E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Për zgjedhjet 2013, listat e votuesve do të pastrohen nga dublimet”

14-12-2012 / Leonard Quku

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka takim me Prefektët e vendit


Ministria e Brendshme fillon përgatitjen për hartimin e listave përfundimtare të zgjedhësve,për zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm. Për këtë arsye ministri Flamur Noka ka zhvilluar një takim me të gjithë prefektët e vendit, ku ka caktuar edhe detyrat për ta ku primare do të jetë pastrimi i regjistrit nga dublimet. Në takim, ku ndër të tjerë, ishin të pranishëm edhe kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterie Lleshi dhe nënkryetari, Denar Biba, ministri i Brendshëm, Noka nënvizoi: “Sikurse është bërë traditë dhe praktikë pune, në këto 5-6 vitet e fundit, organizuam këtë takim për fillimin e punës për hartimin e listave të zgjedhësve, nëpërmjet udhëzimit “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin”, por edhe për vijimin e punës në konsolidimin e vazhdueshëm të bazës sonë të të dhënave në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, nëpërmjet: Pastrimit të dublimeve të dyshuara në regjistër; Saktësimit të adresës zgjedhore për të gjithë personat në regjistër. Udhëzimi për hartimin e Listave është ndërtuar, duke analizuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, duke patur parasysh zbatimin rigoroz të kuadrit ligjor, elementëve teknikë dhe afatet kohore, në të gjithë procesin e hartimit të ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë dhe të listës së zgjedhësve. Duke parashikuar qartësisht, pa ekuivoke, veprimtarine e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe zyrat e gjendjeve civile në rang vendi, bashki e komuna apo edhe veprimet e detyrimet e drejtuesve vendorë, në lidhje me rregullimin e qendrave të votimit, duke kryer sipas rastit bashkimin apo ndarjen e tyre, e rëndësishme mbetet, ndër të tjera, respektimi rigoroz i kriterit numerik që përcakton Kodi, i cili nuk lejon qendra votimi me më pak se 200 zgjedhës dhe me më shumë se 1 000 zgjedhës.  Udhëzimit kërkon që të ruhet cilësia maksimale e Listave të zgjedhësve, pasi dihen arritjet shumë të mira teknologjike që mishërohen në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile si të garantohet transparenca dhe ndërveprimi maksimal për këtë pjesë të procesit zgjedhor, duke synuar që realizimi i detyrave që i ngarkon Kodi Ministrisë se Brendshme dhe strukturave në varësi të saj, të kapin standardet zgjedhore më të larta dhe më cilësore në gjithë procesin zgjedhor. “Ndërkohë,udhëzimi në fjalë është një tjetër tregues i përkushtimit,  seriozitetit dhe angazhimit që ne kemi treguar dhe vijojmë të tregojmë në kuadër të realizmit, për atë pjesë që nga ngarkon ligji, të zgjedhjeve konform standardeve me të mira dhe më të larta ndërkombëtare. Çdo i zgjedhur vendor apo nëpunës i gjendjes civile duhet të kuptojë qartë se vetëm zbatimi rigoroz i ligjit garanton standardet e kërkuara gjatë procesit zgjedhor”, theksoi Noka. Ne kemi vullnetin e plotë, përkushtimin, seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe besojmë plotësisht se edhe të zgjedhurit vendorë do të zbatojnë ligjin dhe detyrimet e tyre, me të njëjtin seriozitet dhe angazhim dhe përkushtim në këtë proces. Ministri Noka duke folur për bashkëpunimin me të gjithë të përfshirët në procesin zgjedhor theksoi se Ministria e Brendshme  dhe strukturat në varësi të saj do të garantojnë një klimë të shëndetshme bashkëpunimi me gjithë aktorët në proces, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin që ka patur dhe do të vijojë të ketë me Partinë Socialiste dhe ekspertët e saj, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe standardeve të OSBE-ODIHR, sa i përket listave të zgjedhësve dhe Regjistrit Kombëtar të  Gjendjes Civile. Ministri Noka theksoi se Kodi Zgjedhor, i miratuar me konsensus të plotë,  krijon të gjitha premisat që zgjedhjet në Shqipëri të plotësojnë  çdo rekomandim të OSBE-ODHIR-it, duke realizuar kështu, më 23 qershor, një tjetër proces zgjedhor transparent, të lirë dhe të ndershëm.”Dhe për të këtë, angazhimi, përkushtimi juaj, dhe i të gjithë drejtuesve vendorë, është është një element thelbësor për ecjen e sigurtë në rrugën drejt demokracive europiane, drejt Bashkimit Europian”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›