E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krenar Zejno: “Injoranca institucionale që humb miliona lekë të piktorëve shqiptarë”



Petrika GROSI
Pavarësisht se kanë teknika të mira, talent, shkrime vlerësuese nga kritika vendëse dhe e ajo huaj, neglizhenca e institucioneve qeveritare dhe mungesa e botimeve, pasqyrimit të shitjeve të tyre, pjesëmarrjes në ankande dhe ekspozita, bën që piktorët shqiptarë të jenë jashtë tregut dhe të mos kenë një vlerë reale të emrit dhe të punëve të tyre ashtu sikurse ndodh me çdo artist sot në botë. Në këtë mënyrë jetesa për piktorët dhe galeritë e artit bëhet mbijetesë, artistët e rinj shqiptarë e kanë shumë më të vështirë të afirmohen dhe as që e mendojnë dot konsolidimin e emrit të tyre në treg në bazë të artit, talentit dhe vlerave që krijojnë. Më tepër mbi këtë injorancë institucionale falë së cilës tregu shqiptar i pikturës nuk ekziston dhe artistët shqiptarë po humbasin miliona lekë e bashku me to, edhe vetë shteti, i cili do të merrte taksa për shit-blerjet e veprave të artit, tregon drejtori i një prej galerive private më të rëndësishme në vend, Krenar Zejno. Drejtori i galerisë “Zenit” tregon gjithashtu, se sa e vështirë është sot në Shqipëri, që të bësh biznes me artin dhe të mbijetosh në tregun e brishtë, të shformëzuar dhe pa rregulla loje të pikturës.

Ekspozita e re e artit bashkëkohor në galeri “Zenit” mund të quhet dhe një hap i guximshëm për ju. Si ndodhi që të realizohej ky projekt?
Është një ekspozitë e veçantë në llojin e saj, e cila quhet si element satelit i Bienales Ndërkombëtare të Tiranës. Propozimi erdhi nga Bienalja dhe “Zenit”, në këtë radhë nuk është as kurator e as përgjegjës për kualitetin. Kur na u kërkua që të hapnim dyert për këtë aktivitet as ata vetë nuk e dinin se çfarë do të përmbante ekspozita, pasi ajo do të bëhej atë ditë që do të çelej porta e galerisë. Performanca është baza e saj dhe të katër veprat e artistëve italianë, ndonëse të ndryshme, përbëjnë një të vetme.

Çfarë të impresionon më shumë nga kjo ekspozitë?
Së pari më bën përshtypje eleganca italiane. Po ta shikojmë ekspozitën, ndoshta mund të kemi me qindra rezerva për të; e gjithë kritika e sotme e artit mbetet e ndarë në diskutime mes atij që quhet arti kontemporan, me gjithë ekzagjerimet e tij dhe linjës klasike, pikturës në kanavacë. Jo më kot ata që merren me artin kontempran quhen artistë dhe jo thjesht piktorë.

Sa e kupton publiku dhe sa i përgatitur është ai, për të shijuar këtë lloj arti me instalacione, abstraksion, video, montazhe etj?
Duke qenë se në shekullin e kaluar janë aplikuar 96 për qind e rymave të të gjithë kohërave, kjo periudhë mund të quhet një revolucion i tërë që ende nuk ka përfunduar. Mjaft të marrim si shembull Pikason, Xhojsin dhe Stravinskin, gjenitë e mëdhenj që nuk shpikën asgjë vetë por gllabëruan gjithçka në mënyrë të tejskajshme. Edhe te Pikaso, mund të mos e ndajmë kufirin e afinitetit me plastiken. Kur ai bëri një portret dhe e la qëllimisht të paplotësuar, disa njerëz e pyetën se si do ta kuptonte publiku të gjithë këtë? Përgjigja e Pikasos ishte se ai kishte punuar një jetë për këtë gjë dhe nëse do të tërhiqej, do ta fyente njerëzimin. Pra, është një rrugë e pandalshme që arti ka bërë për gjithë këto vite. I gjithë problemi mbetet prodhimi dhe ndarja e vlerave. Tashmë çelsat e leximit të një vepre arti janë mëse të qarta. Gjithçka ka precipituar në vendin që i takon.

Sa komercial është ky lloj arti?
Në terrenin shqiptar nuk është aspak komercial, ndërsa në të gjitha sallat mondane në Perëndim, nuk diskutohet që ka hyrë. Edhe në Luvër, është pjesa me xham e cila tregon se modernja mund të qëndrojë fare mirë me klasiken. Rëndësi mbi të gjitha ka që arti bashkëkohor të jetë harmonioz, elegant dhe shik. Kur u organizua për herë të parë te Piramida një panair i arteve pamore dhe u mblodhën rreth 100 piktorë, specialistët që erdhën nga jashtë thanë se teknikisht ka shumë artistë që ngulmojnë por defekti më i madh është kakofonia; punët nuk janë të pastra, duken arkaike dhe tepër të ngarkuara, pa një dialog komunikues të elementëve me njëri-tjetrin. Një art që nuk është as në linjën e bashkëkohores dhe as në linjën e klasikes. Piktura kërkon tre elementë për mendimin tim; mbartjen e klasikes, elementin bashkëkohor dhe rrënjët e vendit tënd. Pra, edhe nëse ne do të ishim të fortë në pikturën klasike, nuk na i fal njeri mungesën e bashkëkohores. Probleme sociale apo ngjarje historike përditë ndodhin plot. Kemi shumë piktura që vazhdojnë të bëhen si para 70 vitesh në Perëndim.

