E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësit rrahin e vjedhin pronarin e lotarisë sportive

Një pikë lotoje sportive ka rënë pre e dhunës së grabitësve dy net më parë, ndërkohë që policia e kryeqytetit ka nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Tre persona kanë hyrë në lokalin e lotarisë sportive dhe duke kërcënuar pronarin e pikës kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash dhe janë larguar pa u hyrë gjemb në këmbë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 21.30 të dy netëve më parë, në rrugën "Niko Avrami", pranë zonës së Kinostudios. Në ato momente nuk ka pasur persona në lokal, kështu që duke shfrytëzuar mungesën e tyre, kanë hyrë brenda duke ushtruar presion mbi pronarin. Më pas e kanë goditur atë me grushte dhe i kanë marrë paratë që ndodheshin në sirtarin e tavolinës së kompjuterit. Sapo kanë marrë paratë, ata janë larguar me shpejtësi dhe mendohet se kanë përdorur një mjet, që e kishin parkuar disa metra më tutje. Pronarit të pikës së lotarisë sportive, Agron A., 49 vjeç, i janë dashur disa minuta të mbledhë veten dhe më pas ka kërkuar celularin e tij për t‘i telefonuar policisë. Por, ka vënë re se edhe celularët ishin marrë nga grabitësit, kështu që ka dalë në rrugë dhe ka kërkuar ndihmën e kalimtarëve të rastësishëm. Duke përdorur telefonin e njërit prej tyre, ka njoftuar policinë dhe menjëherë janë nisur shërbimet e Komisariatit Nr. 4, të cilët ndodheshin fare pranë vendit, ku ndodhi grabitja. Policia ka marrë kontakt me të dëmtuarin dhe ka nisur kërkimet për autorët e dyshuar të ngjarjes, por deri dje në mbrëmje nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre. Ndërkaq, policia tha se po punon për dokumentimin e mekanizimit të grabitjes dhe identifikimin sa më të shpejtë të autorëve të saj. Gjatë verifikimeve të kryera, policia zbuloi se ishin grabitur 45 mijë lekë dhe dy telefona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›