E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përçahet seriozisht anëtarësia e “Omonias”

26/04/2010 Minoriteti grek

Anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të organizatës së minoritarëve grekë në Shqipëri, “Omonia”, kanë kundërshtuar linjën politike të përzgjedhur nga kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Në një deklaratë për mediat, një grup anëtarësh të Këshillit theksojnë se mbledhja e të ashtuquajturës “Asamble e Omonias” është tregues i qartë i panikut të dështimit. “Në një situatë tejet dëshpëruese dhe paniku, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe ai ish-i komanduar, pa mandat i “Omonias”, Vasil Bollano, kanë zhvilluar farsën e radhës të ngopjes me lugë bosh, të ashtuquajturën mbledhje të Asamblesë së Omonias. Më shumë së gjithçka tjetër, ky takim i ngjante një takimi të guerilësve të natës, ku mbi 60% e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të “Omonias” nuk ishin prezent, pasi nuk ishin lajmëruar, ashtu si dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të kësaj organizate. Një takim që nuk u tha asgjë minoritarëve dhe omonitëve, përveç deklaratës qartësisht të lexueshme të panikut të dështimit”, thuhet në këtë deklaratë. Për oponentët e Dules dhe Bollanos tabloja e farsës nuk kishte si të ishte më e plotë, duke pasur parasysh faktin se radhët e atyre pak karrigeve të sallës së zbrazët ishin mbushur me punonjës të administratës së njësive vendore socialiste, në vend të minoritarëve të “Omonias”. “Njohja edhe atrikulative ‘kryetar’ e Dules nga Bollano, edhe në shfaqje publike, është formalizimi i një derivacioni të qartë të Bollanos nga Dule, por jo të ‘Omonias’ nga Dule. I kujtojmë Dules dhe Bollanos se ‘Omonia’ nuk është raport personal i dy personave Dule-Bollano, por organizatë në themel të së cilës janë interesat gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme të minoritetit grek”, thuhet në deklaratë. Nisur nga kjo situatë, kreut të PBDNJ-së dhe “Omonias” i është kërkuar të mos ndërmarrin veprime spekulative duke përdorur emrin e kësaj organizate. Ato kujtojnë se do të jenë pikërisht zgjedhjet e ardhshme vendore që do ta nxjerrin nga harta elektorale e minoritetit grek Vangjel Dulen, i cili në opinionin e anëtarëve të Këshillit, pasi ka shkelur në mënyrën më flagrante statutin e forcës politike që përfaqëson, pasi ka konsumuar të gjitha format e autoritarizmit dhe diktatit, të mungesës totale të mendimit ndryshe dhe demokracisë brenda PBDNJ-së, kërkon t’i eksportojë këto metoda të ulëta dhe antidemokratike edhe në radhët e “Omonias”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›