E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçartjet e Edi Ramës, si ato të Laurent Gbagbos

16-04-2011 / Nga Eden Babani

Duke përdorur një shprehje të tjetërkujt për Edi Ramën, dikur pata shkruar se ai është i pandreqshëm, i paparashikueshëm, madje i frikshëm, sepse ndihet i privuar prej përgjegjësive qytetare që bartin njerëzit e zakonshëm. Çfarë nuk bën një i kallëpit të tij! S’e ka për gjë t’i vërë flakën Tiranës, gjithë vendit, kombit mbarë, veç të shkojë e veta. Duke marrë shkas nga vlerësimet e mia, një i panjohur shkruante asohere në një prej “komenteve” që u bëhen shkrimeve në internet se unë po e lartësoja ca si tepër një njeri pa vlera. Reflektova sinqerisht. M’u duk sikur po i jepja Ramës më tepër sesa meritonte. S’ka shkuar shumë qysh atëherë, jam penduar që mora përsipër të harxhoja kohë me reflektime asisoj.
Sot s’ma ka ënda t’u rikthehem bëmave të liderit socialist, duke hartuar lista me kaq e aq të papritura të rrezikshme për ecurinë e demokracisë në Shqipëri; me kaq e aq thirrje për të mos e njohur votën e popullit, edhe atëherë kur e kanë vlerësuar dhe e kanë njohur vëzhgues vendas e të huaj, edhe atëherë kur e kanë pranuar dhe e kanë nënshkruar komisionarët e vet; të hartoj lista me kaq e aq protesta “paqësore”, që veç një qime i ka ndarë nga gjakderdhja, siç ngjau 21 janarin e shkuar.
Mirëpo, tashmë, pas intervistës së fundit televizive të Ramës, dhënë gazetarit Alfred Peza, do t’i drejtohesha me shumë respekt të panjohurit komentues, duke e pyetur nëse duhen vlerësuar apo jo përgjegjësitë ose papërgjegjësitë politike që mbart lideri i PS-së, i njërës prej partive më të mëdha të vendit. Jemi në fushatë elektorale. Unë dhe ti - do t’i thosha - votuesit socialistë a demokratë ose qytetari pa parti, të gjithë ne presim të dëgjojmë për projekte politike, ekonomike, sociale, mjedisore, lidhur me të ardhmen e qyteteve, të komunave ose të fshatrave ku jetojmë, pa të japim votën tonë. Përkundrazi, Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetar aktual i Bashkisë së Kryeqytetit, i interesuar drejtpërdrejt për garën e pritshme të 8 majit, evenimentin më të madh politik të vitit, po na ngop me fjalë rrugaçësh, me fyerje banale ndaj kundërshtarëve të vet politikë, edhe se ata e ftojnë në mënyrë të njerëzishme për debat elektoral, siç ndodh kudo në botën demokratike.
