportin vjetor të vitit 2010, i cili është paraqitur dje në Kuvend. ASD-ja në raportin e saj vëren se duke iu referuar ecurisë së depozitave të individëve për periudhën njëvjeçare (dhjetor 2009–dhjetor 2010), vërehet një rritje e numrit të depozitave nga individët me 18,2 për qind. “Kurse depozitat e siguruara u rritën me 14,8 për qind”, - thekson kjo agjenci në raportin e saj për vitin 2010. Rritja e këtyre depozitimeve është një tregues i qartë i rritjes besueshmërisë së sistemit bankar nga qytetarët shqiptarë.

Depozitat për vitin 2010

Në raportin e saj vjetor për vitin 2010 dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave thekson se “depozitat e individëve që janë subjekt i skemës së sigurimit të depozitave zënë një peshë prej 81 për qind kundrejt totalit të depozitave në tërë sistemin bankar. Kurse depozitat e siguruara përfaqësojnë rreth 69 për qind të depozitave të individëve.” Dhe nga kjo përqindje ASD-ja bën me dije se pjesën më të madhe të depozitave të individëve e zënë depozitat në lekë dhe vetëm 46 për qind e tyre janë depozita në valutë.

Funksioni i ASD-së

Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka për qëllim sigurimin dhe kompensimin e depozitave të qytetarëve të vendosura në bankat që operojnë në vendin tonë si anëtare të skemës së sigurimit të depozitave në Shqipëri, në bazë të kritereve dhe niveleve të përcaktuara në ligj. Kështu, në rast falimenti apo ndonjë fatkeqësie që sjell mbylljen e ndonjë banke, kjo agjenci merr përsipër kompensimin e depozituesve të bankës së falimentuar deri në 25 milionë lekë, pavarësisht nga shuma e depozituar. Nga ana tjetër, me përmbushjen e detyrimeve të saj ligjore Agjencia ka ndikuar në rritjen e sistemit bankar në forcimin e besimit të publikut në skemën e sigurimit të depozitave, si dhe në shmangien e riskut të humbjes së kursimeve të tyre si pasojë e falimentit të mundshëm të ndonjë banke, duke dhënë kontributin e saj në rritjen e mirëqenies ekonomike të vendit. Duket se Shqipëria me hapa të ngadaltë po arrin të rikuperojë dëmet që shkaktoi kriza botërore. Ulja e depozitave përgjatë vitit 2009 erdhi dhe si pasojë e rënies së reminitancave, por dhe të qarkullimit të parasë në vend. Gjithsesi, rritja e depozitave do të thotë çlirim të ekonomisë dhe kredidhënie më të madhe nga ana e bankave, gjë që do të çlirojë investimet në sektorë të ndryshëm të biznesit dhe shoqërisë. Viti 2011, sipas analistëve ekonomikë, pritet të shënojë një rritje dhe më të madhe ekonomike, pikërisht për shkak të investimeve në sektorë të ndryshëm

Kompensimi

Sipas ligjit “Për sigurimin e depozitave”, ndryshuar me ligjin 10106 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 8873, datë 29.03.2002, “për sigurimin e depozitave”, ASD-ja kompenson depozitën e siguruar, sipas dispozitave të këtij ligji, në masën 100 për qind dhe në çdo rast jo më shumë se 2 500 000 lekë të reja për çdo depozitues në çdo bankë të siguruar që operon në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht numrit të depozitave apo shumës së depozituar.

Depozituesit

Në fund të dhjetorit 2010, ASD-ja thekson se “depozitat e agreguara të individëve pas shifrave të shprehura në përqindje i ka renditur në dy nivele, ku depozitat deri në 2 500 000 lekë zënë 45 për qind të totalit të depozitave të individëve. Kurse numri i depozituesve që e kanë shumën e depozitave të tyre të agreguara deri në 2 500 000 lekë, dominon duke zënë 96 për qind të totalit, dhe vetëm 4 për qind u përket depozitave mbi 2 500 000 lekë.

Detyrimi

Anëtarësimi në skemën e sigurimit të depozitave është i detyrueshëm për të gjitha institucionet që ushtrojnë veprimtari bankare në vend. Sipas ligjit nr. 8873 “Për sigurimin e depozitave”, çdo bankë e siguruar duhet të paguajë në Agjenci një kontribut fillestar të barabartë me 0,5 për qind të kapitalit të nënshkruar bankës. Gjatë vitit 2010 skemës së sigurimit nuk iu shtua asnjë subjekt i ri.

Bankat që operojnë në vendin tonë

Banka “Raiffeisen”

Banka e bashkuar e Shqipërisë

“Veneto Banka”

Banka Kombëtare Tregtare

Banka “Tirana”

Banka Kombëtare Tregtare e Greqisë

“Alpha Bank”

“Intesa San Paolo Bank”

Banka “ProCredit”

Banka e Parë e Investimeve

Banka “Emporiki”

Banka e Kreditit e Shqipërisë

Banka “Credins”

Banka “Societe General”

“Union Bank”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›