Përcillen për në banesën e fundit, dy të rinjtë që u mbytën në Vlorë
Dy të rinjtë korçarë që u mbytën pasditen e së hënës në plazhin e Vlorës, janë përcjellë dje për në banesën e fundit. Elvis Cene dhe Kristi Andoni, që kishin shkuar me pushime të organizuar nga fondacioni "Kenedi", vinin nga familje të varfra dhe kanë qenë pjesë e një grupi që trajtohej nga fondacioni bamirës. Sipas dëshmive të shokëve, dëshmitarë në momentin e tragjedisë, Elvis Cene ka ndërhyrë për të shpëtuar 17-vjeçarin Kristi Andoni në momentin kur ky i fundit nuk ka mundur të dilte nga uji. Mësohet se 19-vjeçari ka qenë kujdestari i grupit të fëmijëve. Ai ishte angazhuar si përgjegjës për të vegjlit gjatë periudhës së pushimeve njëjavore, që ishin organizuar nga ana e fondacionit. Dëshmitarët okularë thonë se i gjithë grupi ishte futur për t‘u larë në det rreth orës 16.00. Në momentin kur 19-vjeçari Cene u ka kërkuar të rikthehen në breg, ka ndodhur edhe tragjedia. Ndërsa fëmijët e tjerë i janë bindur kërkesës së Cenes, 17-vjeçari Kristi Andoni nuk ka mundur të dalë në breg dhe po përpëlitej mes valëve të detit. Në këtë moment Elvisi ka ndërhyrë për ta shpëtuar, por ka humbur jetën bashkë me të. I gjithë grupi i përbërë nga 57 gjimnazistë, ka ndërprerë menjëherë pushimet në plazhin e Vlorës, ku sipas tyre kishin shkuar për të qëndruar për një javë. Dy djemtë që humbën jetën aksidentalisht në plazh, vijnë nga familje të varfra dhe prej kohësh trajtoheshin me mbështetje nga ana e fondacionit bamirës. Elvis Cene frekuentonte qendrën prej të paktën 5 vjetësh, ndërkohë që 17-vjeçari Kristi Andoni ishte bërë pjesë e organizimit rinor prej një viti.