E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithë pushtetet - UNË

16-04-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Kur opozita thotë pada se, zgjedhjet e 8 majit 2011 janë politike, mos besoni. Ato janë për krijimin e strukturës së ekzekutivit poshtë, për zgjedhësit dhe hallet e tyre, ose thjesht qeverisja vendore.
Nëse opozita thotë që, zgjedhjet e 8 majit 2011, ajo i ka politike, besoni. Ky përcaktim i saj për veten dhe zgjedhjet, nuk është shtirje, as manovër, as parullë. E vetmja rrugë e Partisë Socialiste është t’i çojë zgjedhjet politikisht në kulm, që ato të mbeten vijim i po asaj politike radikale, qysh nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Pse ajo po bën gjithçka t’u japë atyre fytyrë dhe përmbajtje si të zgjedhjeve të përgjithshme + radikalizëm?
Tensionimi i fushatës së zgjedhjeve të tashme, si prurje i tensionimit të paszgjedhjeve të shkuara, nuk janë dy gjëra të ndryshme, veç e  njëjta mendësi dhe alibi: atëherë, pas zgjedhjeve, u krijua politikisht hamendja e  vjedhjes së kutive dhe, mbi këtë, praktikisht, u zbatua deri edhe dhuna për rrëzimin e  qeverisë; tani, para zgjedhjeve, po përsëritet parahamendja e vjedhjes së votave të 8 majit dhe kërcënimi për rrëzimin e  qeverisë me demonstrata të dhunshme. Ai sajim i konfliktit atëherë është mbartur deri më tani, me të njëjtën frymë, edhe për këtë herë. Por, ashtu, siç të gjithë faktorët iu përmbajtën certifikimit të zgjedhjeve të shkuara, edhe zgjedhjet e  afërta do të jenë të vëzhguara mëse seriozisht prej tyre, për  ta detyruar humbësin të pranojë rezultatin, nëse humbet, që ai të mos përsërisë pas 8 majin 2011, pas 28 qershorin 2009.
Precedenti i ngërçit, në të vërtetë, ka lindur dhe  mbetet brenda opozitës, e cila ende përpiqet ta hedhë në anën tjetër, për të dalë prej tij. Për të, këto zgjedhje, janë më të pazakonshmet, në të gjithë historinë e zgjedhjeve të pushtetit vendor. Ajo, e drejtuar me autarki të disafishtë, ose e thënë ndryshe, në bazë të drejtimit të saj është filozofia e Njëshit, domethënë, Gjithë pushtetet - UNË. Njëshi i partisë  është kryetar i saj i padorëhequr sipas statutit të partisë. Njëshi i partisë njëherësh është tri herë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe këmbëngul të jetë për së katërti. Njëshi i partisë, duke luftuar të bëhet prapë kryetari i bashkisë së kryeqytetit, s’ka tjetër ndjesi dhe mendim veçse vetndjehet edhe kryeministër në mundësi të shpejtë. Dhe, të gjithë këto tri pushtete, te një njeri i vetëm, janë ambalazhuar në dy parulla zgjedhore absolutiste: “E vetmja rrugë” dhe “Kurrë më!”. Madje, te parulla “ E vetmja rrugë”, nuk ka nënvizim të gjithë fjalisë, as dhe në dy prej gjymtyrëve të saj, por vetëm fjala “vetmja” është nënvizuar fort me të kuqe. Një mosndarje kaq të padiskutueshme të pushteteve askush nuk do ta përdorte për t’ua shtuposë zërat personaliteteve që ka opozita.
Gjithë pushtetit - Unë, përfshinë tri kohë politike të Edi Ramës:
Ka të shkuarën.
Të tashmen.
Dhe e ardhmja.
