Presidenti Sejdiu falenderon Obamën për mbëshetjen e SHBA-ve
Blerina Olldashi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka zhvilluar një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në një pritje të organizuar nga presidenti i SHBA-ve. Presidenti Sejdiu e ka falënderuar presidentin Obama për mbështetjen e deritashme që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës, si dhe shprehu besimin se marrëdhëniet e veçanta mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve do të forcohen edhe më tutje, thuhet në një njoftim të Presidencës së Kosovës. Sejdiu gjithashtu u takua edhe me Xhejms Xhons, këshilltar i presidentit Obama për Siguri Kombëtare, si dhe me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, ndër të cilët edhe ndihmëssekretari i shtetit për Europë, Filip Gordon. Gjatë kësaj pritjeje, siç njofton në komunikatë, presidenti Sejdiu pati biseda të frytshme edhe me shumë autoritete të tjera, ndër të cilët edhe me kryeministrin e Spanjës, presidentin e Qipros, kryeministrin e Nepalit, kryeministrin e Grenadës, zëvendëskryeministrin e Xhamajkës, ministrin e Jashtëm të Portugalisë, kryeministrin e Malit të Zi, presidentin e Maqedonisë dhe kryeministrin e Turqisë. Në vijim të vizitës në SHBA, presidenti Sejdiu zhvilloi takime bilaterale me autoritete të tjera që morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në kuadër të aktiviteteve gjatë vizitës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sejdiu ka mbajtur një fjalë rasti në Pritjen Vjetore të Liderëve Ballkanikë, të organizuar nga “Rutgers Institute”. Të pranishëm në takim ishin Ekmeledin Ihsanoglu, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Konferencës Islamike, Ilir Meta, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Stjepan Mesiç, presidenti i Kroacisë, Haris Silajxhiç, anëtari i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Ahmet Davutoglu, ministri i Jashtëm i Turqisë e liderë të tjerë. Sejdiu foli para liderëve ballkanikë për zhvillimet dhe arritjet e rëndësishme të Kosovës pas pavarësisë. Ai vuri theksin në përpjekjet e rëndësishme që po i bëjnë liderët dhe institucionet e Republikës së Kosovës për të siguruar sa më shumë njohje për shtetin e ri, anëtarësimin në shumë institucione të rëndësishme dhe synimin për anëtarësim në sa më shumë institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Presidenti Sejdiu gjithashtu theksoi rëndësinë e qasjes paqësore dhe integruese të të gjitha shteteve të Ballkanit. Në këtë kontekst ai përmendi edhe rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi rajonal, si një kusht shumë i rëndësishëm për stabilitet në rajon dhe për ecje të përbashkët drejt integrimeve në institucionet euroatlantike.
25 Shtator 2009