A ka faj Akademia e Arteve në këtë mes?
Pa dyshim që ka fajin e saj. Çdo vit nga kjo Akademi dalin me dhjetëra piktorë, të cilët nuk e ushtrojnë asnjë ditë profesionin e tyre. Tregu është i vështirë, shitjet gjithashtu dhe po kaq i pamundur është integrimi në projekte të ndryshme. Akademitë e Arteve, të Shkencave dhe institucionet e tjera e kanë për detyrë primare që të bëjnë katalogimin dhe dokumentimin e gjithçkaje. Punët e autorëve që shiten dhe vleftat e tyre duhet të certifikohen në mënyrë që më vonë ato të përbëjnë pasaportën e atij artisti. Një artist pa pasaportë jashtë nuk mund të konceptohet.

Po kritika, çfarë roli ka në këtë treg të çoroditur të pikturës shqiptare?
Kemi një kritikë individuale dhe mungon enti i saj. Shumë prej këtyre kritikëve flasin pa e vënë pikën mbi “i”. Natyrisht që kritika ndikon në orientimin e koleksionistëve dhe të publikut ndaj autorëve dhe vlerave artistike. Në këtë mënyrë ajo bën që produkti artistik të shitet. Vepra nuk është thjesht dekorative për të mbushur salla, institucione dhe shtëpi, megjithatë edhe këtë funksion mund ta kryejë më së miri. Është e pamundur të imagjinosh një shtëpi të mobiluar me shijë, me kolltuqe që kushtojnë 8 mijë euro dhe në mur të ketë një kompozim ujvare të blerë te tregu çam. Më mirë është që muri të rrijë i bardhë se sa të ta vrasë syrin. Pikturat janë si një organizëm i gjallë që edhe pse nuk e kuptojmë, bashkëjetojnë dhe ndikojnë te ne.

Si arrini të mbijetoni me galerinë tuaj?
Fitimet janë thuajse të papërfillshme por meqë jam në shtëpinë time dhe nuk paguaj qera, meqë jam shkrimtar dhe kam lindur me këtë pasion, vendosa ta mbaj. Në ekspozitat që hapen nga “Zenit” nuk paguhet as për vizitat dhe as për ekspozimin, por, nuk është e përjashtuar mundësia e marrjes të të ardhurave. Këto fitime vijnë nga shitja e veprave. Duhet thënë se dy vitet e fundit artistët tanë më të mirë janë në krizë. Po t’i takosh të thonë se ka një vit që nuk u ka hyrë njeri në studio.

Në një intervistë të bërë para pak kohësh, Moikom Zeqo ka deklaruar se asnjë piktor shqiptar nuk shet dot punë mbi 2 mijë euro, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Sa e vërtetë është kjo?
Jam plotësisht dakord me Moikomin. Përjashtimet që ndodhin për shkaqe të ndryshme nuk mund t’i mohojmë por ato janë shumë rastësore. Edhe Alush Shima, Artan Shabani apo Gazmend Leka, Agim Sulaj, Zini Veshi etj., kanë shitur punë për 5 mijë euro, apo edhe më shumë, megjithatë, këto janë raste sporadike. Nëse do të marrim një shqiptar që ndodhet në Itali si Artan Shabani, ai e ka një treg që është rezultat i qindra revistave që botojnë shifrat e shitjeve të tij. Shuma vjetore e këtyre shifrave në mënyrë të pamëshirshme matet me indeks dhe vendos vlerën e punëve të autorit. Tregu krijon një logjikë që e bën produktin artistik të shitshëm. Një punë që blihet një mijë euro mund të kthehet sërish pas disa vitesh në këmbim të vlerës së saj, por që kjo të ndodhë dhe që koleksionistët të mos tremben nga blerjet e tyre duhet që artistët të kenë pasaportat dhe botimet përkatëse të shifrave me të cilat i kanë shitur veprat. Është e pafalshme që këtu mungojnë faturat dhe botimet e thjeshta që do ta zgjidhnin këtë problem të madh. Nëse këto gjëra të vogla do të realizoheshin atëherë pse jo, artistë si Gazmend Leka do t’i shisnin punët e tyre nga 5-10 mijë euro pa asnjë problem dhe e gjitha kjo do të sillte përfitime jo vetëm për artistët dhe galeritë që i përfaqsojnë por edhe për shtetin, i cili vjel taksat për çdo shitje të certifikuar. Nëse veprat e artit do të certifikohen dhe shitjet e piktorëve do të publikohen nëpër katalogje në bazë të të dhënave dhe faturave të vërteta, atëherë kushdo mund t’i blerë pa frikë pikturat. Nesër një gjë është e sigurtë, çmimi i çdo pikture do të rritet dhe blerësi i një vepre arti nuk del me humbje.

A ka bashkëpunim galeria “Zenit” me Galerinë Kombëtare të Arteve ose me Ministrinë e Kulturës?
Në Ministrinë e Kulturës nuk shpresojmë për asgjë pasi na janë refuzuar disa projekte shumë të mira. Ndërkaq me Galerinë e Arteve kemi bashkëpunuar brenda mundësive dhe kufizimeve që ka ajo si institucion. Rasti i fundit ishte lejimi prej tyre i ekspozimit të njërës nga veprat e piktorit Artur Tashko që i përkiste fondit të GKA-së.

Së fundi, ankandet, si ndikojnë ato në vleftat e piktorëve dhe punëve të tyre?
Është një mënyrë tërheqëse që i nxit blerësit, ambasadat, institucionet dhe kryesisht bizneset, të hyjnë në garë për blerje arti me njëri-tjetrin. Dihet që pasioni për lotaritë, bixhozin dhe lojërat është i hershëm për njerëzimin. Ankandet që janë zhvilluar disa herë në Tiranë kanë qenë të suksesshme. Pavarësisht kësaj, sërish mbetet problem mungesa e botimit të katalogjeve nga këto ankande mbi veprat që u shitën dhe vleftat e tyre.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›