Vidhen 4 biznese, pranga 2 hajdutëve
Tre grabitje biznesi janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, ndërsa një e katërt ka mbetur në tentativë. Burimet policore shpjeguan se nga seksioni kundër vjedhjes së biznesit dje në drekë u arrestuan Faik Goxha e Zenel Sulaj, 32 e 42 vjeç, banues në Yzberisht. Këta dy persona, gjatë orëve të natës së të shtunës, në rrugën "Besim Alla", në dyqanin e Haki M., 33 vjeç, kanë vjedhur mallra me vlerë 25 mijë lekë. Ndërkaq, po gjatë natës, në rrugën "Murat Toptani", është vjedhur firma "Fusha", e shtetasit Shkëlqim Demir Fusha, 45 vjeç, banues në Sauk. Sipas policisë, hajdutët kanë marrë 300 mijë lekë dhe 3 aparate "DigitAlb". Gjithashtu, një tjetër vjedhje gjatë natës ka ndodhur në rrugën "Ymer Kurti". Policia tha se është vjedhur me thyerje dyqani i shtetasit Gentian B., 32 vjeç, ku persona të paidentifikuar kanë marrë mallra me vlerë rreth 20 mijë lekë. Ndërsa në rrugën "Don Bosko", është tentuar të vidhet në zyrën e firmës EL-DUR-INVEST, me administrator Mehmet Sh., 47 vjeç, banues në Tiranë. Policia shpjegoi se për të gjitha rastet po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.