E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja me të vërtetën në PS

BARDHYL AGASI

Kur Edi Rama u zgjodh në krye të Partisë Socialiste mbështetësit e tij kryesorë e motivonin zgjedhjen e tij si mundësinë më të madhe për të përballuar natyrën agresive të Berishës dhe për të risjellë në pushtet të majtën. Megjithatë nuk ishin të paktë ata që u treguan skeptikë për detyrën e re dhe aq të rëndësishme...të kryebashkiakut të Tiranës. Ndonëse në atë periudhë nuk gjendesha në Shqipëri, por edhe unë isha nga ata që mendoja se aftësitë e tij më të mëdha ishin shfaqur në detyrën e tij ekzekutive dhe bindja ime ishte se ai nuk e njihte sa dhe si duhej jetën e partisë, i mungonte përvoja në drejtimin e saj. Por dhe karakteri i tij i vështirë, sidomos në komunikimin me të tjerët, dhe pse jo radikalizmi i tij i fshehur, por dhe i shfaqur hera-herës në raste të caktuara në qëndrimet e tij ndaj PS, më bënin të kisha një besim të lëkundur tek ai si lider i saj. Pavarësisht nga këto mendime të miat, për hir të vërtetës dua të them se kishte raste dhe momente kur kjo lëkundje rrëzohej dhe ngrihej një besim më i madh tek ai, veçanërisht duke njohur energjinë dhe palodhshmërinë e tij, dëshirën për punë, vendosmërinë për t'i çuar gjërat gjer në fund. Mendoja se në fund të fundit ai nuk do të punonte vetëm, se ai do të kishte ekipin e tij dhe e shikoja si një hap të mirë përfshirjen në të dhe të disa shokëve me vlera dhe kontribute të njohura në veprimtarinë e mëparshme të Partisë. I nxitur nga ndjenja ime e detyrës, vendosa të vazhdoja aktivizimin tim në parti si një nga ish-anëtarët dhe drejtuesit e saj dhe për të mbështetur lidershipin e ri me aq sa mundja. Por me kalimin e kohës po bindesha gjithnjë e më shumë për skepticizmin tim të mëparshëm. Lideri i ri me qëndrimet, veprimet dhe deklarimet e tij të herëpashershme po dëshmonte se premtimet kur mori detyrën e kryetarit të Partisë i kishte lënë në harresë. Pas humbjes në zgjedhjet e 2005-ës dhe largimit të ish-kryetarit të saj, detyrë kryesore ishte të mos dobësohej besimi tek PS, të mos ndjehej as çoroditja më e vogël, që mund të pasohej me largime nga radhët e saj. Pikërisht kryetari i ri dha premtimin e madh se do të ruante dhe forconte unitetin në parti dhe do të rriste gati në dyfishim anëtarësinë e saj. Tanimë dihet se ky premtim jo vetëm nuk u arrit, por brenda PS u shfaqen probleme që çuan deri në largime dhe shkëputje prej saj. Kjo po ndodhte se po shkelej statuti dhe rregullat në parti, se po dëmtohej rëndë demokracia e brendshme. Se mendimi oponent dhe ndryshe nuk po gjente hapësirë, pikërisht nga ai që më parë dhe më shumë se kushdo tjetër kishte mbrojtur idenë e funksionimit të fraksionit në parti. Demoralizimi i parë ndodhi në forumin më të lartë të partisë, në një kongres të saj, kur nuk u lejua votimi i fshehtë, i kërkuar nga një pjesë e konsiderueshme e delegateve. Apo kur nuk u bë numërimi i votave për në Asamblenë Kombëtare në prani të delegatëve, si gjithmonë më parë, duke bërë që të fshiheshin nga lista shumë pej figurave të spikatura në vite të partisë. Lidershipi i ri ndoqi rrugën e përjashtimit të butë dhe të lënies në hije të kujtdo që do të ishte problematik dhe që do t'i kundërvihej atij, filloi të hedhë baltë mbi figurën e ish-liderit historik të partisë për të fshirë dhe mohuar të gjitha arritjet e saj të mëdha dhe të mundimshme në opozitë dhe në pushtet gjatë 15 viteve. Duke bërë ndryshime thelbësore në statut u shkatërruan strukturat e Partisë, si kryesitë nëpër rrethe dhe u zëvendësuan të zgjedhurit më të emëruarit nga lart, apo i hapi rrugë krijimit të organizatave të reja pa ndjekur asnjë lloj procedure partiake si dhe futjes së drejtpërdrejtë në asambletë e rretheve të elementeve krejt të panjohur që nuk dihej nga vinin, se kë përfaqësonin, por