Milani, Fiorentina dhe Interi do të eliminohen
Luçiano Moxhi beson se Milani, Interi dhe Fiorentina nuk do të arrijnë të kualifikohen në Champions League. Milani pret sot Mançester Junajtid, Fiorentina udhëton nesër në fushën e Bajernit të Mynihut, ndërsa të mërkurën e ardhshme (më 24 shkurt) Interi pret çelsin. Por, ish-drejtuesi i Juventusit mendon se skuadrat italiane kanë pësuar rënie të dukshme, e në krahasim me rivalet e tyre angleze dhe spanjolle ato e kanë të vështirë të paraqiten mirë në Europë. “Championsi u rikthye dhe do të shohim që skuadrat italiane nuk janë aq konkurruese sa duhet në arenën ndërkombëtare”, deklaroi “Big Luçiano”. “Mendoj se sportdashësit italianë në përgjithësi do të jenë me fat, nëse vetëm njëra prej tri skuadrave kualifikohet në çerekfinale”. Moxhi foli edhe për gabimet e gjyqtarëve, pasi Seria A ka përjetuar një tjetër javë mes polemikave: Juventusi fitoi falë një penalltie të dyshimtë, ndërsa Interit iu mohua një 11-metërsh kundër Napolit. Moxhi tha se këto episode konfirmojnë që “Calciopoli” nuk ka ekzistuar asnjëherë: “Gabimet e gjyqtarëve? Kjo tregon se futbolli italian ka qëndruar njësoj dhe nuk ka pasur arbitra të korruptuar”.
#