Vjedhin kullën e pusit të naftës, katër në pranga
Shkojnë të vjedhin kullën e pusit të naftës në zonën naftëmbajtëse Patos-Manzë, prangosen në flagrancë katër të rinj. Burime zyrtare të policisë së Fierit pohojnë për gazetën "Shqip" se në orën 03.00 të mëngjesit të së martës, janë arrestuar shtetasit Amarildo Banaj, 19 vjeç, Adriatik Shpata, 29 vjeç, Eneo Shpata, 19 vjeç dhe Ilir Shpata, 22 vjeç, që të katërt banorë të qytezës së Patosit. Mësohet se katër të rinjtë janë të afërm me njëri-tjetrin. Policia hedh dyshimet se të arrestuarit mund të kenë kryer edhe vjedhje të tjera, kryesisht në zonat që shfrytëzohen për prodhim dhe nxjerrje nafte. Të njëjta burime deklarojnë se arrestimi i të gjithë anëtarëve të grupit të vjedhësve është kryer pas më shumë se 1 muaj hetimesh intensive dhe vëzhgimi të katër të dyshuarve. Policia kishte marrë informacion se puset e naftës në zonën e Zharrëz, Kuqarit, Marinzës, Belinës, Frashërit etj., binin "pre" e grabitësve. Pas sigurimit të informacionit në rrugë operative, policia nisi hetimet. Mbrëmjen e martë, agjentë të policisë kriminale janë vënë në ndjekje të lëvizjeve të katër të rinjve të dyshuar dhe pas mesnate i kanë ndjekur në njërin prej sektorëve të Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës në Patos, konkretisht në vendin e quajtur Përroi i Lajthisë. Të pajisur edhe me mjete prerëse: sharrë hekuri dhe saldimi, katër të rinjtë i janë afruar një pusi, që i përket fondit në prodhim, por që prej dy javësh ishte ndaluar puna. Pasi kanë arritur të presin disa nga pjesët e bazamentit të kullës, të ndihmuar nga njëri-tjetri, kanë arritur të vendosin totalisht në tokë kullën e pusit. Sapo kanë nisur që ta sharrojnë në pjesë më të vogla, për ta pasur më të lehtë transportin, kanë ndërhyrë uniformat blu të Komisariatit të Fierit. Të katër vjedhësve u janë vënë prangat në vendin e ngjarjes dhe pas dërgimit të tyre në mjediset e Komisariatit të Policisë u është komunikuar akuza e "vjedhjes në bashkëpunim, mbetur në tentativë", parashikuar nga nenet 134/2 dhe 22 i Kodit Penal. Të ndaluarit janë marrë në pyetje mesditën e së martës dhe mësohet se e kanë pranuar akuzën dhe kanë rrëfyer se materialin e kullës së pusit kanë dashur ta shisnin për skrap. Po ashtu, të arrestuarit kanë deklaruar se nuk kishin arritur të siguronin një vend pune dhe i mbanin familjet e tyre me "punë të vogla".
Sipas policisë, të rinjtë janë pjesë e një grupi, i cili prej kohësh merrej me vjedhje të materialeve të industrisë së naftës. Po ashtu, burimet zyrtare të seksionit të krimeve pohojnë se edhe herë të tjera materialet e zonave naftënxjerrëse dhe naftëmbajtëse janë bërë objekt vjedhjesh dhe dëmtimesh. Kujtojmë se tre muaj më parë, në Patos janë ndaluar tri mjete të tonazhit të rëndë që transportonin tuba dhe pjesë pusesh pa u pajisur me faturë tatimore.
Sipas policisë, të rinjtë janë pjesë e një grupi, i cili prej kohësh merrej me vjedhje të materialeve të industrisë së naftës. Po ashtu, burimet zyrtare të seksionit të krimeve pohojnë se edhe herë të tjera materialet e zonave naftënxjerrëse dhe naftëmbajtëse janë bërë objekt vjedhjesh dhe dëmtimesh. Kujtojmë se tre muaj më parë, në Patos janë ndaluar tri mjete të tonazhit të rëndë që transportonin tuba dhe pjesë pusesh pa u pajisur me faturë tatimore.