Kreditë e këqija, kush përfiton nga vendimi i Qeverisë
Drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Feti Zeneli, në një intervistë për gazetën, tregon të gjithë lehtësisë e vendimit të qershorit të Qeverisë, që sapo ka hyrë në fuqi, por edhe paralajmëron se dosjet e 12500 kreditorëve brenda gushtit do të shkojnë në zyrat e Përmbarimit. Sipas tij, në vendimin e ri parashikohet që "debitorëve, që shlyejnë menjëherë të gjithë shumën e principalit të transferuar apo të mbetur u falen në masën 100 % interesat, gjobat dhe kamatëvonesat, pavarësisht nga objekti i kredisë dhe shuma e detyrimit të transferuar". Zeneli, thekson për gazetën, se pavarësisht vonesave, agjencia që ai drejton është e sigurt që do t'i kthejë buxhetit të shtetit 100 milionë dollarët që janë marrë kredi gjatë viteve 1993-1997 dhe që nuk janë shlyer akoma.
"çdo debitor që do të refuzojë këtë ofertë të re, do të përballet me sanksione të rrepta ligjore për ekzekutimin e të gjithë detyrimit ligjor sipas urdhër-ekzekutimit, duke vendosur sekuestro mbi të gjitha pronat dhe pasuritë e tyre, deri tek pajisjet e shtëpisë apo sendet personale."
Këto ditë ka hyrë në fuqi vendimi i ri i Qeverisë për kreditë nga bankat me kapital shtetëror. çfarë lehtësirash përmban ky vendim për debitorët e Agjencisë së Trajtimit të Kredive?
Aplikimi i lehtësive për arkëtimin e borxhit të keq apo detyrimeve të prapambetura është një praktikë e njohur në veprimtarinë bankare, institucione të ndryshme kredidhënëse, tatim-taksave dhe subjekteve të tjera që ofrojnë shërbime publike me pagesë për qytetarët, duke falur pjesërisht interesa, gjoba apo kamatëvonesa, të llogaritura mbi masën e principalit. Pra siç kuptohet, këto falje mund të zbresin deri në kufijtë e principalit, pa e prekur qoftë edhe një qindarkë të vetme atë. Këtë gjë bën edhe vendimi nr. 450, datë 16.06.2010 i Këshillit të Ministrave për gati 12500 debitorët e ATK-së, që vazhdojnë ende të moslikuidojnë kreditë e marra nga ish-bankat shtetërore të nivelit të dytë dhe INSIG sh.a gjatë viteve 1993-1997. Sipas pikës 1.1, kreu i parë i këtij vendimi parashikohet që, "debitorëve, që shlyejnë menjëherë të gjithë shumën e principalit të transferuar apo të mbetur u falen në masën 100 % interesat, gjobat dhe kamatëvonesat, pavarësisht nga objekti i kredisë dhe shuma e detyrimit të transferuar". Një lehtësi e tillë ka ekzistuar edhe në aktet e mëparshme nënligjore, por dikur ishte e kufizuar për një kategori të caktuar debitorësh, kryesisht për ata individë e subjekte, që principalin e transferuar e kishin deri në një milion lekë, më vonë deri në tre milionë lekë apo që objektin e kredisë e kishin të shtrirë në fushën e bujqësisë. Ndërsa për dy vitet e fundit këto lloj lehtësish, ndonëse për një masë më të gjerë debitorësh, pas korrikut 2008 ishin të kufizuara dhe fragmentarizuara në kohë. Ndërkohë, jo pak të favorizuar janë sipas VKM-së nr. 450, datë 16.06.2010 janë edhe ata debitorë që zgjedhin alternativën e likuidimit me këste të detyrimit, ku përveç shumës së principalit, duhet të paguajnë edhe një pjesë të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave. Konkretisht 10 % të tyre për "…debitorët, të cilët në datën e transferimit të kredisë nga bankat e kanë pasur shumën e principalit deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë" dhe 5 % për "…debitorët, të cilët në datën e transferimit të kredisë nga bankat e kanë pasur shumën e principalit mbi 3 000 000 (tre milionë) lekë". Mjafton të kujtojmë se për momentin këto shifra zbatohen respektivisht në masën 40 dhe 35 për qind. Ndërkohë periudha e likuidimit me këste nuk mund të jetë më shumë se 2 (dy) vjet.
