E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Nishani pret në një takim Ministren e Drejtësisë italiane, Paola Severino

14-12-2012 / Gazeta 55

“Shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me Italinë dhe në fushën e shtetit të së drejtës”


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Ministren italiane të Drejtësisë, zonjën Paola Severino, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Duke sjellë në vëmendje se Italia është një partner strategjik dhe avokate e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Presidenti Nishani theksoi se ka qenë shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me Italinë edhe në fushën e shtetit të së drejtës. Kreu i Shtetit nënvizoi se bashkëpunimi mes dy policive, përfshi dhe ato kufitare ka shënuar një histori suksesi në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke u bërë një pengesë e fortë kundër kriminalitetit. Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në projektet e rëndësishme për konsolidimin e sistemit të drejtësisë, si ai EURALIUS, duke theksuar se ngjashmëritë e sistemit ligjor shqiptar me atë italian kanë shërbyer në zbatimin me sukses të ligjit për konfiskimin e pasurive kriminale, i njohur si ligji antimafia, si edhe në bashkëpunimin mes dy prokurorive për zbatimin e marrëveshjeve për ekstradimin e të burgosurve. Duke e konsideruar vizitën në Shqipëri si dëshmi të bashkëpunimit të suksesshëm, Ministrja italiane e Drejtësisë, Paola Severino nënvizoi se lufta ndaj krimit të organizuar mund të konsolidohet dhe të shënojë arritje kur vendet aleate bashkojnë forcat e tyre dhe bashkërendojnë punën në luftën kundër kriminalitetit. Në këtë kontekst, zonja Severino nënvizoi se edhe njohja e ndërsjellë e vendimeve gjyqësore përbën përafrim të standardeve mes dy vendeve tona. Presidenti Nishani mbështeti fuqimisht idenë e hedhur nga dy ministrat e Drejtësisë për krijimin e një Task-Force të përbashkët për transferimin e të burgosurve, duke e konsideruar si një hap tejet pozitiv në heqjen e pengesave formale ekzistuese, si dhe inkurajoi institucionet përkatëse për ta vënë në jetë atë sa më parë. Më herët ministrja e Drejtësisë së Italisë, znj. Paola Severino  u prit në një takim nga ministri i Jashtëm Edmond Panariti,  i cili vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë dhe shprehu vullnetin që marrëdhëniet e një partneriteti strategjik me Italinë të vazhdojnë të thellohen dhe konkretizohen më tej, në të ardhmen. Nga ana e saj Paola Severino vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në shumë fusha me interes dhe siguroi vullnetin e qeverisë italiane për të punuar për thellimin këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, ajo siguroi se Italia do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në drejtim të avancimit të axhendës evropiane. Ministri Panariti falënderoi lidhur me mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në kuadër të integrimit evropian të vendit dhe vlerësoi kontributin italian për ngritjen dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si një element thelbësor në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë. Gjatë takimit u evidentua roli dhe ndihma që ka dhënë misioni Euralius, ku Italia është një nga kontribueset kryesore për konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e ngushtë midis institucioneve të drejtësisë së dy vendeve dhe shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të thellohet më tej, në funksion të sfidave të përbashkëta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, etj. Gjithashtu, ata biseduan për konkretizimin e disa projekteve dypalëshe në fushën e drejtësisë.


Konferenca Gjyqësore - Presidenti Nishani: Të rrisim besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi dje gjatë punimeve të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, se faktori kryesor për konsolidimin e sistemit të drejtësisë është komuniteti i gjyqtarëve. Kreu i Shtetit kërkoi nga trupa gjyqësore marrjen e të gjitha përgjegjësive si profesionale, ashtu dhe atyre shoqërore për progresin e sistemit të drejtësisë. Sipas tij, në krye të objektivave mbetet kthimi i besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë. “Nuk besoj që sistemin tonë të drejtësisë do ta bëjnë të shëndetshëm dhe konsolidojnë maksimalisht aktorë të jashtëm të sistemit.  Faktori kryesor, jetësor dhe parësor për konsolidimin dhe shëndoshjen e plotë të sistemit tonë të drejtësisë është komuniteti ynë i gjyqtarëve, janë prokurorët për sistemin e tyre. Ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor është i standardeve më të mira që kemi dhe që nga momenti i hyrjes në fuqi ka ndikuar në jetën profesionale të gjyqtarit. Infrastruktura në përmirësim të vazhdueshëm është e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme. Por, asnjëra nga këto nuk mundet të shkojë drejt përsosmërisë nëse gjyqtari nuk arrin të vlerësojë në maksimumin e vet  rëndësinë që ka ai si person, si profesionist në shoqëri”- u shpreh Nishani. Kreu i shtetit në fjalën e tij, shprehu rëndësinë e pavarësisë së gjyqtarit nga palët në proces. “Pavarësia si koncept duhet të trajtohet dhe fokusuar tek raporti i gjyqtarit me palët në proces, me interesat e palëve në proces. Nëse do arrijmë ta konsolidojmë realisht këtë pavarësi të gjyqtarit, nga interesat e palëve në proces, e kemi orientuar në një rrugë pozitive çështjen e të bërit të shëndetshëm të sistemit të drejtësisë”, tha Presidenti Nishani. E thirrur nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Konferenca Gjyqësore Kombëtare nisi sot punimet e saj dy ditore në Tiranë. Gjatë Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ku marrin pjesë gjyqtarët në shkallë vendi, do të diskutohet për çështje të cilat kanë interes të veçantë për trajtim nga ana e përfaqësuesve të gjyqësorit si, Gjyqësori shqiptar përballë objektivave dhe integrimit evropian; miratimi i rregullores së Konferencës Gjyqësore Kombëtare;  zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv. Gjithashtu, në konferencë do të votohet për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas përfundimit të mandateve dhe lënien vakant të këtyre dy vendeve, si dhe do të diskutohet lidhur me problematikën e konsolidimit të pushtetit gjyqësor në vendin tonë.


Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi apel gjyqtarëve: “Jepni mesazhe kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor”


Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi e cilësoi dje Konferencën Gjyqësore Kombëtare, si një moment shumë të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Duke iu drejtuar trupës gjyqësore në Konferencë, ministri Halimi tha se “ky është momenti më i rëndësishëm për ju! Ju vendosni sot për ata që do t’ju qeverisin për 5 vjet. Vota juaj për anëtarët e rinj të  KLD-së është e rëndësishme”. “KLD është një institucion që ka në dorë fatin tuaj profesional”, vuri në dukje Halimi. Duke vazhduar mesazhin e tij, ministri Halimi u shpreh se “ndodh që ju zgjidhni ata njerëz që ju premtojnë se nuk do t’u hapin telashe në KLD sa herë që do ketë një procedim disiplinor! Unë nuk kam qenë dakord me këtë filozofi, edhe kur nuk kam qenë Ministër Drejtësie! Kjo sepse unë besoj se shumica zgjedh. Dhe shumica nuk janë ata që kanë probleme me KLD, shumica nuk janë ata devijantët që kërkojnë një strehë se mos një ditë breshëri do bjerë në karrierën e tyre. Jo unë nuk e besoj ketë. Ata janë pakica”, theksoi Halimi. “Ju duhet që sot të jepni një mesazh në luftën kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe të zgjidhni ata që e kanë ketë platformë, ata që do të premtojnë para jush se do të promovojnë të ndershmit. Unë kam besimin e plotë që ju do ta bëni këtë”, theksoi ministri Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›