Basha: Bashkia s’është komunale, do ta kthej në faktor të zhvillimit
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, tha dje në “5 pyetje nga Babaramo” se aktualisht bashkia nuk është konceptuar si hallka më afër qytetarit,
dhe si e tillë përgjegjëse për gjithçka që i ndodh qytetarit, por gjatë gjithë kësaj kohe ka hequr përgjegjësitë nga vetja, ka treguar me gisht një fajtor imagjinar. Basha theksoi se “Bashkia ka gjetur një përgjegjës jashtë vetes, nëse bie fjala për ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve, nëse bie fjala për trafikun në Tiranë, nëse bie fjala për çmimet, që sot kandidati tjetër i paska zbuluar që janë rritur, ndërkohë që unë kam 20 ditë, 30 ditë që bashkë me qytetarët evidentoj një program realist sesi të punohet për uljen e çmimeve, dhe ky është problemi thelbësor. Si ta konceptojmë ne Bashkinë e Tiranës? A është Bashkia e Tiranës një drejtori komunale, plus kompetencat për të dhënë leje ndërtimi për shumëkatëshe? Apo është, në fakt, hallka e parë e konsensusit qytetar për të bashkëqeverisur qytetin dhe në këtë kuadër hallka kryesore për të marrë peshën kryesore të çdo problemi të qytetarëve, dhe unë jo vetëm që kam premtuar këtë: marrjen e përgjegjësisë për ujësjellës-kanalizimet, gjë që Bashkisë së Tiranës i është ofruar prej disa vitesh dhe është e vetmja njësi vendore në Shqipëri që nuk ka pranuar të marrë përgjegjësi për një shërbim kaq bazë, por unë kam folur për gjërat kryesore, kapitalet e bashkisë për punësimin, për normalizimin e çmimeve. Sepse unë besoj që Bashkia e Tiranës nuk ka pse të jetë ndryshe nga çdo bashki tjetër e botës, ku problemi kryesor i qytetit, problem kryesor i qytetarëve është natyrshëm problemi kryesor i kryebashkiakut” Basha premtoi se “unë jam i vendosur që si element kryesor të ndryshimit të Tiranës, të sjell një lloj të ri bashkie, një lloj të ri kryebashkiaku për Tiranën, por që në fakt është tipike për qytetet e Europës Perëndimore. Një Bashki, e cila ka sy të shohë dhe veshë të dëgjojë për çdo problem të qytetarit, ka zemër, dhembshuri, por dhe mendje të punojë për të zgjidhur çdo problem të qytetarit.”
Ndërkohë, Basha i ka cilësuar trillime dhe harxhim kohe të panevojshme për qytetarët e Tiranës të gjitha akuzat e ngritura nga opozita ndaj tij lidhur me faktin nëse ai kishte apo jo një pasaportë amerikane apo edhe për mundësinë e mbajtjes së më shumë se një pasaporte diplomatike. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Basha tha se e gjitha çka është përfolur rreth tij, është vetëm një trillim pa asnjë bazë të vërtetë. Basha i dha përgjigje edhe akuzave lidhur me deklaratën e tij të pasurisë. “Nuk është e vërtetë. Është tërësisht një trillim, sikundër edhe akuzat për të ashtuquajturën pasaportë amerikane. Edhe ky është një trillim i mirëfilltë. Referojuni një institucioni të pavarur, siç është Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili jo vetëm ka verifikuar të plota deklarimet e mia të pasurisë, por ka çuar në vitin 2006 edhe personelin e vet në Holandë, për të verifikuar çdo aspekt të kësaj. Pra, deklarata e ILDKP-së flet vetë. Mendoj se deklarata e tyre është përgjigjja më e mirë për këtë trillim të fundit, që vjen vetëm si pasojë e baltosjes së kundërshtarit... E gjithë pjesa është një trillim, një trillim që manifeston edhe njëherë faktin që kundërshtari nuk ka alternativë tjetër përveç asaj të përbaltjes së kundërshtarit”, - tha mbrëmë Basha. Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, iu referua dje edhe deklaratës së bërë publike nga noteri holandez Ritzo Holtman, i cili pranonte përmes një letre për mediat shqiptare lapsusin me pasaportën e Lulzim Bashës. “Bëhet fjalë për një akt noterial të vitit 2001, ku në një paragraf në vend që të thuhet pasaporta shqiptare, thuhet pasaporta amerikane. Dhe po sot ja ku i keni edhe deklarimin e noterit edhe fotokopjen, që e ka ruajtur të vizës sime amerikane mbi një pasaportë shqiptare...”, shtoi Basha. Kandidati i mazhorancës theksoi se ai nuk ka asgjë për të fshehur. “Më vjen keq, thjesht për faktin që po rishoh këto sulme dhe ja ku i kanë përgjigjet për pasaportat e Lulëzim Bashës dhe për deklaratat e mia pasurore. Lulëzim Basha nuk ka asgjë për të fshehur... Çfarë fitoi kundërshtari politik? Asgjë. Të gjitha akuzat i ranë përtokë. Çfarë fitoi qytetari shqiptar? Asgjë. Imagjinoni sikur kjo energji të ishte përdorur pozitivisht...”, tha Basha. Kandidati i mazhorancës shpalosi mbrëmë edhe pjesë të rëndësishme të platformës së tij për Tiranën.