E Diel, 1 Nëntor 2026

Për vrasjen e gruas dënohet me 14 vjet burg

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor Qamil Hetemin për veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 146 i KPK-së, dhe i ka shqiptuar dënimin prej 14 vjet burg.

I dënuari dyshohej se ka vrarë gruan e tij, për të cilën në fillim qe dhënë lajmi se kishte bërë vetëvrasje. Kjo lëndë kishte filluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por më pas është bartë në Gjykatën themelore të Ferizajt. Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, dhe anëtarët Kadrije Goga-Lubishtani e Ramadan Gudaqi, e shpallën fajtor Hetemin lidhur me akuzat për vrasje të rëndë, si dhe për pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve. Në dënimin e shqiptuar atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej prillit të vitit të kaluar.

Gjykata po ashtu shqiptoi masën e konfiskimit të armës me të cilën është kryer vepra. Trupi gjykues ka marrë vendim që të akuzuarit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri sa aktgjykimi të marrë formën e prerë./Indeksonline/   

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›