që përdoreshin si kontingjente në proceset e votimit, aq sa në kutitë e votimit hidhnin teserat e marra ato ditë në vend të fletëve të votimit, duke dëshmuar anën më qesharake të anëtarësimit të tyre. Por edhe besimi se Rama do të ishte i vetmi që do të përballonte dhe do të mposhtte shumë shpejt Berishën tashmë është zbehur shumë. Që në zgjedhjet në disa zona të caktuara, beteja e parë e drejtuar nga Rama, PS do të rezultonte humbëse dhe me rezultate të dobëta. Kjo bëri që më vonë në zgjedhje po në disa zona ajo të mos merrte pjese, duke ia lënë më lehtësisht fitoren kundërshtarit. Edhe trumbetimi për fitore në zgjedhjet për pushtetin vendor lë shumë për të dëshiruar, është një fitore si ajo e Pirros, duke pasur vetëm kryetarë, por me dominim të këshillave bashkiakë dhe komunarë nga kundërshtari politik. Mjafton të kujtosh se në 12 qarqe kemi fituar vetëm një, kupto fitoren e PS. Nuk duhet harruar se dhe atje ku kemi fituar kemi qenë në aleancë me forca të tjera politike të majta. Por në vend që kjo aleancë të forcohej dhe të zgjerohej, lidershipi i PS ndërmori hapa të gabuar, që sigurisht përbenin dhe një prej shkaqeve të humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar. Bashkëpunimi PS-PD për ndryshimet kushtetuese, për Kodin e ri Zgjedhor dhe për ligje të tjera të rëndësishme çuan në nxjerrjen jashtë garës të forcave të tjera aleate dhe në nxjerrjen nga Parlamenti të PSD dhe PD, duke çuar deri aty sa LSI të zinte karriget e saj në Qeverinë e Berishës. Një lëvizje e tillë e lidershipit të partisë ishte më mirë të themi e pakuptimtë se sa e qëllimte. PS hyri në zgjedhje e vetme, duke i garantuar elektoratit të saj ruajtjen e votës dhe fitoren e sigurt. Asnjëra nga këto nuk u arrit, por nuk u ndërtua as metoda e vërtetimit të akuzave të ngritura prej saj për manipulim të votimeve. Në qoftë se u cenuan rëndë zgjedhjet e 26 majit 1996, po atë ditë ato u kontestuan botërisht dhe në duart e komisionerëve socialistë ishin të gjitha provat, veç atyre të dhunës së përdorur fizike. Ndërsa për zgjedhjet e 28 qershorit nuk u siguruan provat dhe protesta filloi të ndihej me shumë vonesë, dhe ajo me pauza të pakuptimta, shpesh duke marrë dhe ngjyra festive. Me të drejtë elektorati i majtë, çdo qytetar i majtë, çdo socialist mund të pyesë: Pse nuk u arrit të ruhej vota e tyre nga PS-ja, kush e vodhi kur në komisionet e votimit ishin vetëm përfaqësuesit e dy forcave politike PS-PD të rëna në marrëveshje më njëra-tjetrën duke eliminuar pjesëmarrjen e një force tjetër të majtë. Opinioni qytetar, por edhe analistë politikë të kaheve të ndryshme politike bënin vërejtje për një qëndrim pasiv të opozitës. Përshkallëzimi duke ndërmarrë hapa të tjerë si organizimi i protestave, hyrja në Parlament dhe ashpërsimi aty i luftës politike, mitingjet masive dhe greva e urisë, nga mosarritja e rezultateve konkrete, në vend te rritjes së besimit tek PS-ja, e dobësuan atë dhe po shtohen zërat se ato shërbyen më shumë për ruajtjen e karrigeve të lidershipit. Madje disa veprime të pakontrolluara si bllokimi i rrugëve dhe autostradave, por edhe instalimi i grevës së urisë në mes të bulevardit qendror u cilësuan si veprime që prishnin imazhin demokratik të vetë PS, si veprime politike të pamatura të saj. E keqja është se veprime të papjekura politike po vazhdojnë akoma, si mosmarrja pjesë në votime për çdo ligj, kur dihet se një pjesë e tyre kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve, të biznesit, të integrimit etj, kur fare mirë mund të bësh një luftë politike dhe të votosh kundër ligjeve korruptive dhe me qëllime të caktuara politike të maxhorancës. Mosmarrja pjesë në votim për çdo ligj bëri për të sjellë si shembull mosaprovimin e kandidaturave të Presidentit për në Gjykatën e Lartë, ku me sa kuptohej opozita ishte në