E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçarja e shqiptarëve rrezikon mandatet

Tre kandidatë shqiptarë për
kryetar komune në Strugë
mund të rrezikojnë humbjen
e kësaj komune për
shqiptarët. Ky shqetësim vjen jo
vetëm nga votuesit, por edhe nga
ana e partive politike shqiptare.
Marrëveshjet mes partive shqiptare
për të dalë me një kandidat
të vetëm për të mos rrezikuar Komunën
e Strugës kanë dështuar.
Kanë qenë vetë partitë politike, të
cilat kanë konfirmuar se bisedimet
nuk kanë çuar në një rezultat dhe si
rrjedhojë partitë politike kanë vendosur
që secila të paraqitet në këto
zgjedhje vendore me kandidatët e
vet, duke rrezikuar që Komuna e
Strugës të vihet nën kontroll të
maqedonasve. Shqiptarët e
Strugës në zgjedhjet e 22 marsit
kanë ndarë votën e tyre në tri pjesë,
përkatësisht për kandidatët e
Bashkimit Demokratik për Integrim,
BDI, Partisë Demokratike
Shqiptare, PDSH dhe Partisë
Demokracia e Re, PDR. Shqiptarët,
kështu me votat e tyre dhe me tri
parti të ndara rrezikojnë të humbasin
drejtimin e Komunës së Strugës,
e cila është kryesuar pas 60 vjetësh
nga një shqiptar dhe pikërisht nga
Ramiz Merko, një nga kandidatët, i
cili ka garuar për zgjedhjet vendore
në një mandat të dytë nga BDI,
partia në pushtet e shqiptarëve të
Maqedonisë. Votat e shqiptarëve
gjatë zgjedhjeve të 22 marsit kanë
shkuar të ndara në tri pjesë dhe kjo
për faktin se partitë shqiptare kanë
vendosur të garojnë në këto
zgjedhje me tre kandidatë, Ramiz
Merko nga BDI, Mendi Qyra nga
PDSH dhe Xhevdet Nasufi nga
PDR. Rreziku për Strugën konfirmohet
edhe nga vetë partitë politike,
madje sipas kryetarit të shtabit
elektoral të BDI, Tahir Hani, Struga
po vihet në ruletë. Burimet e partive
politike shqiptare kanë deklaruar
se nuk kanë gjetur një konsensus
për të dalë me një kandidat
në këto zgjedhje dhe për të bashkuar
kështu votat në favor të një fitoreje
më të sigurt të komunës. Për
Strugën janë vënë në garë gjithsej
pesë kandidatë, dy prej të cilëve
nga partitë maqedonase. Gara për
Strugën nuk është thjesht një garë
politike, por një garë ndëretnike,
pasi të dyja palët janë përpjekur me
çdo kusht të qeverisin qytetin. Në
këtë komunë, shqiptarët janë shumicë,
por fakti se kanë përballë tre
kandidatëve shqiptarë vetëm dy
kandidatë maqedonas partitë e të
cilave janë në koalicion qeverisës
dhe kanë një aleancë, vë në dilemë
përqindjet në raundin e parë zgjedhor.
Në kushtet kur shqiptarët edhe
pse shumicë kanë ndarë votat në tri
pjesë dhe në një kohë që pjesëmarrja
në votim kushtëzohet edhe nga
fakti se shumë shqiptarë janë në
mërgim beteja për të marrë Strugën
ka qenë e fortë. Partia në qeverisje,
VRMO-DPMNE është paraqitur
me kandidatin Sllavko Kotevski
dhe nga Partia për Ardhmërinë
Evropiane kandidati Fijat Canovski.
Partitë maqedonase kanë gjetur
gjuhën për siguruar mbështetjen
dhe në rast të daljes në një raund të
dytë të njërit prej kandidatëve votat
e maqedonasve do të bashko-
hen për të marrë Strugën. Nga ana
e partive maqedonase pretendohet
se me shumicë votash mund
të dilet me një kandidat fitues që
në raundin e parë, ndërkohë që
Canovski në rast se del në raundin
e dytë zgjedhor do të marrë me
vete edhe votat e socialdemokratëve
dhe të VRMO-DPMNE.
Megjithatë, në Komunën e
Strugës janë gjithsej 56.683 votues,
të cilët votojnë në 78 vendvotime.
Qëllimi, sipas partive politike,
është që të sigurohet dalja
masive e shqiptarëve dhe marrja
e shumicës së votave në raundin e
parë zgjedhor. "Jemi të sigurt për
fitore. Mendojmë se do të mund të
qeverisin mirë me Strugën. Ne
themi se do të sigurojmë fitoren që
në raundin e parë, por në rast se
do të duhet, atëherë vota nuk do
të jetë për partinë apo kandidatin,
por një votë për shqiptarët", tha
Ramiz Merko, kandidati i BDI-së.
Nga ana e tij edhe kandidati i
PDSH-së, Mendi Qyra, është
shprehur se janë marrë masat që
një nga kandidatët shqiptarë të
dalë fitues që në raundin e parë,
pasi sipas tij në raundin e dytë
zgjedhor beteja mes shqiptarëve
dhe maqedonasve si parti politike,
por edhe në nivel votuesish do të
jetë më e ashpër dhe më e rrezikshme
për të mundur që nga ky
raund të dilet me një fitues shqiptar.
"Shpresojmë që të dalim
fitues që në raundin e parë. Nuk ka
pasur një marrëveshje mes partive
politike shqiptare, gjë që nuk u arrit
nga disa bisedime. Por mendoj
se një raund i dytë do të jetë më i
vështirë, pasi partitë maqedonase
do të votojnë të gjitha për kandidatin
maqedonas. Edhe në rast se
ndodh që kandidati shqiptar të
kalojë në një raund të dytë mendoj
se shqiptarët do të dalin masivisht
për të siguruar fitoren", tha Qyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›