E Diel, 1 Nëntor 2026

Për vizitat te specialistët kërkohet rekomandim i mjekut të familjes

08/07/2009  Në rastet kur autorizimi mungon, pacienti duhet të paguajë shërbimin e marrë

Pacientët duhet të respektojnë sistemin e referimit për marrjen e kujdesit shëndetësor edhe në shërbimin parësor (poliklinika apo ambulanca), në të kundërt do të jenë të detyruar që të paguajnë faturën financiare për shërbimin përkatës. Kjo përfshirë edhe rastet kur pacientët rezultojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Konkretisht, për të kryer një vizitë te mjeku specialist, pacientët duhet të jenë pajisur detyrimisht me autorizimin e lëshuar nga mjeku i familjes. Në këtë formë ata do të paraqiten pranë poliklinikave të specialiteteve për të marrë shërbimin e duhur pa u dashur të paguajnë tarifë. Sipas sistemit të ri të sigurimeve shëndetësore, të gjithë pacientët që drejtohen në poliklinikat e specialiteteve për vizita të mëtejshme mjekësore duhet të kenë rekomandimin e mjekut të familjes. Megjithatë, janë vetë mjekët ata që këshillojnë pacientët që të tregohen të kujdesshëm e të respektojnë kriteret për marrjen e shërbimeve shëndetësore, e kjo gjë mund të arrihet vetëm në saje të marrjes së informacioneve të duhura që në kontaktin e parë me mjekun e tyre të familjes. Sipas specialistëve respektimi i këtij sistemi jo vetëm që do të ndikojë në shmangien e pagesave nën dorë, por do të ndikojë gjithashtu edhe në rritjen e cilësisë dhe kujdesit shëndetësor që do të ofrohet kundrejt popullatës. Ndërsa për pacientët e pasiguruar do të vijojë të zbatohet i njëjti sistem, këta të fundit do të jenë të detyruar që të paguajnë tarifën reale të përcaktuar për çdo vizitë që do të bëjnë, qoftë në rastet kur i drejtohen mjekut të familjes, atij specialist apo për rastet kur do të paraqiten në spital. Në kontratat e lidhura këtë vit me qendrat shëndetësore është përfshirë dhe paketa e re e shërbimeve, e cila specifikon 7 shërbimet bazë që do të ofrohen në çdo qendër falas për të gjithë pacientët që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Paketa e re e shërbimeve shëndetësore në shërbimin parësor përfshin edhe listën e barnave të urgjencës, që duhet të këtë qendra. Kjo listë standardizon këtë shërbim në të gjithë vendin, përcakton emrat e 68 barnave dhe materialeve të konsumit që duhet të ketë qendra për trajtimin e urgjencave, duke filluar nga serumet deri në trajtimin e rasteve urgjente me sëmundje nervore, astmatike, shoku anafilaktik. Ndërsa pjesa tjetër e paketës përbëhet nga kujdesi shëndetësor për fëmijët, për të rriturit, gratë dhe shëndetin riprodhues, të moshuarit, për shëndetin mendor si dhe promocionin përkatës të edukimit shëndetësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›