E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset e ndërtimit nuk po tërheqin lejet në bashki

26/04/2010 Kreu i Dhomës së Tregtisë Elbasan Veli Kazazi

ELBASAN- Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe një ndër biznesmenët e mëdhenj të ndërtimit në Elbasan, Veli Kazazi, thotë se është pikërisht ndërtimi që po e vuan tej mase krizën. Ai tha se firmat e ndërtimit edhe pse i është miratuar leja në bashki nuk janë paraqitur ta tërheqin atë dhe të paguajnë 3% përqindëshin për shkak të kësaj situate ekonomike që është në rënie të lirë, pasi kanë frikë të fillojnë investimet. “Deklarata e Kryeministrit mbi kapërcimin e cunamit të krizës ekonomike mbetet thellësisht politike dhe nuk reflekton aspak situatën reale ekonomike. Ne po kalojmë një situatë pasigurie e paniku për shkak të gjendjes së krijuar nga cunami ekonomik. Askush nuk mund të japë një përkufizim se kur do të përfundojë kjo gjendje e krijuar. Ekonomia e brishtë shqiptare është në rënie të lirë”. Kazazi thotë se gjendjen e ndërlikon më tej situata politike, e cila është frenuese. Po kështu sistemi bankar po nxiton të japë oferta spekulative me interesa piramidale për biznesin duke e rrënuar edhe më tepër atë”. Kreu i Dhomës thotë se zgjidhja e situatës politike do të ndikonte edhe në zgjidhjen e situatës ekonomike. “Ndikimi i situatës politike në vend ka rolin e vet përkrah ndikimit nga ekonomia botërore”. I pyetur se çfarë do i rekomandonte biznesit në këtë kohë krize, Kazazi tha se biznesi duhet të bëjë shumë kujdes në investime të reja në kushtet aktuale të këtij bllokimi, të këtij recensioni ekonomiko-politik. “Ne si biznes i bëjmë thirrje politikës të gjejë zgjidhjet e duhura për këtë situatë kritike”, përfundon Kazazi. Sipas tij, ka një rënie të madhe të fuqisë blerëse në të gjitha sektorët dhe kjo do të thotë edhe shumë ditë të zeza për biznesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›