E shkuara fillon që nga dita kur, duke qenë kryetar bashkie i Tiranës, u bë kryetar i Partisë Socialiste, pa u dorëhequr nga bashkia. Kjo ka ndodhur në vitin 2005, pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe dorëheqjes së kryetarit Fatos Nano. Për një kryetar partie në opozitë, me zgjedhje të humbura dramatikisht dhe barrë të rëndë pushteti të  bashkisë së Tiranës, janë të pambajtshme dhe të papërballueshme, në të njëjtën kohë dhe nga një njeri i vetëm, me limite njerëzore si çdo qënie humane. Kryetarit të Partisë Socialiste iu desh një punë e jashtëzakonshme të bashkëbisedonte me anëtarësinë dhe simpatizantët, për të vendosur kohezionin me ta dhe për të kapërcyer traumën e humbjes. Katër vjet “Dialog me Shqipërinë” qenë disi për Partinë, por qenë mos më keq për Bashkinë. Një përqafim asisoj i Partisë dhe braktisje allasoj e Bashkisë, nuk kishte ndodhur, dhe nuk ka për t’u parë, sepse kjo nuk do të varet më nga kryetari, por prej votuesve. Zgjedhësit nuk kanë për të votuar asnjë kryetar bashkie të Tiranës, i cilitdo krahu politik qoftë, që votat e tyre të përvetësohen nga kryetari i bashkisë për t’u tjetërsuar prej tij për kryetarin e partisë. Këtë sjellje zyrtare  të paimagjinueshme, humbja e zgjedhjeve të vitit 2009 e shpërfaqi edhe më zi, sa që u përftua pushteti binjak: PartiBashki apo BashkiParti. Pas zgjedhjeve të 2009, për të mbajtur kreun e Partisë Socialiste, dyfish kryetarit Edi Rama iu desh të shpenzonte energji të papara, për të asfiksuar ca sherrin brenda partisë, për të zhvlerësuar tërë hierarkinë certifikuese të zgjedhjeve, për t’i detyruar ndërkombëtarët të tërhiqeshin, për të rrëzuar qeverinë në fillim të mandatit dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Të gjitha bashkitë e Shqipërisë, të mëdha e të vogla, socialiste e  demokrate, i kanë pasur kryetarët në krye të  detyrës, e vetmja - bashkia e Tiranës (po, kjo “e vetmja”, është për t’u nënvizuar), ka qenë me kryetar të vetëtransferuar në selinë e partisë, në sheshe protestash, në tenda greve urie dhe demonstrate të dhunshme. Tirana ka 6 vjet e braktisur, 4 vjet pas zgjedhjeve të vitit 2005, dhe 2 vjet pas zgjedhjeve të vitit 2009. Vallë, të jenë njerëzit pa sy e kujtesë, sa të mos e shohin këtë dhe të mos e gjykojnë  braktisjen?
E tashmja është, po ashtu, e dyzuar për Edi Ramën: shfaqet aty-këtu në Tiranë për kryetar bashkie, shtegton fushatës nëpër Shqipëri si kryetar partie. Zgjedhësit mendojnë dhe pyesin: për çfarë ta votojnë atë, për kryetar bashkie apo për kryetar partie? Për zgjedhjen e kryetarit të partisë, mblidhet kongresi dhe, vetëm qindra përfaqësues të anëtarësisë zgjedhin të parin. Por, kur kryetari i partisë merr mijëra vota që zgjedhësit ia japin në “kuti për kryetar bashkie” dhe ai me hile i fut ato në “kutinë e kryetarit të partisë”, duke i shpenzuar për politikë vetjake, për t’i shndërruar në paterica të synimit të fiksuar për kryeministër, kjo nuk është më thjesht një hile e madhe politike ndaj zgjedhësve. Kjo është arsyeja që, më 9 maj, më shumë se rezultati i zgjedhjeve për pushtetin e ndarë të bazës, socialist e demokrat, problemi mbetet Gjithë pushtetet - Unë: të fitoj zgjedhjet për të mbetur kryetar partie, të bëhem prapë e prapë e prapë e prapë kryetar bashkie, të rrëzoj qeverinë, ta përdor si provë se u vodh pushteti në zgjedhjet e shkuara, të detyroj zgjedhje të parakohshme, të bëhem kryeministër.
Kryeçështja është e ardhmja e Edi Ramës. Plot pas dy vitesh, Shqipëria do të jetë në zgjedhje të përgjithshme. Kryetari për së katërti, asgjë nuk do të ketë në mendje më 9 maj përveçse qershorin 2013. Gjatë dy vjetëve në vijim, pas zgjedhjeve të tashme, nga të cilët, viti i fundit do të jetë thuajse  elektoral, kryetari që kërkon për së katërti bashkinë e Tiranës, nuk ka kohën e mjaftueshme as për ta përgatitur partinë e përçarë, për zgjedhjet e vështira politike. Gjithë pushtetet – UNË, fsheh edhe këtë një lojë: Nëse fitoj për së katërti, “qofshin me shëndet zgjedhësit”, sepse Rama, siç ishte do të mbetet vetëm te partia, 24 orë më 24, për t’u bërë kryeministër. Nëse i humb zgjedhjet e qershorit 2013, prapë s’dal pa gjë, mbetem kryetar bashkie i Tiranës edhe për dy vite të tjera përtej.
Asnjëherë nuk është parë një autarki e tillë, dhe brenda opozitës, dhe në pluralizëm, që vjen nga saldimi i pushtetit të madh ekzekutiv me pushtetin e partisë së madhe dhe nga mosndarja e gjithë pushtetit me asnjë tjetër brenda partisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›