Departamenti i gazetarisë organizoi ditën e komunikimit
Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, ka organizuar për të dytin vit radhazi një aktivitet kushtuar ditës së komunikimit. Në paraditen e sotme, studentë të shumtë, pedagogë dhe specialistë të medias dhe komunikimit u mblodhën së bashku në aktivitetin Teknologjia e medias dhe komunikimit, në të cilën studentët prezantuan punimet më të mira të realizuara në atelietë e shtypit, medias televizive, radios dhe kompjuterit.
Në fjalën e hapjes, prof Artan Fuga, shef i departamentit të gazetarisë, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla të cilat promovojnë arritjet e departamentit dhe e bëjnë atë një aktor të rëndësishëm të debatit dhe komunikimit publik. Më tej ai sqaroi se ideja e realizimit të këtij aktiviteti për të dytin vit radhazi është që gazetari i ardhshëm të mësojë që në bankën e shkollës teorikisht dhe praktikisht të fshehtat e mjeshtërisë që do të ushtrojë. Në këtë mënyrë ai do të jetë në gjendje të përvetësojë vlerat etike që do ta drejtojnë, të zotërojë ato teknologji të reja, kode e aftësi të cilat ta bëjnë që ai të jetë i gatshëm t'i përgjigjet kërkesave të tregut të punës. Gjatë aktivitetit u prezantua për të pranishmit, krahas gazetës disa vjeçare Reporteri dhe numri i parë i revistës Komunikimi bashkëkohor midis Shqiptarëve, i cili është përgatitur nga vet studentët. Më tej të pranishmit u ftuan të ndiqnin disa prej emisioneve më të mira të radios të realizuara nga studentët e ateliesë së Radios nën kujdesin e pedagoges Iris Luarasi. Për të pranishmit u sollën gjithashtu dhe disa prej shkrimeve më të mira të gazetës Reporteri të realizuar nën kujdesin e pedagogut Zylyftar Bregu, si dhe një sërë punimesh kompjuterike nën kujdesin dhe përzgjedhjen e profesorit Rrapo Zguro. Por një nga atelietë që ka tërhequr vazhdimisht interesin e studentëve është atelieja e medias televizive, ku studentët nën drejtimin e pedagoges Rajmonda Nelku realizuan dokumentar të shkurtër ku kryesisht janë përdorur tema sociale. Gjatë aktivitetit u prezantuan gjashtë punimet më të mira ku ndër to spikati dokumentari Jetë pas hekurave. Në përfundim të ceremonisë së zhvilluar, punimet më të mira u vlerësuan dhe me çmime, të cilat u mundësuan nga Instituti Shqiptar i Medias. Aktiviteti me temë Teknologjia e medias dhe komunikimit kushtuar ditës së komunikimit u zhvillua në këtë departament për herë të parë vitin e shkuar.