Përçahen partitë serbe në Mitrovicë
Përçarjet e vazhdueshme te spektri politik i komunitetit serb në veri të Mitrovicës kanë rezultuar me prishjen e koalicionit ndërmjet radikalëve të Tomosllav Nikolliqit dhe demokratëve të Vojisllav Koshtunicës. Partitë politike serbe nga pjesa veriore e Mitrovicës kanë prishur koalicionin pas akuzave të ndërsjella dhe përçarjeve që kanë zgjatur me muaj. Në fakt, këto parti politike janë degë të partive nga Serbia. Si rezultat i mospajtimeve të thella, koalicionin e kanë prishur Partia Demokratike e Serbisë e Vojisllav Koshtunicës dhe Serbia e Re me Partinë Radikale Serbe të Tomisllav Nikolliçit. Por, radikalët përbëjnë shumicën në organet paralele që Serbia ka ngritur në Mitrovicë dhe pjesën veriore të Kosovës, kështu që radikalët vazhdojnë të ushtrojnë një pushtet të brishtë, me rrezikun që atje sërish të shpallen zgjedhjet e parakohshme, të cilat autoritetet e Kosovës nuk do t’i njohin si edhe në të kaluarën, ngaqë bëhet fjalë për struktura paralele. Pushtetet aktuale paralele serbe në veri të Mitrovicës janë rezultat i zgjedhjeve të Serbisë, të mbajtura më 11 maj të vitit 2008.
Kosovë
EULEX-i, protokoll për doganat vetëm me Serbinë
EULEX-i do të nënshkruajë protokollin për dogana vetëm me Serbinë e jo me shtetet tjera fqinje. Lajmin e bën të ditur zëdhënësi i këtij misioni, Kristof Lamfalusi. “Nuk do të nënshkruajmë protokolle për doganat me Shqipërinë apo Malin e Zi, sepse kjo është përgjegjësi e doganave të Kosovës. Këto shtete e kanë njohur Kosovën. I vetmi protokoll për doganat që do të nënshkruhet nga ne është me Serbinë, i cili ka të bëjë me shkëmbim informatash”, ka thënë Lamfalusi.
Serbi
Lajiç: Nëse nuk arrestohet Mlladiç brenda 2009-s, dorëhiqem
Koordinatori i ekipit për bashkëpunim me Tribunbalin e Hagës, Rasim Lajiç, ka thënë se do të japë dorëheqje në fund të vitit nëse Beogradi dështon ta arrestojë të kërkuarin për krime lufte, Ratko Mlladiç. Lajiç, që është edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, është zotuar se Mlladiç do të arrestohet para fundit të 2009-s. Mediat serbe citojnë Lajiçin të ketë thënë, se nëse nuk ndodh kjo, atëherë ai do të bartë pasojat. Mlladiç, mbahet përgjegjës për masakrën e Srebrenicës.
SHBA
Fillon në Pitsburg samiti i G20-s
Samiti i shteteve të mëdha të zhvilluara dhe atyre në zhvillim u hap dje në qytetin lindor amerikan të Pitsburgut. Në krye të axhendës së samitit ishte rritja ekonomike dhe përballja me ndryshimet klimatike. Presidenti amerikan Barak Obama shtyu përpara një plan për zvogëlimin e suficitit tregtar në shtetet me eksport të madh si Kina dhe për të rritur kursimet në shtetet me borxhe të mëdha si SHBA-të .Megjithatë, europianët dhe shtetet në zhvillim, përfshirë Brazilin, dëshirojnë të fokusohen në rregulloren për tregun financiar dhe pagat e ekzekutivëve.
Irak
Arratisen nga burgu 15 persona, rrethohet qyteti
Zyrtarët irakianë thanë se rreth 15 të burgosur, të dënuar për terrorizëm, janë arratisur nga një burg i qytetit verior të Irakut, Tikrit. Zëdhënësi i ushtrisë, Abdul- Karim Khalaf tha se gjashtë nga të burgosurit konsiderohen të rrezikshëm. Autoritetet kanë shpallur orë policore në qytet, vendlindjen e Sadam Hyseinit, pas arratisjes që ndodhi në orët e vona të mbrëmjes.
Postblloqe të shumta u vunë rreth Tikritit, por ende nuk ka pasur të arrestuar. Situata në këtë zonë konsiderohet alarmante.
25 Shtator 2009