Ministri belg: Kriza politike dëmton imazhin e Shqipërisë
Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Steven Vanackere, vendi i të cilit ka presidencën e Bashkimit Evropian, i tha BBC-së në një intervistë duke iu referuar krizës politike në Shqipëri, se ajo po ndikon negativisht mbi imazhin e Shqipërisë në Evropë. "Më 29 korrik kryeministri im u takua me kryeministrin Berisha në Bruksel. Në këtë takim u diskutua për këtë çështje. Sigurisht do të ishte mirë që vetë Shqipëria ta zgjidhte këtë problem shqiptar. Ne e vlerësojmë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, pjesëmarrjen e saj në disa nisma bashkëpunimi rajonal dhe hapat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Autoritetet shqiptare po punojnë për kryerjen e disa reformave në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, kur sheh situatën e brendshme dhe krizën e tejzgjatur mes qeverisë dhe opozitës, e kupton se kjo ndikon negativisht mbi imazhin e Shqipërisë në Evropë. Ne theksojmë edhe njëherë se funksionimi i institucioneve është parim bazë i demokracisë dhe ai ka shumë rëndësi në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit. Siç e them edhe për vende të tjera, përpjekjet për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk duhet të bëhen vetëm për hir të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është e rëndësishme për të pasur një klimë të politike normale dhe për t'i shërbyer sa më mirë qytetarëve të një vendi", u shpreh për BBC ministri i jashtëm i Belgjikës.