E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, Antidroga kap 17 kg kanabis Lazarati

TIRANE Sektori i Antidrogës sekuestroi dje pas mesnate në kryeqytet 17 kilogramë kanabis sativa, duke arrestuar edhe tre personat që e kishin transportuar, dhe dyshohet se do ta shisnin në kryeqytet. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, në kuadër të operacionit të koduar Grumbullimi, u arrestuan Dritan Dervishi, 28 vjeç, nga fshati Toç i Tepelenës, Drinald Dervishi, 19 vjeç, banues në Tiranë dhe Admir Hoxha, 21 vjeç, po nga Tirana. Operacioni i Policisë është zhvilluar rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të hënës, në zonën e Unazës së Re, në rrugën Mihal Dhimitri, ku është gjetur sasia e bimës narkotike dhe është kryer edhe arrestimi në flagrancë i tre të rinjve. Burime nga Policia thanë se të arrestuarit u kapën në flagrancë me një sasi bime narkotike e llojit kanabis sativa, e ndarë në 15 pako në formë paralelepipedi, të mbështjellë me natriban, e cila rezultoi në total të jetë me peshë 17 kilogramë. Bima narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashkë me tre telefonat celularë që kishin në përdorim të arrestuari. Të njëjtat burime konfirmuan se sasia e hashashit të sekuestruar ishte transportuar nga Lazarati dhe do të shitej kryesisht në tregun e Tiranës. Tre të arrestuarit, kushërinjtë Dervishi dhe Admir Hoxha, akuzohen për prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbuluar personat e tjerë që dyshohet të kenë bashkëpunuar me ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›