E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet nga kati i tretë, vdes muratori 46-vjeçar

Një punëtor ndërtimi ka gjetur vdekjen mesditën e djeshme, teksa punonte në një ndërtesë të papërfunduar në lagjen "Parrucë" të qytetit të Shkodrës. Mësohet se viktima, me profesion murator, ka qenë duke punuar në katin e tretë të ndërtesës, kur nga pakujdesia ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar përtokë. Viktima quhet Bledush Hoxha, 46 vjeç, baba i dy fëmijëve. Ai banonte në fshatin Golem të Shkodrës dhe çdo ditë vinte në qytet për të punuar dhe siguronte kështu të ardhura për familjen. Me gjithë përpjekjet për ta shpëtuar, 46-vjeçari Hoxha ka ndërruar jetë gjatë rrugës që transportohej për në spitalin rajonal të Shkodrës. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka marrë versionin se si ka ndodhur fatkeqësia. Nga hetimet e para dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë pakujdesia e viktimës dhe mungesa e kushteve teknike në punë. Mësohet se policia ka shoqëruar personat që ndodheshin pranë viktimës në momentin kur ka ndodhur ngjarja, me qëllim zbardhjen e plotë të këtij incidenti, me pasojë vdekjen e babait të dy fëmijëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›