Universitetet, 20 degët ku ashpërsohet gara e pranimit
Ndërsa Ministria e Arsimit u ka vënë në dispozicion maturantëve më shumë se 225 programe studimi, degët ku gara është e ashpër janë jo më shumë se 20.
Bazuar mbi të dhënat e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, Universiteti i Tiranës mban rekordin për kërkesa, ku vetëm për një degë me jo më shumë se 490 kuota garojnë rreth 12 mijë maturantë. Specialistët e AVAS kanë renditur 20 programet më të kërkuara të maturës së kaluar, tendencë kjo që nuk ka sesi të ndryshojë ndjeshëm këtë vit. Dega e Administrim Biznesit është e para në listë. Atë e kanë kërkuar 11924 kandidatë. Dega e dytë është Punë Sociale, me 10310 kërkesa për 130 vende. Më tej vijnë Psikologjia dhe Drejtësia, të cilat i kanë kërkuar mbi 9000 maturantë. Edhe degët e tjera të Ekonomikut si Financa, dhe Ekonomiks janë tepër të preferuara. Secilën prej tyre e kanë përzgjedhur si prioritare mbi 7000 kandidatë. Numër të lartë kërkesash ka edhe për Gazetarinë, Gjuhën Angleze dhe Sociologjinë me mbi 6000 kërkesa secila. Sa i përket Universitetit Bujqësor, dega me e kërkuar është Financë Kontabilitet e ndjekur nga Ekonomi dhe Politika agrare. Në Universitetin e Durrësit dega më e kërkuar mbetet ajo e Menaxhim Turizmit. Universiteti i Shkodrës ka 3 degë ku fluksi është më i lartë. Përkatësisht bëhet fjalë për Punë Sociale, Infermieri e përgjithshme dhe Turizëm. Në Universitetin Politeknik dega ku konkurrenca është më e ashpër është ajo e Inxhinierisë së telekomunikacionit. Infermieria e përgjithshme kërkohet më së shumti në Universitetin e Elbasanit.
Përzgjedhja e fituesve
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit fituesit do të zgjidhen vetëm një herë. Nuk do të ketë më formularë A3 dhe A4 për plotësimin e vendeve bosh. Ministria e Arsimit ka vendosur ta heqë përfundimisht ketë procedurë, pasi zgjaste tej mase pranimet në universitete. Pas shpalljes së fituesve, vendet bosh do të zihen sipas rendit zbritës së listës së fituesve. Sërish do të kemi dy faza regjistrimesh. Bëhet fjalë për regjistrimin paraprak dhe atë përfundimtar. APRIAL do të bëjë përcaktimin e fituesve sipas parimit meritë - preferencë, çka do të thotë se parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Listat paraprake të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t'iu dorëzohen institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas programeve përkatëse të studimit. Për vitin e ardhshëm akademik kuotat e pranimit në universitete janë rritur me 11%. Në total, në 11 shkollat e larta publike do të pranohen 23.534 vetë. Këtë vit numrin më të lartë të kuotave e kanë degët e Teknologjisë së Informacionit, Shkencave Kompjuterike dhe Informatikës. Ato janë hapur veç Tiranës, gati në të gjitha universitetet e rretheve. Në 20 degë të kësaj teknologjie, pranohen këtë vit në sektorin publik 4.170 studentë.