Përballja e Fierit
Ilir Bele, kandidat i “Aleancës për qytetarin”
Punësim në sektorë të ndryshëm
dhe ulje të taksave vendore
Si mendoni se mund ta merrni Fierin, një zonë që ka votuar gjithnjë për të majtën?
Nuk është e vërtetë që Fieri është një zonë që ka votuar gjithmonë për të majtën. Të jeni të sigurt se fierakët dinë gjithmonë të zgjedhin më të mirën për vetën, familjen dhe qytetin e tyre. Unë garoj në këto zgjedhje si qytetar i këtij qyteti, me projekte konkrete që do t’i japin frymën e munguar Fierit.
Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë mandat?
Absolutisht i pari do të jetë punësimi. Njerëzit e papunë janë edhe të pashpresë. Ne duhet të rikthejmë shpresën në qytet, duke u krijuar vende të reja pune bashkëqytetarëve tanë. Në mënyrë urgjente do të ndërhyjmë për pastrimin dhe rregullimin e Gjanicës. Në çdo vend të botës është fat të kesh një lumë që kalon në qytet, vetëm për Fierin quhet fatkeqësi, pasi drejtuesit e bashkisë kanë 7 vjet që vetëm premtojnë dhe e kanë lënë ashtu siç e shohim të gjithë edhe sot. Infrastruktura rrugore do të jetë në qendër të vëmendjes së Bashkisë së Fierit gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm. Në takimet e zhvilluara në zona të ndryshme të Fierit, kudo kam konstatuar probleme shumë të mëdha, të cilat m’i kanë shprehur vetë qytetarët. Për mua është e papranueshme që në vitin 2011 periferia e qytetit të Fierit të mos ketë ujë në banesa apo rrugë të asfaltuara.
Na citoni 5 projektet më të rëndësishme...
Dy projektet kryesore janë: zona industriale e qytetit në lindje të tij dhe zona me resorte turistike në bregdetin perëndimor. Sipas përllogaritjeve të përafërta, nga këto projekte do të përfitojmë 12 500 vende pune. Gjithashtu, si projekt të tretë do të theksoja uljen e taksave vendore, për t’ dhënë frymëmarrjeve biznesit. Këto taksa do të ulen në masën 50 për qind. Llogaritjet paraprake na japin zgjerim të bazës së tatimpaguesve dhe shtim të vendeve të reja të punës. Po në këtë kuadër, do të bëjmë të mundur që të gjithë bizneset e reja që do të hapen 6 muajt e para do të jenë pa taksa. Gjithashtu dua të theksoj se banesa dhe situata urbane në Fier është për të qarë hallin. Gjithashtu dua të theksoj se do të përqendrohemi në rregullimin e territoreve publike, në shtimin e lulishteve, të parqeve dhe të këndeve të lojërave për fëmijë. Në këtë drejtim do të punojmë shumë fort, nga njëra anë duke respektuar pronën dhe nga ana tjetër duke i krijuar këto hapësira shumë të domosdoshme për një jetë në komunitet. Projekti tjetër, por më i rëndësishmi, mbetet Gjanica. Gangrena e qytetit tim, po shkatërron çdo vit miliona e miliona lekë investime private me përmbytjet që sjell. Veprimi i parë do jetë bllokimi i hedhjes së mbetjeve të ngurta urbane dhe ato të naftës. Duke vazhduar me thellimin dhe rregullimin e shtratit të tij.
Si do t’i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?