Pse tregohet kaq "bamirëse" e tolerante Qeveria në këtë rast, duke falur gjithë interesat, gjobat dhe kamatëvonesat, ndërkohë që sipas statistikave që ju dispononi, kjo pjesë e detyrimeve debitore në total zë mbi 55 për qind të detyrimit gjithsej? A dëmtohet buxheti i shtetit në këtë rast?
Siç e thashë pak më lart, këto lloj lehtësish kanë ekzistuar kohë pas kohe, qysh nga momenti i krijimit të ATK-së, ndaj në këtë rast më shumë se sa me "bamirësi" kemi të bëjmë me drejtësi, ku debitorët nuk trajtohen më si më parë, ca të "nënës" e ca të "njerkës", por të gjithë të barabartë. E padrejtë ka qenë ajo që ka ekzistuar deri tani, duke favorizuar maksimalisht kategori të caktuara debitorësh dhe duke përjashtuar apriori individë apo subjekte të ndryshme nga përfitimi i këtyre lehtësive, kryesisht kredimarrësit e mëdhenj dhe ata me objekt kredie për biznes e tregti. Ndërkohë nga analizat dhe studimet e ndryshme që i kemi bërë portofolit kredidhënës dhe situatës financiare të debitorëve rezulton se një pjesë e mirë e kësaj kategorie huamarrësish kanë falimentuar ose zhvillojnë një aktivitet të cunguar për shkak të dëmtimeve që pësuan në ngjarjet e 1997-ës. Mjafton të kujtojmë se janë rreth 80 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me një detyrim të përgjithshëm që shkon diku tek 10 milionë dollarë, kryesisht në Tiranë, të cilat nuk zhvillojnë më aktivitet dhe nuk kanë lënë pasuri të sekuestrueshme për të mbyllur detyrimin që kanë krijuar ndaj ATK-së. Me përjashtim të Ujësjellës-Kanalizimeve, në një situatë të tillë ndodhen edhe disa huamarrës të mëdhenj shtetërorë, për të cilët po kërkojmë të gjejmë një zgjidhje ligjore, që do të bëjë të mundur likuidimin e detyrimit prej tyre. Ndërsa për sa i përket efektit buxhetor të këtyre lehtësive, nuk ka asnjë lloj ndikimi, për arsye se shteti faljet i aplikon vetëm deri tek kufiri i principalit, që përfaqëson masën e kredisë së dhënë. Sikur nesër të vijnë e të arkëtojnë të gjithë debitorët e ATK-së, shtetit i kthehen në buxhet plotë 100 milionë dollarë, aq sa çka nxjerrë në vitet 1993-1997. Këtë pjesë të detyrimit shteti do ta kthejë në buxhet deri në qindarkën e fundit, duke përdorur të gjithë mjetet e mundshme ligjore për ekzekutimin e detyrueshëm.
Cili është efektiviteti i deritanishëm i punës. Duke qenë se ju mblidhni kredi të këqija, duhet të keni një bashkëpunim të mirë edhe me Shërbimin Përmbarimor?
