Perandori gjerman: Si u njoha me shqiptarët dhe debatet për zgjedhjen e mbretit
William Hohenzollern*
Në atë kohë (në vitin 1912) ishte në vëmendjen time çështja e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe shtrimi i alternativave nga Fuqitë e Mëdha për drejtimin e saj. Një numër kandidatësh, me dëshirë të etshme për t’u kurorëzuar mbretër, e kishin paraqitur veten e tyre tashmë para Fuqive ende pa marrë pëlqimin e tyre; një numër kandidatësh, të vlerësuar nga shtetet e mëdha, ishin hedhur poshtë nga vetë shqiptarët. Unë e pashë problemin në vetvete me indiferencë dhe ishte një mendim si në rastin krijimit të çdo kombi – ku vëmendja më e madhe e mundshme duhet të kushtohej te zhvillimi historik, gjithashtu te veçoritë gjeografike dhe zakonet e banorëve vendas. Në këtë veçanti të këtij vendi, atje nuk ishte bashkuar asnjëherë shteti nën një sundues apo një dinasti. Në krahinat e rrethuara nga të gjitha anët me male të larta, fiset shqiptare jetonin të ndara, në një largësi të konsiderueshme nga njëri-tjetri.
Sistemi politik dhe zakonet
Sistemi i tyre politik nuk është i ngjashëm me atë të fiseve të Skocisë. Kristianë dhe muhamedanë janë të përfaqësuar në numër të barabartë. Zakoni i “gjakmarrjes” vjen që nga lashtësia, i mbartur nga tradita, e cili nuk ka më pak të ligjshëm edhe plaçkitjen dhe vjedhjen e bagëtive. Bujqësia është akoma në një fazë të prapambetur zhvillimi; blegtoria është në hapat e para të saj; mjetet që përdoren këtu janë të kohës së hershme.
Kreu i fisit vendos drejtësinë në të gjithë krahinën, siç bëhej njëherë e një kohë te gjermanët e lashtë. Çdo njeri është i armatosur dhe shumica e tyre kanë armë të shkëlqyera. Kurdo qoftë, kryetari i fisit dilte nga shtëpia, shaluar mbi kalë, në ture përgjatë territorit të tij në katunde, ku banorët i shprehin bekimin atij në një mënyrë të veçantë, duke i hedhur monedha që tingëllonin, të cilat ndonjëherë shpërndaheshin përqark tij që lart nga shala. Sigurisht, kjo është bërë zakon, veçanërisht në fillimin e kohës së qeverisjes së tij dhe kur nuk ndodh një gjë e tillë, kjo tregon pakënaqësi të madhe.
Shërbëtorët e sulltanit
Gjer në kohën e Luftës Ballkanike shumë shqiptarë u përfshinë në shërbimet turke, ku ata u ngritën në lartësi të mëdha, duke qenë të vlerësuar shumë për zellin e tepërt, zgjuarsinë e hollë, si dhe për këmbënguljen dhe energjinë e tyre. Ata i dhanë administratës turke një numër të madh zyrtarësh. Gjithashtu, në njëfarë përqindjeje ata u futën në strukturat diplomatike dhe ushtarake. Të rinjtë fisnikë shqiptarë ishin krenarë që të shërbenin në kompanitë më të mira të ruajtjes së pallatit të sulltanit, të cilët pothuajse nuk dallonin përsa i përket paraqitjes ushtarake dhe bukurisë mashkullore nga ushtarët turq. Këta ishin në një farë mënyre “njerëzit e shtëpisë” së sulltanit, që kur, më vonë, ai mori femra fisnike shqiptare të fiseve kryesore në haremin e tij, në mënyrë që ai të mbrohej nga “vëllazëria e gjakut” dhe të shpëtuar nga “hakmarrja” e fiseve. Gjithashtu, ai mund të merrte vesh çdo gjë që mund të vlejë rreth ndjesive të prijësve shqiptarë. Etja e madhe e shqiptarëve arriti tek ai përmes kësaj mënyre, - për shembull, si bëhej furnizimi i armëve dhe municioneve, ndërtimi i shkollave dhe rrugëve, etj., dhe për këtë arsye, ishte i garantuara në një mënyrë që nuk binte në sy. Kështu që, sulltani nuk ishte në gjendje të mbante qetësinë e shqiptarëve trazues në mënyrë të vazhdueshme, dhe “besnikëria” tek ata kuptonte thjesht “lidhjet familjare”.
Refuzohet “princi egjiptian”
Me këtë njohje të çështjeve të shtetit, mbi këtë bazë, unë u mundova të sjell me influencën time gjetjen e një princi muhamedan, nëse do të ishte e mundur, - mbase një princ egjiptian, pa harruar se ai duhet të ketë një burim të ardhurash financiare të sigurta, gjë që është absolutisht e domosdoshme në Shqipëri.
Sugjerimi im nuk u mor në konsideratë nga “Këshilli i Fuqive”, anëtarët e së cilës nuk u përzien në telashe të tilla me interesa e shqiptarëve; por, mbi të gjitha, ata po shikonin për pretekste dhe mundësi për të peshkuar në ujërat e turbullta shqiptare në një mënyrë të tillë që të përfitonin vendet e tyre.
Ditari është publikuar në “The New York Times” më 8 tetor 1922. Gazeta ka marrë fragmentet ku flitet për Shqipërinë
William Hohenzollern ka qenë perandori gjerman, që njihej me emrin William II
Titulli origjinal është “Kujtimet e një ish-mbreti”. Titulli i gazetës është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Ish-perandori gjerman: “Intrigat që çuan në rrëzimin e Vidit nga froni”
Flet kushëriri i Vidit: Princi i njihte pak çështjet ballkanike për të qenë i suksesshëm në krye të fronit të Shqipërisë
Propozimi që iu bë Uilliam Vidit në takimin me kancelarin gjerman në prani të ish-perandorit Wiallimi II
Ai rrëfen për komplotet që iu bënë mbretit të ri të Shqipërisë nga Esat Pasha, në bashkëpunim me Italinë
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
19 Gusht 2008