mbështetje të tyre. Përsëri është më mirë për të thënë se këto veprime janë të pakuptimta se sa të qëllimta. Pavarësisht se lidershipi i PS deklamon me oratorinë e tij se lufta politike e opozitës po jep frytet e duhura, njerëzit janë të lodhur me demagogjinë e tij. Ata dëgjonin nga tribuna pranë grevës, por dhe në intervista, konferenca shtypi, në ekrane të TV-vë, në sallën e Parlamentit etj. se Qeverisë i kishin mbetur vetëm disa orë. Por pasi kaluan nëntori, dhjetori, shkurti, marsi, prilli, maji, ata gjithnjë e më tepër humbnin besimin, i cili mbahej akoma disi i ndezur duke parë qëndresën e grevistëve të urisë, të cilët deklaronin se nuk do të dilnin nga ajo grevë pa ia arritur qëllimit. Por mjaftoi ftesa për një darkë tek "Krokodili", që sakrifica e pashoqe e 18 ditëve dhe 18 netëve të kthehej në entuziazëm të fitores, që sot e kësaj dite nuk iu ndje zëri. Nuk di të them se ata ndihen apo jo të zhgënjyer, por shumica e atyre që mbushën bulevardin gjatë atyre ditëve dhe netëve e shfaqin hapur pakënaqësinë e tyre. Por sa e sa raste të tjera dëshmojnë për humbje politike të njëpasnjëshme, veçanërisht bojkoti me muaj të tërë pa asnjë rezultat, pa u ndalur pastaj në reagimin e vonshëm, tepër të vonshëm ndaj fatkeqësisë së kobshme të Gërdecit. U mjaftua me organizimin e një mitingu, ku lidershipi i PS vetëm ndezi qirinj dhe ku nuk u mbajt asnjë fjalë, nuk u lejua asnjë parullë, nuk u shpreh një revoltë, nuk u be një kërkese për dorëheqje të Qeverisë dhe pse kishin humbur 26 jetë njerëzish të pafajshëm, mes tyre gra dhe fëmijë. Jo, nuk justifikohej me frikën e një keqkuptimi apo të një përfitimi politik, por të një dhembjeje të thellë shkaktuar nga një incident shtetëror. Duke shprehur këto mendime dhe qëndrime nuk është qëllimi për të sulmuar dhe denigruar lidershipin e tanishëm të partisë, por për të shprehur disa të vërteta që mund të ndihmojnë atë dhe partinë. Ato janë thënë hapur personalisht dhe në forume deri në Kongresin e Partisë si nga unë, por edhe nga të tjerë që u etiketuan si përfaqësues të mendimit ndryshe. Për fat të keq shpërblimi ka qenë mënjanimi apo 'përjashtimi i pashpallur', duke mos të njoftuar më as për mbledhjet që behën dhe aktivitete të tjera. Tanimë është vështirë të shprehësh një mendim apo të mbash një qëndrim që nuk i shkon për shtat lidershipit të madh dhe lidershipëve të vegjël nëpër rrethe, që faktikisht janë njerëz me pushtet në bashki dhe punonjës të tyre, shumë prej të cilëve nuk kanë lidhje me PS. Por shumë shpejt Partia Socialiste dhe e majta do të përballen me zgjedhjet për pushtetin vendor. Për këdo është e qartë se ato mund të fitohen vetëm nëpërmjet bashkimit të të gjithëve, të vjetër e të rinj, kontributeve ndër vite me ato aktualë, por kjo arrihet me demokratizimin e brendshëm të partisë, përzgjedhjen e kandidaturave në bazë të normave dhe të rregullave të partisë dhe jo sipas dëshirës personale të lidershipit, me bashkëpunimin me aleatët e majtë dhe realë etj. është e nevojshme angazhimi i përgjegjshëm i çdo anëtari që nga më i thjeshti deri në lidershipin e partisë, i cili nga përvoja e hidhur e zgjedhjeve të fundit duhet të reflektojë dhe të njohë përgjegjësinë që deri më sot nuk është bërë, nuk është marrë asnjë përgjegjësi, nuk është parë asnjë reagim, nuk është dukur asnjë përpjekje për bashkimin e të gjithëve si brenda partisë, ashtu edhe në të majtën shqiptare në përgjithësi. Në rast se do të vazhdohet me autoritarizmin, unin, diktatin, me rrethin e kurrizthyerve servilë, fitorja do të jetë e pamundur dhe ndoshta humbja do të jetë edhe më ë ndjeshme. Veç atëherë nuk do të mund të ketë fshehje apo shmangie të përgjegjësisë, por përballje me të vërtetën dhe lamtumirë këtij lidershipi, që nuk arriti ta meritojë këtë Parti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›