Lehtësirat që ofron vendimi nr. 450, datë 16.06.2010 i Këshillit të Ministrave, ashtu si dhe ato të akteve të mëparshme ligjore e nënligjore përbëjnë një "ofertë" të mirë për të gjithë ata debitorë që preokupohen për të likuiduar në mënyrë vullnetare detyrimin, por që të gjithë janë në çdo moment në "garë" me ekzekutimin e detyrueshëm, nëpërmjet ndjekjes së procedurave ligjore nga Shërbimi Përmbarimor. Në këtë rast kërkohet i gjithë detyrimi i krijuar, ku përfshihet totali i principalit, interesave, gjobave, kamatëvonesave, shpenzimeve gjyqësore, etj., pa aplikuar asnjë lloj zbritjeje. Kjo do të thotë që lehtësitë dhe favoret mund t'i humbasësh në çdo çast, po qe se nuk nxiton për t'u paraqitur sa më parë në zyrat e ATK-së në qendër apo rrethe. Ne nga ana jonë po nxitojmë për t'i dërguar në Përmbarim të gjithë debitorët pa përjashtim. Nga 12 500 debitorë, për rreth 10 000 prej tyre ka dalë urdhri i ekzekutimit. Brenda muajit gusht ne i kompletojmë me urdhër ekzekutimi të gjithë debitorët dhe në shtator nuk do të mbetet askush pa dërguar në Përmbarim. Shërbimi Përmbarimor duhet të përgatitet për këtë prurje masive, e cila është gati 5-6 herë më e madhe se sa ngarkesa e deritanishme. Por ndërkohë që frytshmëria e punës së tyre lidhur me ekzekutimin e dosjeve të ATK-së është në nivele tepër të ulëta, kërkohet ndryshim rrënjësor i metodës së punës nga të gjitha zyrat e Shërbimit Përmbarimor, por sidomos nga Tirana, Fieri, Durrësi, Vlora, Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Kruja, Puka, Pogradeci, Lushnja, Mati, Kukësi, etj. Vullneti i duhur për bashkëpunim dhe zbatimi me korrektësi i kërkesave ligjore prej tyre janë element të rëndësishëm, që ndikojnë pozitivisht edhe në zbatimin me efektivitet të kërkesave të këtij vendimi të ri të Këshillit të Ministrave. Një pjesë debitorësh mund t'i kuptojnë dhe preferojnë lehtësitë e vendimit nr. 450, datë 16.06.2010 të Këshillit të Ministrave, nëpërmjet "zgjedhjes së të keqes më të vogël, midis dy të këqijave", pas shtrëngimit nga Shërbimi Përmbarimor për të "keqen më të madhe", që është detyrimi ligjor, pa asnjë falje për interesa, gjoba dhe kamatëvonesa.
A mendoni se me këtë ndryshim ligjor do të mund të mbyllet njëherë e mirë çështja e kredive të marra e të palikuiduara qysh nga vitet '90?
Sipas diskutimeve paraprake të bëra për hartimin e draftit në fjalë, duket se me këto ndryshime Këshilli i Ministrave do ta mbyllë përfundimisht ciklin e lehtësive dhe favorizimeve që shteti mund të bëjë ndaj debitorëve të ATK-së, të cilët ofrohen për të likuiduar në mënyrë vullnetare detyrimin e krijuar dhe të palikuiduar deri tani. Kjo është arsyeja e maksimalizimit dhe masivizimit të këtyre lehtësive për të gjithë, pa përjashtim, duke arritur në "kufijtë e së pamundurës", që rrethojnë principalin. çdo debitor që do të refuzojë këtë ofertë të re, do të përballet me sanksione të rrepta ligjore për ekzekutimin e të gjithë detyrimit ligjor sipas urdhër-ekzekutimit, duke vendosur sekuestro mbi të gjitha pronat dhe pasuritë e tyre, deri tek pajisjet e shtëpisë apo sendet personale. Nëse do të ketë ndonjë akt tjetër ligjor apo nënligjor, ai do të iniciohet për të shtuar penalizimin dhe masat shtrënguese ndaj debitorëve që nuk ofrohen për të likuiduar në mënyrë vullnetare detyrimin. Detyra jonë në këto momente është që të marrim të gjitha masat, me qëllim njohjen e këtyre lehtësive dhe përfitimeve që kanë të gjithë debitorët, kudo qofshin ata në Shqipëri apo jashtë saj. Për plotësimin me efektivitet të kësaj detyre, ne bazuar edhe tek zbatimi me korrektësi i kërkesave të nenit 10 të ligjit nr. 8894, datë 14/05/2002 "Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive", i ndryshuar në vitin 2007, në të cilin thuhet: "Agjencia e Trajtimit të Kredive u dërgon zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, drejtorive rajonale të shërbimit të transportit rrugor, zyrave të gjendjes civile, ALUIZNI-t, organeve të pushtetit vendor, bankave të nivelit të dytë, fondacioneve kredidhënëse dhe institucioneve të tjera informacion për detyrimet, që persona të ndryshëm mund të kenë ndaj shtetit", po bashkëpunojmë intensivisht me të gjitha këto institucione, ku do të veçojmë deri tani angazhimin maksimal të organeve të pushtetit lokal.