Situata e sistemit rrugor në qytet është e papranueshme. Ajo jo vetëm është bërë një pengesë serioze për një jetë normale të banorëve, por edhe një barrikadë e padepërtueshme për biznesin, i cili duhet të shërbehet nga ky rrjet. Megjithëse qyteti, përsa i përket sipërfaqes është trefishuar që nga viti 1997, dhe numri i automjeteve familjare, apo të biznesit, është 8 herë fishuar, qytetit nuk i është shtuar asnjë aks i ri rrugor. Sheshit qendror të qytetit i mungon lidhja integrale me pjesë periferike të qytetit, për të mundësuar aksesin e qytetarëve të këtyre zonave në pjesën qendrore dhe objektet apo shërbimet administrative që ofron kjo zonë. Një parkim i zonës qendrore të qytetit jo vetëm mungon, por as nuk shihet i mundshëm në planet e largëta të kësaj administrate lokale. Parkimi anës rrugëve nuk është një alternativë për ne që duam të ndërtojmë një qytet modern. Në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare Shqiptare për Mbetjet, për ndërtimin e venddepozitimeve rajonale për qarkun e Fierit është dhënë mendimi për ndërtimin e një incineratori në komunën Allkaj, në territorin e ish-rezervatit të peshkut, me një kapacitet që do të mbulojë përpunimin e mbetjeve për të gjithë qarkun dhe zonën përreth. Brenda dy viteve të para të mandatit të parë, do të përfundojmë gjelbërimin me lloje dekorative të rrugëve periferike. Së pari, Unaza e re nga ura e Sheqit në të dyja anët deri te QTU do të mbillet me 3000 fidanë rrapesh dekorative. Rruga Fier-Patos dhe Fier-Levan deri në kufijtë ku mbaron qyteti, me lloje dekorative, si kumbulla, gështenja kali, që ka një rritje të shpejtë dhe kurorë të bukur. Duke qenë qytet me popullsi në rritje, me nivel jetese të mirë, me grupmosha të ndryshme, ngritja dhe funksionimi i ambienteve argëtuese social-kulturore do jenë në qendër të punës sime si kryetar bashkie. Në këtë aspekt, respekti për moshën e tretë do të konkretizohet me ngritjen e një qendre komplekse për rehabilitimin e tyre.
Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?
Unë jam lindur në Fier, jam rritur në Fier dhe kam ndërtuar familjen në Fier. Jam pjesë e këtij qyteti dhe ëndrra ime është të plakem në Fier. Në Fierin që do ta ndërtojmë si një metropol modern dhe jo si një fshat i madh. Unë kam ndërtuar projekte konkrete dhe që në datën 9 Maj do të filloj t’i implementoj ato. Bashkëqytetarët e mi po njihen ditë pas dite me këto projekte dhe po i bashkëngjiten stafit tim për të arritur synimet e vëna. Sepse kjo është mënyra sesi ne do ta zhvillojmë qytetin. Të gjithë së bashku, për të realizuar synimet që kemi vendosur të gjithë së bashku. Rivali im ka pasur gjithmonë vetëm pika të dobëta dhe ato janë premtimet e pa mbajtura të qytetarëve dhe nuk ka nevojë që unë të shprehem për to. Sepse, mjafton të vish në Fier edhe si vizitor, dhe është lehtësisht e lexueshme performanca e tij.
A do të pranonit të bënit debat në televizion me kundërshtarin tuaj?
Natyrisht që po. Megjithëse ditët e mia janë të ngarkuara me takime me qytetarë, grupe interesi apo komunitete të ndryshme.
Baftjar Zeqo, kandidat i “Aleancës për të ardhmen”
Rikonstruksion të rrugëve dhe
ndërtim të qendrave komunitare
Ju rikandidoni në postin e kryebashkiakut dhe të mendoni se këtë herë nuk do të keni në koalicion LSI-në. Çfarë gjëra të reja keni për t’u thënë qytetarëve?
LSI-ja më 2009 bëri zgjedhjen e saj, duke tradhtuar ata qytetarë që i besuan radikalizmit antiberishian të Metës. Roli i turpshëm që LSI-ja mori, duke u shndërruar në patericë të qeverise së korruptuar të Berishës, për interesa thjesht personale të lidershipit të kësaj force, ka pezmatuar shumë qytetarët e Fierit dhe gjithë Shqipërisë, prandaj unë mendoj se paraqitja e LSI-së bashke me PD-në përballë koalicionit tonë është një arsye më shumë pse fitorja jonë do të jetë më e thellë se në vitin 2007 apo në vitin 2009.
Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë mandat?
Gjatë mandatit të viteve 2011-2015 ne do të vijojmë të zbatojmë projektet tona strategjike që kemi përcaktuar së bashku me qytetarët. Prioritetet në infrastrukturë dhe fushën sociale, kulturore dhe të sportit do të jenë: Ndërtimi i segmentit të Unazës së madhe në jugperëndim të qytetit dhe rruga ‘Aulona’. Vlerësimi i pasurive turistike, që historia dhe natyra i ka dhuruar Fierit tonë do të jetë njëri prej drejtimeve ku do të fokusohemi në 4 vitet e ardhshme. Kjo do të arrihet nëpërmjet implementimit të strategjisë së zhvillimit të turizmit, që kemi hartuar bashkë me qytetarët dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile. Kujdes ndaj personave në nevojë, duke konsideruar të tillë të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar fizike dhe mendore, invalidët, shtresat me të ardhura të pamjaftueshme, pensionistët, do të jetë një nga drejtimet e rëndësishme të punës sonë. Në shërbim të tyre do të jenë 900m2 të qendrës multidisiplinore për fëmijët me aftësi të kufizuar; Qendra komunitare e moshës së tretë, ku trajtohen 500 persona; Realizimi i miniqendrave për 200 personat e verbër dhe shurdhmemecë; Realizimi i rrampave në trotuare dhe institucionet publike për të lehtësuar kalimin e personave me aftësi të kufizuar fizik; Përmirësimi i traditës së mirë të organizimit të kampeve verore për fëmijë dhe familjeve në nevojë, ku do të përfitojnë edukim dhe argëtim 400 fëmijë.
