E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libia në kaosin pas Gaddafit

Pikërisht në njëvjetorin e revolucionit në Libi, me dhjetëra njësi të armatosura mirë, të cilat veprojnë në vend, kanë dalë nga kontrolli i qeverisë në Tripoli, duke e copëtuar edhe më shumë vendin dhe duke e bërë edhe më të rrezikshëm për libianët e thjeshtë, të cilët po tentojnë të përshtatën, pas diktaturës 41 vjeçare të Muammar Gaddafit. Ky vlerësim u bë javën e kaluar nga organizata Amnesty International, në raportin e fundit të së cilës për Libinë dokumentohen së paku 12 libianë, të cilët janë mbajtur që nga shtatori nën arrest nga pjesëtarët e këtyre njësive

Në momentin kur banorët e Libisë kremtuan të premten njëvjetorin e revolucionit, me dhjetëra njësi të armatosura mirë, të cilat veprojnë në vend, kanë dalë nga kontrolli i qeverisë në Tripoli, duke e copëtuar edhe më shumë vendin dhe duke e bërë edhe më të rrezikshëm për libianët e thjeshtë, të cilët po tentojnë të përshtatën, pas diktaturës 41 vjeçare të Muammar Gaddafit.

Ky vlerësim u bë javën e kaluar nga organizata Amnesty International, në raportin e fundit të së cilës për Libinë dokumentohen së paku 12 libianë, të cilët janë mbajtur që nga shtatori nën arrest nga pjesëtarët e këtyre njësive. Thuhet se ata kanë vdekur pasi që janë rrahur dhe torturuar. Në raportin drithërues prej 38 faqesh, të publikuar në prag të përvjetorit të revolucionit, Amnesty përshkruan valën e terrorit dhe të abuzimeve gjithëpërfshirëse, të ushtruara nga pjesëtarët e njësive, anëtarët e së cilave gjatë muajve të fundit ka nxjerrë qindra, ndoshta mijëra libianë nga shtëpitë e tyre dhe i kanë dërguar në burgje të improvizuara, nën dyshimin se kanë qenë mbështetës të Gaddafit apo se kanë luftuar për të, gjatë luftës qytetare.

Revolucioni në Libi shpërtheu më 17 shkurt të vitit të kaluar, kur qindra protestues në qytetin lindor Bengazi vërshuan rrugët, duke kërkuar përfundimin e regjimit të Gaddafit, një akt atëbotë tejet i guximshëm.

Demonstratat u përhapën me shpejtësi, duke e kapluar brenda disa javësh të gjitha pjesët lindore të Libisë dhe më pas zhytën vendin në luftë qytetare, pasi që NATO filloi fushatën e vet të sulmeve ajrore kah mesi i marsit. Revolucioni përfundoi me shembjen e diktaturës në gusht.

Por 17 shkurti i këtij viti ishte një datë jo edhe gjithaq e gëzueshme. Javën e kaluar, i biri i Gaddafit, Saadi, kumtoi nga mërgimi në Nigerin fqinjë se kryengritësit pro-Gaddafit po përgatitën për betejë në gjithë Libinë. Dhe njësitë e armatosura, shumë prej të cilave kanë kryesuar forcat kryengritëse gjatë luftës, kanë marrë përsipër pushtetin në shumë rajone të vendit dhe nuk po tregojnë as shenjat më të vogla se e kanë ndër mend të çarmatosen.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit (NTC), pra administrata në Tripoli, ka përcaktuar disa afate përfundimtare për çarmatimin e këtyre grupeve dhe ka kërkuar nga ato që t’i bashkohen ushtrisë kombëtare, thirrje këto të cilat deri me tani janë injoruar.

Në vend të kësaj, thuhet në raportin e Amnestysë, këto grupe operojnë të pavarura nga autoritetet në Tripoli-përfshirë këtu edhe brenda vetë kryeqytetit-dhe nuk frikësohen pothuajse aspak nga përndjekja.

“Pas histerisë së vitit të fundit të arrestimeve masive, tani kemi një gjueti më të fshehtë kundër njerëzve”, thotë Donatella Rovera, këshilltare e AI-së në Londër.

Gjatë dy muajve të kaluar, Rovera ka vizituar shumë qendra të arrestit, të kontrolluara nga njësitë, duke intervistuar të burgosurit në gjuhën arabe. Ajo thotë se pasi që asaj shpesh i është dhënë shumë pak kohë në dispozicion, për të intervistuar të burgosurit, ata menjëherë kanë zhveshur kamishat e tyre, po sa është mbyllur dera e dhomës për intervista, me qëllim që të tregojnë plagët e tyre.

Pasi që ja përcolli dëshmitë zyrtarëve të NTC-së në Tripoli, ajo thotë se filloi të besojë se Këshillit i mungon si vullneti, ashtu edhe aftësia për të marrë përsipër kontrollin nga grupet e armatosura-ndoshta për faktin se në kuadër të këtyre përpjekjeve Këshilli do të duhej të hynte në një konfrontim të madh, në kohën kur zyrtarët po tentojnë të stabilizojnë ekonominë dhe për ta përgatitur vendin për zgjedhjet e qershorit.

“Mungesa e vullnetit politik i ka bërë më të fuqishme njësitë dhe ka vështirësuar kontrollimin e tyre”, thotë Rovera.

Detajet më drithëruese në raportin e Amnesty janë ato për vdekjen e njerëzve në qendrat e arrestit. Përkundër disa rasteve të këtilla, askush nuk është arrestuar dhe nxjerrë para drejtësisë.

Kjo ngritë çështjen edhe për atë se si do të trajtohet i burgosuri më i njohur në Libi, i biri i Gaddafit, Saif Al Islam.Edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare për Krime e ka paditur Saifin për krime kundër njerëzimit, zyrtarët libianë kanë theksuar se nuk e kanë ndërmend ta transferojnë atë në Hagë, ku edhe gjendet selia e kësaj gjykate.

(Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›