E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Ligji për Presidencën, i vonuar



Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, e sheh të vonuar në hartimin e një ligji organik për presidentin.

I pyetur nga gazeta "Panorama" se si e sheh propozimin e shumicës për të hartuar një ligj organik për institucionin e kreut të shtetit, Meidani, tha se ai duhej bërë me kohë. "çdo institucion në Shqipëri funksionon mbi bazën e ligjeve organike, që rregullojnë funksionimin e tyre. është krejt normale që dhe Presidenca të ketë një ligj të tillë, madje do ta konsideroja të vonuar, pasi duhej të ishte hartuar kohë më parë", - u shpreh ish- presidenti. Përfaqësues të PD-së dhe LSI-së, respektivisht deputeti Gumi dhe nënkryetari i parlamentit, Naço, shprehën dje domosdoshmërinë e hartimit të një ligji Organik për Presidentin, ku të përcaktohen organizimi dhe funksionimi i institucionit të presidencës, e ku do të jetë të detajuara të gjitha kompetencat e kreut të shtetit, në raportet e tij me pushtetet dhe institucionet e pavarura të shtetit. Këto propozime vijnë pas një debati të gjatë të ditëve të fundit mes maxhorancës dhe Presidentit, në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca akuzoi presidentin Topi se ka shkelur Kushtetutën në lidhje me mbajtjen në detyrë ende të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas saj nuk ka asnjë peshë juridike në ushtrimin e këtij funksioni, për shkak të mbarimit të mandatit të tij tre vjeçar si kryetar i kësaj gjykate.
Ndryshe nga demokratët, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e sheh si shkelje të ligjit themeltar të shtetit nga Presidenti vonesën në dekretimin e kryetarit të ri të Kushtetueses. Madje, LSI shprehet se vonesa e Presidentit ka ardhur për shkak të seleksionimit dhe seriozitetit të tepruar në përzgjedhjen e kandidaturave. "Vonesa ka ardhur për shkak të një seleksionimi dhe një përzgjedhjeje më të mirë, që u bëhet këtyre kandidaturave nga zyra e Presidentit të Republikës për të mos pasur ndonjë konflikt midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, i cili jep pëlqimin për këto kandidatura".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›