Na citoni 5 projektet më të rëndësishme
Nga projektet më të rëndësishme për katër vitet e ardhshme mund të përmend:
Ndërtimin e Pallati të Sportit; Përfundimi i Unazës së madhe të qytetit në segmentin jugperëndimor të saj dhe rrugën ‘Aulona’; Rehabilitimi i bulevardit ‘Jakov Xoxa’; Sistemimi i lumit Gjanica; Zbatimi i projektit të hartuar në bashkëpunim me KFW për plotësimin e rrjetit të Ujësjellësit dhe KUZ.
4.Si do t’i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?
Për sa i takon problemit të trafikut, ne kemi tashmë një strategji të organizimit dhe funksionimit të transportit urban, e cila është zbatuar në masën 60% të saj. Kemi ndërtuar 6 rotante për disiplinimin e trafikut në qytet si dhe kemi vendosur sinjalistikën në akset me më shume trafik. Kemi vënë në funksionim 4 linja të transporti urban dhe rrethqytetëse me bashkitë dhe komunat përreth. Me vënien në funksionim dhe të katër linjave të tjera rrethqytetëse, do të lehtësohet fluksi në qytet. Përfundimi i segmentit jugperëndimor të Unazës së madhe, gjithashtu do të ndikojë në uljen e qarkullimit në qytet. Realizimi i terminalit të autobusëve që do të shërbejë si pikë këmbimi të pasagjerëve mes linjave ndërqytetëse me ato urbane dhe rrethqytetëse do të ulë numrin e mjeteve që kalojnë në qytet. Plani rregullues i qendrës, zbatimi i të cilit pret OK-in nga qeveria, zgjidh më mirë qarkullimin në qendër te qytetit, dhe realizon lidhjen organike të trafikut midis zonave në të dyja anët e lumit Gjanica. Për problemin e menaxhimit të mbetjeve urbane, ne mund të themi me krenari se jemi e vetmja bashki që e kemi zgjidhur këtë problem me planin lokal të menaxhimit të integruar të mbetjeve që kemi hartuar me asistencën e qeverisë holandeze. Ky plan, që është konform planit kombëtar, ka filluar me procesin e riciklimit. Për gjelbërimin ne kemi qenë vazhdimisht të preokupuar, duke qenë se e gjetëm qytetin me shumë nga hapësirat e gjelbra publike të zëna me ndërtimet informale.
Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?
Pikë e dobët është fakti që ai është tërësisht i papërgatitur, nuk e ka idenë se çfarë bëhet në qytet, dhe për më keq nuk këshillohet me specialistë të fushave, por me militantë partie mediokër. Ndërsa ne veprojmë në bazë të planeve dhe projekteve të mirëstudiuara, të konsultuara me qytetarët, specialistët më të mirë të qytetit dhe ata ndërkombëtarë.
A do të pranonit të bënit debat në TV me kundërshtarin tuaj ?
Debat në TV do të isha i kënaqur shumë të bëja me të dhe me këdo, pasi unë kam çfarë t’u tregoj qytetarëve të mi për punën time. Për angazhimin tim të sinqertë, për përpjekjet e mia të përditshme për të zgjidhur hallet e tyre, pavarësisht pengesave që më është dashur të kapërcej, edhe prej politikës së mbrapshtë të partisë së kundërshtarit tim. Por unë kam vënë re, se për gjithçka që ju thashë më lart rivali im nuk pranon debat publik në TV. Ai preferon të shajë nëpër cepa rrugicash të periferisë së qytetit, duke spekuluar me nevojat e njerëzve që natyrisht nuk janë plotësuar të gjitha ende, por që janë në proces për t`u bërë.