E Diel, 1 Nëntor 2026

Përcillet për në banesën e fundit 9-vjeçari i vrarë nga i sëmuri mendor

Fier- Mes shtëpive të fshatit Luar, të zhytura në errësirë e të ndriçuar vetëm me nga një llambë elektrike, diku në fund të një rrugice që gjarpëron mes banesave ndodhet shtëpia e familjes Dreka, e cilësuar familja e gjëmës së ditës në këtë fshat, pasi djali i tyre vetëm 9 vjeç u rrah barbarisht për vdekje nga i sëmuri mendor, Hysen Sulkaj. Në këtë fshat të Fierit, njerëzit në të shumtën e herës, ose merrem me frutikulturë, ose me bagëti, ose me emigracion, për të jetuar e mbajtur ekonominë e familjeve të tyre. Edhe Astrit Dreka, babai i djaloshit të vogël, punonte si emigrant në Greqi. Endriti ishte njëri prej djemve të familjes Dreka në fshatin Luar, e cila përbëhet nga dy bashkëshortë, Astriti dhe Venetikja, si dhe dy fëmijët, Ismaili dhe Behija, përkatësisht 6 dhe 4 vjeç. Indriti, duke shfrytëzuar pushimet e shkollës, kishte shkuar te gjyshërit e tij në fshatin Donofrosë.

Fundi i rrugicës të atij fshati, me banesa të hapura në një formë gjysmërrethore në ndërtim, të krijohet përshtypja se ajo e qarë e ligjshme e dhimbjes i ka dhënë këtë formë ngurosjeje shtëpive duke i lënë bosh dhe vetmitare, ndërsa njerëzit kanë rendur të shkojnë tek ajo shtëpi, e ngritur atje fundrrugicës, e lyer nga jashtë me ngjyrë të verdhë, që në errësirë dhe pak ndriçim, ka marrë fytyrën e një njeriu që nuk i qarkullon gjaku në fytyrë. Kjo është banesa e Astrit Ndrekës, që tashmë i kanë mbetur dy fëmijë, pas vdekjes së Endritit.

Porta prej hekuri, që të çon në oborr, është e hapur. Po kështu edhe dera kryesore e shtëpisë. Nëpër shkallë qëndrojnë turma njerëzish, ndërsa në korridorin e shtëpisë, sipas zakonit, të mirëpresin njerëz të afërm të familjes, të cilët pasi të takojnë e presin ngushëllimet e para, të drejtojnë në njërën prej dhomave të pritjes, ku qëndrojnë ulur gjyshërit e djalit, xhaxhallarët dhe dajat e tij. Këta të fundit të shtrëngojnë dorën, mërmërisin fjalë të mirëseardhjes dhe presin fjalën ngushëlluese, që atë çast është ilaçi i vetëm që i mban në pamje të qetë e të patrazuar.

Të lodhur nga lajmet paraprake për nipin e tyre, spekulimet lidhur me vdekjen e tij, ata kërkojnë të dinë se çfarë do të arrihet me këtë shkrim. “Mediat kanë punën e tyre, por a mundet të na sjellin sërish në jetë këtë djalë, që e nisëm të kalonte javën te gjyshi i tij dhe erdhi i vdekur? Pse shteti nuk ndërhyn te kjo çështje? Debatet më pas zënë gjithë dhomën e vogël, katër me katër, mbushur me tym duhani dhe dhimbje. Madje, pyetjet drejtuar nesh, vijnë pa reshtur duke shtuar në fund se nuk kanë asgjë me gazetarët, por me shtetin dhe mjekët që nuk rrinë të izolojnë njerëzit e sëmurë mendor. Dikush sjell raste të humbjes së jetës, prej këtyre të fundit, në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, dikush në Dibër, dikush në kryeqytet, ndërsa njëri prej xhaxhallarëve të fëmijës ndërhyn si për të mbyllur debatin që u hap. “Mua më iku nipi, drita e syrit, dhe nuk mund të bëjë krahasime të tjera”. Këtu mbyllet edhe debati i hapur, ndërsa mbretëron nëpër dhomë heshtja. Pirja e rakisë, duhani i ndezur dhe ngushëllimi i rastit, i lënë vendin si me një kod të paracaktuar të gjëmës, njëra tjetrës. Vizita e çdo njeriu është e shkurtër.

Gjatë gjithë natës, shtëpia e vogëlushit është e mbushur me drita dhe njerëz. Në ndryshim nga shtëpitë e tjera të fshatit, të zhytura në errësirë, këtu ka dritë. Trupi i pajetë është sjellë në këtë shtëpi, pak pasi ka kaluar ora 01:00. Ndërsa vaji ka shtuar intensitetin e tij, ne dalim në korridor, e mandej në oborrin e shtëpisë, për t’iu lënë radhën e ngushëllimeve të tjerë njerëzve që vijnë, duke sfiduar natën dhe duke u përpjekur të mbajnë dhimbjen në parametra njerëzorë. Ngushëllimet dhe vizitat kanë vijuar përgjatë gjithë natës. Gati të gjithë ngushëlluesit kërkojnë nga shteti të marrë masa për izolimin e njerëzve të sëmurë mendore. Por një jetë u shua, teksa ishte duke luajtur, nga një njeri që vendin nuk e kishte në rrugë, por në spital e nën kujdesin e mjekëve. Dje rreth orës 14:00, ai është përcjellë për në banesën e fundit mes lotësh dhe dhimbjesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›