Nuk ka alternativa të tjera përveç rrugaçërisë, do të thoshte ndokush. Kjo dihet. Dihet edhe se s’ka asnjë shans për të fituar, sidomos në Tiranë, pavarësisht “sondazheve” të tij të pretenduara, të cilat flenë sirtarëve të Bashkisë, arkivave të selisë rozë, vrimave të vilës së Pezës a ku e di unë se ku, njësh me mijërat e faqeve të programit që paskësh përpiluar dikur për zgjedhjet e qershorit 2009. Madje, për fat të keq, dihet se e vetmja strategji që i ka zënë duart, është prishja e zgjedhjeve ose mosnjohja e tyre, pas një certifikimi të mundshëm. Ajo çka nuk dihet është vota e secilit prej nesh. Këtë e them pa rezerva, sepse vlera e votës është një, pa do të ketë edhe vota pro tij, siç ka pasur në të kaluarën. Mjerisht, në atë mori votash, përveç atyre të njerëzve që i shkojnë pas për shkak të bindjeve politike (dukuri e zakonshme dhe e pranueshme), përveç votave të mitingashëve (gjithashtu, dukuri e zakonshme dhe e pranueshme) do të numërohen edhe ato të provokatorëve a të zjarrvënësve të paguar, profesionistë (dukuri e rrezikshme dhe e papranueshme). A mund të shuhen nga kujtesa pamjet e dhimbshme filmike të 21 janarit, të cilat bënë xhiron e rruzullit tokësor, duke vërtetuar sesi një grusht aventurierësh të drejtuar me celular nga lideri i socialistëve shqiptarë sulmuan Policinë e Shtetit, Kryeministrinë ose kalimtarë të pambrojtur në rrugë? E vërteta e asaj “Të premteje të Zezë” as harrohet, as mohohet dot me sulme publike ndaj garuesve në zgjedhje, përmes ekranit të cilitdo televizor qoftë. Mungesa e qytetarisë nuk është meritë, aq më pak mund të plotësojë shterpësinë politike. Ja pse i trembem “të frikshmit”, i nderuar komentues i panjohur. Ja pse them me plotgojë se kushedi çfarë mishmashesh dhe katrahurash të do të na dhurojë politika perverse e Edi Ramës! Ja pse u trembem  planeve kobndjellëse që përpunon ai në vend të projekteve elektorale dhe që pret t’i vërë në jetë gjatë fushatës, gjatë zgjedhjeve ose pas tyre!
Kundërshtarin e tij të drejtpërdrejtë në garë për Bashkinë e Kryeqytetit, nuk e njeh. ”Po kush është ai?” – ia preu fjalën gazetarit Peza, pa e lënë të formulojë pyetjen.
Pastaj një lumë shpifjesh të ndyra dhe akuzash të pabazuara ndaj Bashës, njërit ndër ministrat më të suksesshëm të kabinetit Berisha 2, akuza që shkuan  deri në kërcënime për gjyq, lidhur me vrasjet e 21 janarit, të cilat vetë Rama i pati parashikuar, pra edhe i pati projektuar. Në inat e sipër, edhe vetëdemaskimi, në përpjekje për të gjetur paralele me ngjarjet në Tunizi. Po a nuk ishte protesta e përgjakur e Ramës tentativë për të shpërngulur ngjarjet e botës arabe në Tiranë? Me sa duket, ëndrrat tuniziane tërë makth, nuk e lënë të shohë me sy të vërtetën e një kryeqyteti të nëpërkëmbur prej tij në mënyrë arrogante, as të merret me të ardhmen e një metropoli me afro një milion banorë.
“Në Tiranë s’ka garë, në vende të tjera ka vende që ka edhe garë, s’ka në Tiranë”, - ia mori sërish gazetarit fjalën nga goja kryetari i sotshëm i Bashkisë së Kryeqytetit, me mendjemadhësinë e vetëkënaqësinë provokuese të njeriu jo normal.
Ky pohim i absurdit, s’mund të merret veçse si llahtar për rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve. Edi Rama e di fare mirë se me votat e kujt e fitoi Tiranën para katër vjetësh. Sa më shumë të mundohet sot të mohojë të vërtetën e ndihmës vendimtare të LSI-së me frazeologji boshe si “Ndjesë pastë!” etj., aq më pak na bind se do të marrë një mandat të ri, aq më shumë na bind për makthin që e mundon.
Këto ditë, Laurent Gbagbo, ish President i Bregut të Fildishtë, i rrethuar në bunkerin e vet prej forcave të Alassane Ouattara, President  i dalë në zgjedhjet e fundit dhe i mbështetur prej bashkësisë ndërkombëtare, bëri një deklaratë sa qesharake për një burrë shteti, aq edhe fatale për të ardhmen e vet. Ngujimin ku po kalonte ditët e fundit si president i vetëshpallur, e quajti “fantazi”. Të nesërmen, forcat e kundërshtarit e arrestuan.
Cilin donte të bindte Gbagbo me atë deklaratë të çuditshme? Po Edi Rama me përçartjet e veta?
Njerëzit kanë sy e shikojnë, kanë veshë e dëgjojnë, kanë mend e mendojnë. Në fund të fundit, vota është e tyrja...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›