E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton 2 nga 3 kandidaturat e Presidentit për Kushtetuesen

Opozita mbyll grevën, por s’ndal bojkotin e parlamentit

Rrëzohet propozimi për Vangjel Kostën - e kaluara e tij lidhet me një seri vendimesh politike të dhëna gjatë diktaturës

Seanca e djeshme parlamentare nisi përsëri pa prezencën e deputetëve të opozitës. Pavarësisht se PS i dha fund grevës së urisë dhe protestave, e njëjta gjë nuk ka shërbyer për thyerjen e bojkotit të parlamentit, teksa opozita vazhdon të endet jashtë dyerve të parlamentit, duke mos u ndarë dot nga politika e rrugës. Deputetët e mazhorancës nisën seancën me diskutimet përkatëse të rendit të ditës, duke mos iu referuar për asnjë moment bojkotit të kuvendit nga opozita, duke qenë se situata politike po diskutohej gjerësisht në Strasburg në takimin e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.
Ende nuk është e qartë se cili do të jetë pozicioni i opozitës lidhur me situatën në vijim, por bojkoti i institucioneve vazhdon të jetë akull ndarës, ndërsa PS-ja s’po shkëputet dot nga misioni i saj i degdisjes rrugëve të ligjvënësve të zgjedhur më 28 qershor të vitit të shkuar. Megjithatë, kuvendi vazhdoi punën me shqyrtimin e një numër të konsiderueshëm projektligjesh dhe marrëveshjes së rëndësishme.

Seanca
Seanca e djeshme e Kuvendit nisi si zakonisht dhe me rend dite shqyrtimin dhe miratimin e një serie projektligjesh aktesh normativ. Një pikë e rëndësishme ka qenë miratimi i dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët e mazhorancës miratuan 2 nga 3 dekretet e Presidentit Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja morën miratimin e ligjvënësve, ndërsa u rrëzua propozimi për Vangjel Kostën. Propozimi për këtë fundit është rrëzuar për arsye të përfshirjes së tij në disa dënime të dhëna gjatë diktaturës komuniste, dënime që sigurisht kanë dënuar padrejtësisht dhjetëra shtetas shqiptarë. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë gjyqësor, i cili karakterizohet nga pastërtia e figurave të anëtarëve përbërës, duke vënë kështu një standard të ri për përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses.
Tre kandidaturat u kaluan në mbledhjen e një dite më parë të Komisionit të Ligjeve ndërsa në seancën e djeshme Kuvendi i dha “OK” kandidaturave të kreut të shtetit, duke hequr nga lista e dekreteve Vangjel Kostën.
Gjithashtu Kuvendi i Shqipërisë miratoi edhe dy projektligje dhe një akt normativ, të cilat janë me rëndësi në drejtim të reformës ligjore dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Objektiv i projektligjit “Për kundërvajtjet administrative”është përcaktimi i rregullave për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, përcaktimi i procedurave dhe afateve të ankimimit të akteve, që vendosin ndëshkime apo sanksione administrative, si dhe përcaktimi i procedurave të ekzekutimit të këtyre sanksioneve.
Deputetët dhe Ministri i Financave, Ridvan Bode e vlerësuan ndër të tjera projektligjin si çelësin e reformave për konsolidimin e të drejtës në Shqipëri dhe si standard tërësisht europian, në marrëdhëniet mes administratës shtetërore dhe biznesit e publikut në tërësi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›