MASH: Nisi hartimi i tezave të provimit me zgjedhje për maturantët
Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA) do të mbajë të ngujuar deri të premten specialistët që do të hartojnë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Më datë 10 korrik maturantët do t'i nënshtrohen për rreth 2 orë e gjysmë, provimeve me zgjedhje. Sipas AVA-s specialistët e ngujuar do të hartojnë rreth 12 teste, për lëndët matematikë, gjuhë shqipe, fizikë, kimi, biologji, histori, gjeografi, njohuri për shoqërinë, ekonomi, filozofi, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht.
Këto teza do të përmbajnë pyetje me zhvillim dhe alternim. Pas përfundimit edhe të provimeve me zgjedhje pritet që maturantët brenda javës së ardhshme të plotësojnë edhe formularin A2 për të renditur degët që ata preferojnë. Ky formular është shpërndarë tani në të gjitha shkollat e mesme në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave interesi i kandidatëve për studentë ka qenë shumë i lartë pasi deri më tani janë tërhequr një numër i konsiderueshëm formularësh A2. Ajo që kanë rekomanduar specialistët e arsimit për plotësimin e këtij formulari është orientimi i nxënësve në përzgjedhjen e degëve. Sipas tyre çdo nxënës duhet të përzgjedhë ato degë që mendon se mund ti arrijë me pikë sipas nivelit që ai ka arritur në shkollën e mesme. Edhe këtë vit çdo nxënës ka të drejtën e përzgjedhjes së 10 degëve në këtë formula. Ajo çka duhet theksuar është mënyra se si duhet ta plotësojnë këtë formular me shumë kujdes pasi ka rrezik që të skualifikohen për një gabim të vogël, ndaj këshillohet që çdo kandidat të stërvitet në kopjet e formularit pastaj të plotësojë atë origjinal.